Rebelët Houthi të Jemenit, të mbështetur nga Irani, kanë kërcënuar me sulme të reja ndaj anijeve që kalojnë nëpër korridorin e Detit të Kuq, në përpjekje për të mbështetur Iranin.
Njoftimi vjen pas shqetësimit të Iranit për shkak të afrimit të një aeroplanmbajtëseje amerikane, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërcënuar me veprime ushtarake për shkak të shtypjes së protestave mbarëkombëtare atje.
Një video e shkurtër e publikuar nga Houthit përfshinte pamje të publikuara më herët të një anijeje në flakë, me mbishkrimin: “Së shpejti.”
Rebelët nuk kanë dhënë detaje të mëtejshme, por fushata e tyre në Detin e Kuq ka rezultuar me mbi 100 anije të sulmuara, me qëllimin për të ushtruar presion ndaj Izraelit për luftën e tij kundër Hamasit në Rripin e Gazës. Houthit kanë ndaluar sulmet pas një armëpushimi në konflikt, megjithëse kanë paralajmëruar vazhdimisht se mund t’i rifillojnë ato nëse është e nevojshme.
Kërcënimi i Houthive vjen në një kohë kur aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln dhe shkatërrues të tjerë me raketa të drejtuara që e shoqërojnë, po lëvizin drejt rajonit.
Trumpi ka deklaruar se anijet po zhvendosen “për çdo rast” nëse ai vendos të ndërmarrë veprime kundër Iranit.
Trumpi ka përcaktuar tashmë dy vija të kuqe për një sulm: vrasjen e protestuesve paqësorë dhe kryerjen nga Teherani të ekzekutimeve masive të personave të arrestuar në kuadër të një goditjeje të gjerë ndaj demonstratave.