Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Fshati i fshehur disa metra nga Koreja e Veriut

Ndryshe nga emri, rripi që e ndan Korenë Veriore dhe Jugore është një nga zonat më të militarizuara në tokë. E rrethuar nga tela me gjemba dhe e shtruar me mina, mijëra raketa shënjestërojnë nga të dy drejtimet. Ky rrip ishte krijuar në vitin 1953, pas Luftës Koreane, për të ndarë dy ushtritë. Qindra fshatra u rrafshuan, duke i detyruar mijëra njerëz të zhvendosen nga shtëpitë e tyre. Por, dy fshatra u lejuan të mbesin – fshati i Lirisë, në jug të vijës së armëpushimit dhe fshati i Paqes në veri.

(BBC) - Historia e Gyung-hosë dhe Mi-sunit është histori klasike e dashurisë.

Ata u takuan në një festë dhe menjëherë e ndjenë shkëndijën. Ata ranë shpejt në dashuri dhe Gyung-hoja i kërkoi Mi-sunit të jetonte me të.

Por, këtu kishte një problem. Gyung-hoja jeton në fshatin e vetëm të Koresë Jugore në Zonën e Demilitarizuar (DMZ), disa metra larg kufirit me Korenë Veriore. Babai i Mi-sunit ishte i tmerruar. Ai ishte aq i shqetësuar saqë nuk mund të vinte gjumë në sy pasi i vizitoi herën e parë.

“Por, në të vërtetë gjëja më e vështirë e të jetuarit këtu është pamundësia për të porositur pulë të pjekur”, ka bërë shaka Mi-suni.

Kjo dhe shtetrrethimi i rreptë gjatë natës.

Ndryshe nga emri, rripi që ndan Korenë Veriore dhe Jugore është një nga zonat më të militarizuara në tokë. E rrethuar nga tela me gjemba dhe e shtruar me mina, mijëra raketa shënjestërojnë nga të dyja drejtimet.

Ky rrip ishte krijuar në vitin 1953, pas Luftës Koreane, për të ndarë dy ushtritë. Qindra fshatra u rrafshuan, duke i detyruar mijëra njerëz të zhvendosen nga shtëpitë e tyre.

Por, dy fshatra u lejuan të mbesin – fshati i Lirisë, në jug të vijës së armëpushimit dhe fshati i Paqes në veri.

Këto dy pika të vogla të shpresës supozoheshin të sinjalizonin se Zona e Demilitarizuar ishte e përkohshme dhe se një ditë Koreja do të ribashkohej. Por, pas 70 vjetësh, shpresa e ribashkimit duket e vogël dhe numri i popullsisë së fshatit po pakësohet, teksa të moshuarit vdesin dhe të rinjtë largohen. Kjo e bën Gyung-honë dhe Mi-sunin, me dy fëmijët e tyre, të pazakontë.

Jetesa në pragun më armiqësor të botës mbart rreziqe të mëdha. Mi-sunit i kujtohet dita e vitit të kaluar, kur ushtari amerikan, Travis King, kaloi kufirin nga Koreja Jugore në atë Veriore, gjatë një turi në DMZ. Fëmijët e saj u dërguan menjëherë në shtëpi nga shkolla dhe banorët u vendosën në izolim.

“Gjëra të tilla ndodhin çdo disa vjet dhe më kujton se jetoj në këtë lloj fshati”, ka thënë Mi-suni.

Për të arritur fshatin e Lirisë, i njohur në gjuhën koreane si Taesung, duhet të kalosh disa pika kontrolli. Nga aty shkon për në veri, përgjatë rreshtave të tankeve të blinduara, derisa pamja hapet duke zbuluar një duzinë me fusha të orizit dhe një grup të vogël me shtëpi.

Nuk ka restorante, objekte mjekësore, e as dyqane dhe fshatarët, shumica prej tyre të moshave 80 dhe 90-vjeçare, jetojnë nën mbrojtjen e më shumë se 800 ushtarëve.

Në një oborr të qetë, gjendet një grua e moshuar e cila përzien xhelatinë lajthie të bërë në shtëpi, me shpinë të kërrusur pasi me dekada është marrë me bujqësi.

Kim Dong-rae u lind në këtë vend vite para se lufta të vendoste fatin e pazakontë të kësaj toke.

Ajo kujton plumbat që fluturonin afër dritareve të saja natën, teksa fshati ishte zënë në mes të një zjarri.

“Mos më bëni të filloj të flas për atë luftë të tmerrshme”, tha ajo.

85-vjeçarja kishte humbur burrin në moshë të re, pasi ai ishte qëlluar në stomak nga një ushtar veri-korean. Po ashtu, dy nga gjashtë fëmijët e saj kanë vdekur.

