Botë

Greqia, Spanja e Portugalia në luftë me zjarret, BE-ja iu del në ndihmë

zjarre

Foto: Associated Press

Ekipet e zjarrfikësve në Greqi, Spanjë dhe Portugali u angazhuan me shpejtësi për të vënë nën kontroll zjarret pyjore të enjten në mbrëmje, duke përfituar nga rënia e shpejtësisë së erës që ka ngadalësuar përhapjen e flakëve, ndonëse pjesa më e madhe e Evropës Jugore vazhdon të jetë në rrezik të lartë për shkak të kushteve të nxehta dhe të thata.

Rënia e shpejtësisë së erës i ka lejuar avionët e zjarrfikësve në këto tre vende të prekura që të intensifikojnë hedhjen e ujit nga ajri, duke u përqendruar në zonat ekzistuese të zjarrit.

Autoritetet spanjolle kanë raportuar vdekjen e një zjarrfikësi 37-vjeçar, i cili kishte pësuar djegie të rënda këtë javë, duke e rritur numrin e viktimave për shkak të zjarreve të fundit në tre. Krahas kësaj, mijëra njerëz u evakuuan nga shtëpitë e tyre në këtë rajon dhe ende nuk janë në gjendje të kthehen.

Shërbimi i Zjarrfikësve në Greqi ka njoftuar se një zjarr i madh pranë qytetit jugor të Patras është vënë nën kontroll, pas ndërhyrjeve në shkallë të gjerë. 

Tre persona janë arrestuar lidhur me zjarrin, për të cilin autoritetet greke kanë pretenduar se mund të jetë shkaktuar qëllimisht.

E mijëra zjarrfikës vazhduan të luftonin me flakët edhe në Portugali, teksa zjarret ndriçonin qiellin e natës.

Shteti iberik ndodhet nën gjendje alarmi deri të dielën për shkak të parashikimeve të motit dhe rrezikut të lartë për zjarre.

Në Agjencinë e Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian kanë lajmëruar se këtë javë kanë miratuar kërkesat për ndihmë të parashtruara nga Greqia, Spanja, Bullgaria, Mali i Zi dhe Shqipëria, duke dërguar avionë dhe helikopterë zjarrfikës nga shtetet anëtare.

Zyrtarët evropianë kanë bërë të ditur se ndihmat janë aktivizuar tashmë 16 herë vetëm gjatë kësaj vere, si pasojë e zjarreve shkatërruese që kanë goditur një numër të lartë të vendeve evropiane.