Prokurori i përgjithshëm i Iranit i ka quajtur “krejtësisht të rreme” pretendimet e presidentit amerikan, Donald Trump, se Irani kishte ndaluar ekzekutimet e 800 protestuesve të arrestuar. Sipas aktivistëve, numri i të vdekurve gjatë shtypjes së dhunshme të protestave ka shkuar në 5,002.
Prokurori Mohammad Movahedi fuqishëm i ka mohuar pretendimet e Trumpit, raportoi AP.
“Ky pretendim është komplet i rremë; nuk ekziston numër i tillë, e as gjykata nuk ka marrë vendim të tillë”, ka theksuar ai.
“Ne kemi ndarje të pushteteve, përgjegjësitë e secili institucion janë të ndara qartë dhe ne në asnjë rrethanë nuk marrim udhëzime nga fuqitë e huaja”, ka shtuar ai.
Tensionet mes SHBA-së dhe Iranit mbeten të larta teksa një grup aeroplanmbajtësish i janë afruar Lindjes së Mesme.
Analistët thonë se një grumbullim ushtarak mund t’i japë Trumpit mundësinë që të kryejë sulme, megjithëse këtë ai e ka shmangur deri tash pavarësisht paralajmërimeve ndaj Teheranit. Ekzekutimet masive të të burgosurve kanë qenë një prej vijave të tij të kuqe për përdorimin e forcës ushtarake.