Botë

Gjykata italiane vendos në favor të fëmijëve që nuk duan të takojnë gjyshërit e tyre

Gjykata më e lartë e Italisë ka vendosur se fëmijët nuk janë të obliguar të shihen me gjyshërit e tyre nëse ata nuk duan.

Vendimi nga Gjykata Supreme lidhet me një apel të prindërve të dy fëmijëve kundër vendimit të një gjykate tjetër e cila kishte detyruar të rinjtë të shpenzojnë kohë me gjyshërit e tyre, shkroi TheGuardian. 

Rasti ishte nxitur nga gjyshërit dhe një xhaxha të cilët u ankuan se nuk kishin mundësi të takonin fëmijët “për shkak të pengesave të vendosura nga prindërit”, me të cilët ishin përfshirë në një konflikt familjar.

Prindërit e fituan rastin duke bërë që në vitin 2019 gjykata të urdhëronte takimin mes tyre dhe fëmijëve në prezencën e një punonjësi social, duke paralajmëruar prindërit për dëmin psikik të mundshëm nga moslejimi i takimit të tyre.

Prindërit argumentuan se takimet nuk ishin të dëshiruara nga fëmijët për shkak të tensioneve familjare, kështu që apeluan në Supreme.

Gjykata Supreme tha se ndërkohë që “nuk ka dyshim” se fëmijët “do të përfitonin nga lidhja familjare”, çifti kishte shprehur kundërshtinë për marrëdhënien dhe nuk mund të detyrohen të takojnë familjarët e tyre, veçanërisht në një ambient konflikti.

Gjykata vendosi që interesi i fëmijëve duhet të jetë mbi atë të gjyshërve dhe se një lidhje e padëshirueshme nuk mund të detyrohet.

Nën ligjin për familjen në Itali, një fëmijë ka të drejtën të mbajë marrëdhënie me gjyshërit e tij, edhe nëse prindërit divorcohen. Gjyshërit po ashtu kanë të drejtë t’i drejtohen gjykatës për vendosje të marrëdhënieve nëse prindërit ia mohojnë këtë.