Protestat masive kundër pushtetit në Iran kanë shënuar ditën e katërmbëdhjetë. Teksa është raportuar se numri i protestuesve të vrarë ka arritur në të paktën 65 dhe ai i të arrestuarve në mbi 2 mijë e 300, presidenti amerikan, Donald Trump, e ka përsëritur paralajmërimin për intervenim. Ai ka theksuar se po e monitoron situatën me kujdes dhe në rast se gjërat dalin prej kontrolli, atëherë “do ta godasë Iranin aty ku i dhemb më së tepërmi”
Të paktën 65 persona janë vrarë dhe mbi 2 mijë e 300 të tjerë janë arrestuar në protestat masive kundër pushtetit në Iran, që të shtunën kanë hyrë në javën e dytë, kanë bërë të ditur organizata për të drejta të njeriut.
Për bilancin e saktë të të vrarëve dhe të të arrestuarve nuk ka pasur konfirmim nga palë të tjera, si pasojë e shkëputjes së rrjetit të internetit dhe të telefonave në gjithë Iranin.
Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollahu Ali Khamenei, ka sinjalizuar për goditje të ashpër ndaj protestuesve, me gjithë paralajmërimet nga Shtetet e Bashkuara për intervenim në rast të vrasjes së tyre. E prokurori i përgjithshëm, Mohammad Movahedi Azad, ka paralajmëruar se kushdo që merr pjesë në protesta do të konsiderohet “armik i Zotit”, akuzë kjo që dënohet me vdekje.
“Prokurorët duhet që, pa vonesë, të përgatisin aktakuza dhe t’i krijojnë kushtet për gjykim dhe përballje vendimtare për ata që, duke e tradhtuar kombin dhe duke krijuar pasiguri, synojnë dominimin e huaj mbi vendin. Procedurat duhet të zhvillohen pa mëshirë, pa dhembshuri dhe pa tolerancë”, ka deklaruar Mohammad Movahedi Azad.
Ndërkaq presidenti amerikan, Donald Trump, e ka përsëritur paralajmërimin për intervenim, kur gjatë një konference shtypi u pyet nëse SHBA-ja do të përfshihet pas raportimit për vrasje të protestuesve në Iran.
“Po e ndjekim situatën me shumë kujdes. Kam deklaruar shumë qartë që, në rast se ata fillojnë të vrasin njerëz, ashtu siç kanë bërë edhe në të kaluarën, atëherë, po, do të ndërhyjmë. Do t’i godasim shumë fort, atje ku u dhemb më së shumti. E nuk dëshirojmë që kjo të ndodhë”, ka theksuar presidenti amerikan.
Udhëheqës të Britanisë së Madhe, të Gjermanisë dhe të Francës e kanë dënuar të shtunën vrasjen e protestuesve në Iran dhe i kanë bërë thirrje Teheranit zyrtar që të përmbahet në veprime, pas shtypjes brutale të demonstratave kundër pushtetit klerikal.
Në një deklaratë të përbashkët, kryeministri britanik Keir Starmer, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, janë shprehur “thellësisht të shqetësuar për raportimet mbi dhunën nga forcat e sigurisë iraniane dhe dënuan fuqishëm vrasjen e protestuesve”.
“Autoritetet iraniane e kanë përgjegjësi ta mbrojnë popullsinë e tyre dhe duhet të lejojnë lirinë e shprehjes dhe tubimin paqësor pa frikë nga ndëshkimi”, thuhet në deklaratën e tyre. “Ne u bëjmë thirrje autoriteteve iraniane të tregojnë përmbajtje, të përmbahen nga dhuna dhe të respektojnë të drejtat themelore të qytetarëve të Iranit”.
Protestat në Iran nisën më 28 dhjetor, shkaku i pakënaqësive me krizën ekonomike, zhvlerësimin e monedhës kombëtare dhe të krizës energjetike.