Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, ka thënë të enjten se Bashkimi Evropian duhet të ndalojë së dërguari para qeverisë ukrainase pas raportimeve për korrupsion.
"Në Ukrainë vepron një mafi lufte, një sistem i korruptuar dhe pastaj presidentja e Komisionit Evropian... në vend që të ndalojë pagesat dhe të kërkojë miratim të menjëhershëm financiar, ajo dëshiron t'i dërgojë Ukrainës edhe 100 miliardë të tjera. Kjo është çmenduri", u ka thënë ai gazetarëve në Bruksel para një takimi me homologët e tij të Bashkimit Evropian.
Dy ministra ukrainas të përfshirë në një hetim të madh për korrupsion u shkarkuan të mërkurën nga parlamenti, i cili gjithashtu ka bërë thirrje për masa më gjithëpërfshirëse për të rikthyer besimin në udhëheqjen e vendit.
Hetimi për një komplot të dyshuar prej 100 milionë dollarësh për të kontrolluar kontraktimin në agjencinë shtetërore bërthamore ka ngjallur zemërim të ri lidhur me korrupsionin e përhapur, përfshirë edhe në rrethin e ngushtë të presidentit, Volodymyr Zelensky.
Duke folur në Bruksel, Szijjarto ka shtuar se perspektiva nuk është pozitive për Ukrainën për momentin.
Edhe
Zelensky duhet t’u përgjigjet disa pyetjeve lidhur me korrupsion, thotë ish-ministri Fedorov
"Koha nuk është në anën e Ukrainës. Është iluzion të thuash se koha është në anën e Ukrainës", ka deklaruar ai.
Ai ka shtuar se vendi i tij do të mbështeste iniciativat e paqes të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.