Botë

Gjykata Supreme i jep fuqi të jashtëzakonshme Trumpit

Donald Trump

Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara ka vendosur se gjykatat më të ulëta ndoshta e kanë tejkaluar autoritetin e tyre kur kanë lëshuar vendime ndalimi në mbarë vendin kundër veprimeve presidenciale, duke kufizuar kështu aftësinë e sistemit gjyqësor për të kontrolluar pushtetin ekzekutiv.

Vendimi i së premtes erdhi si përgjigje ndaj urdhrave të pezullimit të lëshuara nga gjykatat federale në Washington, Maryland dhe Massachusetts, të cilat synonin të bllokonin përpjekjet e presidentit Donald Trump për të kufizuar të drejtën e shtetësisë në lindje për disa kategori emigrantësh.


Sipas Kushtetutës së SHBA-së, fëmijët e çdo personi që lind në SHBA, qoftë edhe nëse prindërit janë emigrantë të paligjshëm, mund ta marrin shtetësinë amerikane. E administrata Trump pretendon se të drejtën për shtetësinë amerikane e kanë vetëm ata që janë legalisht në vend – jo emigrantët e paligjshëm dhe ata që janë të përkohshëm.


“Vendimet ndaluese me efekt të përgjithshëm ndoshta e tejkalojnë autoritetin e dhënë nga Kongresi për gjykatat federale. Gjykata pranon kërkesën e Qeverisë për pezullim të pjesshëm të këtyre vendimeve”, thuhet në vendimin e shumicës së Gjykatës Supreme.

Megjithatë, shumica shtoi se ky vendim vlen “vetëm në atë masë sa që ndalesat janë më të gjera sesa nevoja”. Gjykata sugjeroi se ndalesat mund të vazhdojnë të zbatohen vetëm për paditësit konkretë të këtyre rasteve.

Vendimi e ndau edhe një herë Gjykatën Supreme sipas vijave partiake: gjashtë gjyqtarët konservatorë përbënin shumicën, ndërsa tre gjyqtarët liberalë dolën me mendim kundërshtues. Amy Coney Barrett, gjyqtarja më e re e Gjykatës dhe e emëruar nga Trumpi, hartoi vendimin e shumicës.

Vendimi i Gjykatës Supreme konsiderohet si fitore e madhe për Trumpin, i cili është ankuar se gjykatësit e gjykatave më të ulëta kanë bllokuar agjendën e tij përmes lëshimit të urdhrave ndalues.