Botë

Rusia pushton qytetin pranë Kharkivit

Rusia

Rusia pretendon se trupat e saja ushtarake kanë hyrë në qytetin kufitar verilindor të Vovchansk, pranë qytetit të dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv. BBC-ja ka raportuar të hënën se atje po zhvillohen luftime të ashpra, derisa Rusia i ka shtuar sulmet në rajon pas inkursioneve të befasishme të javës së kaluar përtej kufirit.

Vovchansk, i vendosur 74 kilometra nga Kharkivi, është bombarduar rëndë ditëve të fundit dhe zyrtarët në rajonin përreth kanë thënë se Moska tash po i synon vendbanimet me bomba rrëshqitëse.

Të paktën nëntë fshatra janë pushtuar të premten, duke i detyruar civilët ukrainas të largohen drejt Kharkivit. Komandantët ukrainas kanë ngrehur alarmin për atë se çka mund t’iu ndodhë vendasve nëse forcat ruse hyjnë brenda rrezes së artilerisë së qytetit.

Ushtria ukrainase ka thënë se Rusia “ka dislokuar forca të rëndësishme” deri në pesë batalione në ofensivën e saj të fundit, duke pranuar se ato “patën sukses taktik”.

BBC-ja ka shkruar se Vovchansku nuk ka ndonjë rëndësi të madhe ushtarake, por pushtimi i tij do të ishte goditje për moralin ukrainas.

Kreu rajonal i Kharkivit, Oleh Syniehubov, ka deklaruar se Rusia qëllimshëm po përpiqet të zgjerojë vijën e frontit duke sulmuar në grupe të vogla në drejtim të reja.