Botë

Gjermania heq kufizimet në eksportet e pajisjeve ushtarake në Izrael

Friedrich Merz

Foto: Associated Press

Qeveria gjermane ka njoftuar të hënën se po heq kufizimet e saj për eksportet e pajisjeve ushtarake në Izrael, disa javë pas hyrjes në fuqi të armëpushimit midis Izraelit dhe grupit militant Hamas.

Kancelari Friedrich Merz, ka deklaruar në fillim të gushtit se Berlini nuk do të autorizonte asnjë eksport të pajisjeve ushtarake në Izrael që mund të përdoren në Gazë "deri në njoftim të mëtejshëm".

Kjo ishte një përgjigje ndaj një vendimi të kabinetit izraelit për të marrë kontrollin e Qytetit të Gazës.

Por zëdhënësi i Merzit, Sebastian Hille, ka thënë të hënën se kufizimet do të hiqen nga 24 nëntori.

"Që nga 10 tetori, kemi pasur një armëpushim në Gazë dhe ai është stabilizuar në thelb”, u ka thënë Hille gazetarëve në një konferencë të rregullt për shtyp të qeverisë. 

"Ne presim që të gjithë t'i përmbahen marrëveshjeve të arritura - që përfshin mbajtjen e armëpushimit, që përfshin ndihmën humanitare që ofrohet në shkallë të gjerë dhe procesin që vazhdon të ecë në mënyrë të rregullt, siç është rënë dakord”, ka shtuar ai.

Hille nuk pranoi të komentojë nëse kishte pasur kërkesa izraelite për pajisje në periudhën që nga vendosja e kufizimeve, apo nëse diçka nuk ishte eksportuar.

Pasi të hiqen kufizimet, Gjermania do të shqyrtojë eksportet ushtarake rast pas rasti, siç është praktika e saj standarde me eksporte të tilla, ka thënë Hille.

Vendimi i Merzit në gusht ishte një veprim i jashtëzakonshëm nga një vend që është një aleat veçanërisht i fortë i Izraelit.

Ministri i Jashtëm izraelit e përshëndeti heqjen e kufizimeve të hënën në një postim në rrjetin social X.

"U bëj thirrje qeverive të tjera të miratojnë vendime të ngjashme, duke ndjekur Gjermaninë", ka shkruar Gideon Saar.