Rritja e fëmijëve të saj e vetme, në një gjendje të përhershme gatishmërie, ishte stresuese dhe e bënte të ndihej e vetmuar, tha ajo, por jeta filloi të bëhej më e lehtë teksa kalonin vitet. Në fillim kishte vetëm një autobus që të nxirrte nga Zona e Demilitarizuar, që nënkuptonte se kur ajo dilte në fundjavë për të pirë dhe për të kërcyer, ajo bllokohej jashtë zonës deri të premten e ardhshme.

Por, tani ka tre autobusë në ditë dhe me ditët e festave të lëna pas, ajo del jashtë zonës vetëm njëherë në dy muaj për të rregulluar flokët.

“Do të doja të shkoja t’i rregulloja më shpesh, por është lodhëse”, tha ajo.

Njëherë, teksa mblidhte lajthia për të bërë xhelatinën e saj, Kim Dong-rae vërejti disa ushtarë të Koresë së Veriut në pjesën jugore të kufirit. E frikësuar, ajo bërtiti dhe vrapoi dhe me arsye të fortë.

Në vitin 1997, shoqja e saj Hong u kidnapua nga veri-koreanët, pasi ishte duke ndenjur mbi kufirin teksa mblidhte lajthia dhe u mbajt peng për tri ditë.

Tani Kim shoqërohet nga ushtarët e armatosur në shumicën e daljeve të saja, që do të thotë se ajo shqetësohet më pak.

“Ne dhe veri-koreanët, jetojmë me shpinën e kthyer kah njëri-tjetri”, ka thënë ajo.

Fshati i Koresë së Jugut i siguruar nga Komanda e OKB-së

Fshati është i udhëhequr nga Komanda e Organizatës së Kombeve të Bashkuara – një ushtri e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që përfshin ushtarë nga më shumë se një duzinë vendesh. Forca është përgjegjëse për sigurimin e armëpushimit. Nuk ka pasur kurrë një marrëveshje paqeje mes Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut dhe banorët e Taesungut gjenden në vijën e frontit në tensionin mes këtyre dy vendeve.

Në nëntor, të dyja palët riarmatosën trupat e tyre brenda zonës DMZ, pasi marrëveshja e mbajtjes së paqes u thye. Pastaj, në fillim të këtij viti, lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un e quajti Korenë e Jugut armikun e saj kryesor dhe deklaroi se ribashkimi paqësor i të dyja vendeve ishte bërë i pamundshëm.

“Fshati nuk është i rrezikshëm, por rreziku është shumë i madh”, tha nënkoloneli amerikan Chris Mercado, i cili udhëheq batalionin elitar të ushtarëve që ruan sigurinë e fshatit. “Nuk ka vend si ky në botë”.

Ushtarët e Mercados patrullojnë ditë e natë. Ata madje edhe shoqërojnë banorët gjatë punëve bujqësore.

Një familje veri-koreane vetëm sa ka ikur dhe ka kaluar në Korenë e Jugut nëpërmjet detit. Trupat kufitare në Veri janë në gatishmëri gjithmonë. Kjo tregon për jetën e paparashikueshme në Zonë e Demilitarizuar.

Image

Ndërsa një banor mbledh oriz, dy ushtarë me automatikë përkujdesen për sigurinë e tij. Ata kanë veshje kamuflazhi dhe shikojnë çdo lëvizje që bëhet në veri.

Nuk ka as gardhe ose barriera që e ndajnë fshatin nga Koreja e Veriut. Vetëm një shenjë e ndryshkur që shënjon vijën e padukshme kufitare, së bashku me pemë dhe shkurre. Kur ndalon zhurma e plugut të banorit, mund të dëgjohen ushtarët teksa këndojnë në zonën veriore.

“Më thyhet zemra sa herë vij këtu”, tha kryebashkiaku i Taesungut, Kim Dong-gu. “Ne jemi të njëjtë dhe prapëseprapë nuk mund të flasim me njëri-tjetrin, por vetëm të shikohemi nga larg”.

Gjatë ditës, vetëm zhurma e traktorëve ose e qenve që lehin e “shpojnë” qetësinë.

Kim Dong shpesh shqetësohet për sigurinë e fshatarëve.

“Mund t’ju duket paqësore”, tha ai. “Por ekziston një frikë e padukshme, një frikë e lindur”.

Teksa bie nata, banorët zhduken në shtëpitë e tyre. Atyre iu duhet leje për të dalë pas orës 7 pasdite dhe nuk lejohen jashtë shtëpisë pas mesnatës. Ushtarët vazhdojnë detyrën e tyre gjatë natës, duke trokitur derë pas dere, por kjo është vetëm formalitet. Rrejti i kamerave të sigurisë nënkupton se ushtria e di vendndodhjen e te gjithëve.

