Botë

Guterres: SHBA-ja beson se fuqia e saj vlen më shumë se e drejta ndërkombëtare

Antonio Guterres

Foto: Associated Press

SHBA-ja po vepron pa u ndëshkuar dhe beson se fuqia e saj ka më shumë rëndësi sesa e drejta ndërkombëtare, ka thënë kreu i OKB-së, Antonio Guterres.

Duke folur për programin Today të BBC Radio 4, Guterres ka thënë se "bindja e qartë" e Uashingtonit është se zgjidhjet shumëpalëshe janë të parëndësishme.

Ajo që kishte rëndësi, ka vazhduar ai, ishte "ushtrimi i fuqisë dhe ndikimit të Shteteve të Bashkuara dhe ndonjëherë në këtë drejtim sipas normave të së drejtës ndërkombëtare".

Komentet e tij vijnë disa javë pasi SHBA-ja ka goditur Venezuelën dhe ka kapur presidentin e saj dhe po ashtu në kontekstin e kërcënimeve të përsëritura të Donald Trumpit për të aneksuar Grenlandën.

Guterres ka thënë se besonte se parimet themeluese të OKB-së përfshirë barazinë e shteteve anëtare - tani janë nën kërcënim.

Presidenti Trump më parë ka qenë i ashpër në kritikat e tij ndaj Kombeve të Bashkuara.

Ai e ka përdorur fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të shtatorit të kaluar për të vënë në pikëpyetje vetë qëllimin e saj, duke pretenduar se kishte "përfunduar shtatë luftëra të pafundme" vetë dhe OKB-ja "as nuk u përpoq të ndihmonte në asnjërën prej tyre".

"Më vonë kuptova se OKB-ja nuk ishte aty për ne", kishte thënë Trumpi. 

Guterres e ka pranuar se organizata e tij po lufton për t'i detyruar anëtarët të zbatojnë të drejtat ndërkombëtare të përcaktuara në Kartën e OKB-së.

OKB-ja ishte "jashtëzakonisht e angazhuar" në zgjidhjen e konflikteve të mëdha globale, ka këmbëngulur ai. 

"Por OKB-ja nuk ka ndikim - fuqitë e mëdha kanë ndikim më të fortë”, ka shtuar ai.

Guterres ka vënë në dyshim nëse ky ndikim shtesë po përdorej për të prodhuar zgjidhje reale dhe të qëndrueshme për këto konflikte, apo thjesht zgjidhje të shpejta. 

Guterres ka deklaruar gjithashtu se organizata e tij kishte nevojë për reformë për të trajtuar "problemet dhe sfidat dramatike" me të cilat përballen 193 anëtarët e saj.