Kreu i gjyqësorit të Iranit, Gholamhossein Mohesini-Ejei, ka sinjalizuar të mërkurën se do të ketë gjyqe të shpejta dhe ekzekutime për të arrestuarit në protestat mbarëkombëtare, pavarësisht një paralajmërimi nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump për "masa të ashpra" në raste të tilla.
Komentet nga Mohseni-Ejei, vijnë ndërsa aktivistët kishin paralajmëruar se varjet e të arrestuarve mund të ndodhin së shpejti.
Shtypja e përgjakshme e forcave të sigurisë ndaj demonstratave ka lënë të vdekur të paktën 2,571 persona, ka raportuar Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut me seli në SHBA. Kjo shifër e tejkalon numrin e të vdekurve nga çdo rund tjetër protestash ose trazirash në Iran në dekada, dhe kujton kaosin e Revolucionit Islamik të vitit 1979 të vendit.
Trumpi ka paralajmëruar vazhdimisht se Shtetet e Bashkuara mund të ndërmarrin veprime ushtarake për vrasjen e protestuesve paqësorë, vetëm disa muaj pasi bombarduan vendet bërthamore iraniane gjatë një lufte 12-ditore të nisur nga Izraeli kundër Republikës Islamike në qershor.
Mohseni-Ejei e ka bërë komentin në një video të shpërndarë nga televizioni shtetëror iranian në internet.
“Nëse duam të bëjmë një punë, duhet ta bëjmë tani. Nëse duam të bëjmë diçka, duhet ta bëjmë shpejt. Nëse bëhet vonë, dy muaj, tre muaj më vonë, nuk ka të njëjtin efekt”, ka thënë Mohseni-Ejei.
Komentet e tij qëndrojnë si një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj Trumpit, i cili e paralajmëroi Iranin për ekzekutimet, në një intervistë me CBS të martën.
"Ne do të ndërmarrim veprime shumë të forta”, ka thënë Trump. "Nëse ata bëjnë një gjë të tillë, ne do të ndërmarrim veprime shumë të forta”.
Ndërkohë, aktivistët kanë thënë të mërkurën se Starlink po ofronte shërbim falas në Iran. Shërbimi i internetit satelitor ka qenë çelësi në kapërcimin e ndërprerjes së internetit të nisur nga teokracia më 8 janar.
Irani filloi t'u lejonte njerëzve të telefononin ndërkombëtarisht të martën përmes telefonave të tyre celularë, por thirrjet nga njerëz jashtë vendit në Iran mbeten të bllokuara.
"Ne mund të konfirmojmë se abonimi falas për terminalet Starlink është plotësisht funksional”, ka thënë Mehdi Yahyanejad, një aktivist me bazë në Los Angeles i cili ka ndihmuar në futjen e njësive në Iran.