Si inteligjenca ukrainase ashtu edhe ajo perëndimore e dinin se Rusia kishte ndërtuar forca përtej kufirit – dhe sipas vlerësimeve, ajo kishte mbledhur deri në 30.000 trupa
Denys Yaroslavskyi është i zemëruar.
Si komandant i Njësisë Speciale të Gjurmimit të Ukrainës, ai luftoi në ofensivën e befasishme të Ukrainës në Kharkiv në vjeshtën e vitit 2022, e cila e shtyu pushtimin fillestar rus deri në kufi.
Por tani Denys dhe njerëzit e tij po përballen me sfidën për të bërë të njëjtën gjë përsëri.
Forcat ruse, ditët e fundit, kanë bërë përparime të vogla, por domethënëse përgjatë kufirit në rajonin e Kharkivit.
Përparimet e tyre duken vetëm disa kilometra të thella, por kanë gëlltitur rreth 100 km të territorit ukrainas. Në lindjen e Ukrainës, e cila ishte më e mbrojtur, Rusisë iu deshën muaj për të arritur të njëjtin përparim
Denys dëshiron të dijë se çfarë ka ndodhur me mbrojtjen e Ukrainës.
“Nuk kishte asnjë linjë të parë të mbrojtjes. Ne e pamë atë. Rusët sapo hynë brenda. Ata sapo hynë, pa asnjë fushë të minuar”, thotë ai.
Ai tregon një video me dron e cila tregon kolona të vogla të trupave ruse që thjesht ecin përtej kufirit, pa asnjë vështirësi.
Ai thotë se zyrtarët kishin pohuar se mbrojta po ndërtohej me kosto të madhe, por, sipas tij, ajo mbrojtje thjesht nuk ishte aty. “Ose ishte një akt neglizhence, ose korrupsioni. Nuk ishte një dështim. Ishte një tradhti”.
Të gjithë e dinin se pushtimi ishte afër të ndodhte.
Si inteligjenca ukrainase ashtu edhe ajo perëndimore e dinin se Rusia kishte ndërtuar forca përtej kufirit – dhe sipas vlerësimeve, ajo kishte mbledhur deri në 30.000 trupa.
Presidenti Vladimir Putin kishte deklaruar gjithashtu publikisht qëllimin e tij për të krijuar një zonë sigurie brenda rajonit të Kharkivit për të mbrojtur territorin rus nga sulmet e artilerisë ukrainase.
Por Ukraina duket se nuk ka qenë fare e përgatitur - pavarësisht mohimeve zyrtare.
Denys, duke folur nga një park në Kharkiv, thotë se brenda një ore ai do të kthehet në vijën e frontit me njerëzit e tij pranë qytetit të Vovchansk, vetëm 5 km nga kufiri rus.
Trupat ruse tashmë raportohet se kanë hyrë në skaj të qytetit. Denys thotë se ka frikë se së shpejti mund të kthehet në duart e Rusisë.
Popullsia e qytetit para luftës ishte rreth 20.000. Shumica ishin larguar në fillim të luftës dhe ajo ra në 3000 banorë - por qindra të tjerë janë larguar gjatë ditëve të fundit. Oleksii thotë se “është më e lehtë të largohesh tani, para se të vriten ose plagosen”.
Në Kharkiv, Rusia po përdor taktika shumë të njohura për të avancuar – duke i kthyer në rrënoja fshatrat dhe qytetet e Ukrainës. Oleksii vlerëson se Rusia gjuan rreth 50 deri në 60 predha çdo orë në qytet. Dhe pastaj ka bomba rrëshqitëse, të gjuajtura nga avionët rusë dhjetëra kilometra larg vijave të frontit, shumë jashtë rrezes së mbrojtjes ajrore të kufizuar të Ukrainës.
Rusia ka lëshuar rreth 100 bomba rrëshqitëse në ditë përgjatë 1000 km sa është vija e frontit.
Shtëpia e Serhiit u shkatërrua nga një bombë e tillë rrëshqitëse. Ai tha se gruaja e tij, Svetlana, ishte plagosur rëndë.
Ai tha se do të donte të largohej, “por çfarë mund të bëj?”. Ai tregoi tri dhitë e tij të cilat nuk donte t’i vriste. Disi, ato kishin mbijetuar mrekullisht së bashku me macen e tij.
Shumica e atyre që kanë qëndruar në Vovchansk janë të moshuar dhe të varfër.
Por 65-vjeçarit Oleksandr nuk mund të qëndronte më. Ai bërë shenjën e kryqit, duke u larguar nga shtëpia ku ishte rritur. Ai preku me butësi tokën, mori dy çanta dhe hipi në veturën e policisë.
Ai tha se donte të shkonte në Gjermani, por nuk e kishte idenë se si do të arrinte atje.
Hapja e një fronti të ri në veri po kërkon burimet e kufizuara të Ukrainës. Vonesa e SHBA-së në miratimin e mbështetjes ushtarake i ka lënë të uritur trupat ukrainase për municione.
Mesatarisht Ukraina ka mundur të gjuajë vetëm një raund artilerie në përgjigje të 10 sa i ka gjuajtur Rusia.
Por ofensiva e Kharkivit gjithashtu thekson problemet që vetë Ukraina ka qenë shumë e ngadaltë për t'i trajtuar – duke mobilizuar mjaft trupa dhe duke ndërtuar linja të përshtatshme mbrojtjeje.
Zyrtarët ukrainas ende këmbëngulin se Kharkivi nuk është nën kërcënimin e një pushtimi tokësor.
Në një park në Kharkiv, Denys thotë se beson se forcat ruse do të përpiqen të fokusohen në lindje dhe të kapin të gjithë Donbasin. Por ai thotë se Rusia po përpiqet gjithashtu të shfrytëzojë dobësitë e Ukrainës në të gjithë frontin prej 1000 km.
“Sigurisht që jam i zemëruar”, thotë Denys. “Kur po luftonim për këtë territor në vitin 2022, humbëm mijëra njerëz. Ne rrezikuam jetën. Dhe tani për shkak se dikush nuk ndërtoi fortifikime, ne po humbasim përsëri njerëz”.