Përfitimet e të jetuarit në Taesungun

Për të kompensuar këto rregulla dhe rreziqe, fshatarëve u janë ofruar disa përfitime të mëdha për t’i bindur ata për të qëndruar në fshat. Ata nuk paguajnë taksa ose qira dhe izolimi i tyre ekstrem vjen me bollëk tokash bujqësore. Çdo të korrë që ata nuk mund ta shesin, e blen qeveria.

Kjo është marrëveshje mjaft e mirë për Kim Kyung-rae, i cili kapi armët në moshën 16-vjeçare për ta mbrojtur fshatin gjatë luftës.

“Unë mund të them me siguri se ky vend është parajsa në tokë”, tha ai duke buzëqeshur.

87-vjeçari mburret, jo vetëm që është një nga fermerët më të pasur në Gadishullin Korean, por gjithashtu se ka sigurinë e klasit botëror që kujdeset për të.

Por, kjo nuk e ndaloi atë nga instalimi i kamerave të veta të sigurisë, për të skanuar për hajdutët e Koresë së Veriut.

Simbolika e Taesungut duket e humbur për Kimin dhe banorët e tjerë themelues të fshatit. Ata të gjithë thonë se qëndruan këtu nga zakoni dhe nevoja – ky është vendi ku të gjithë ata lindën dhe bujqësia është e vetmja gjë që ata dinë. Por, teksa gjenerata që ka luftuar për këtë tokë është e vendosur të vdesë aty, shumë nga fëmijët e tyre janë zhvendosur nga fshati.

Të gjashta vajzat e Kimit u larguan për të vazhduar edukimin e tyre, për të mos u kthyer më. Me secilën nga largimet e tyre, zemra e tij thyhej gjithnjë e më shumë.

Vajza e tij e tretë, Yoon-kyung e vizitoi atë. Me dashuri ajo hekurosi rrobat e tij dhe ia krehu flokët.

“Teksa rritesha, e ndjeja që ky vend ishte i rrezikshëm, por nuk isha e frikësuar”, tha ajo. “Vetëm se nuk kisha arsye të kthehesha”.

Image

Pas universitetit ajo u takua me burrin e saj, gjeti një punë dhe çifti tani jeton në Seul me fëmijët e tyre. Për shumë vite burrat ishin të lejuar të sillnin partnerët për të jetuar në fshat, por gratë jo, duke i detyruar të largoheshin për dashurinë.

Rregullat janë përditësuar tashmë, por ndoshta shumë vonë. Taesungu, me të gjitha kufizimet e tij, nuk mund të krahasohet më me dritat e ndritshme dhe mundësitë e pafundme të Koresë Jugore moderne. Gjatë dekadës së fundit popullsia ka rënë nga 213 në 138, teksa numri i banorëve të moshuar është dyfishuar.

Ka vetëm 6 nxënës për klasë në shkollën fillore të fshatit, në të cilën ndjekin mësimin fëmijët e Gyung-hosë dhe Mi-sunit dhe shumica e tyre futen me autobusë nga jashtë Zonës së Demilitarizuar.

Djali 10-vjeçar i çiftit duket i pashqetësuar nga rrethi ku po jeton. Ai dëshiron të jetojë në Taesung përgjithmonë, thotë ai, sepse kjo do e përjashtonte atë nga kompletimi i shërbimit ushtarak të detyrueshëm të Koresë së Jugut - një tjetër nga përfitimet e fshatit.

Por, Gyung-hoja dhe Mi-suni janë dorëzuar nga ideja se fëmijët e tyre do të largohen ndonjë ditë. Ata dëshirojnë që fëmijët të udhëtojnë dhe të përjetojnë botën jashtë gardhit me gjemba.

“Ky fshat kërkon që më shumë të rinj të jetojnë këtu”, tha Gyung-hoja, duke shtuar se fshati me shumë gjasë nuk do të ekzistojë në të ardhmen.

Synimi për ta mbajtur fshatin gjallë

Nga kulmi i bashkisë, shihet Koreja e Veriut dhe fshati i Paqes i njohur si Kijong. Mercado tregon me gisht te disa ndërtesa, duke shpjeguar se janë thjesht mure, me dritaret e ngjyrosura sipër. Mendohet se koreano-veriorët e kanë braktisur Kijongun shumë kohë më parë.

Mercado dhe ekipi i tij janë të vendosur të mbajnë Taesungun gjallë dhe mendojnë ide të reja për t’i shtyrë njerëzit të qëndrojnë.

Një opsion është zvogëlimi i numrit të netëve që fshatarët duhet të kalojnë këtu për të ruajtur rezidencën e tyre, nga tetë muaj siç është tashmë.

Mercado ka frikë se nëse e lënë fshatin të zhduket, kjo do të sinjalizonte se Koreja Jugore ka braktisur paqen dhe synimin për ribashkimin.

“Kjo do të qonte një mesazh shumë të fortë se kushtet e armëpushimit nuk janë duke u zbatuar më”, tha ai.

Image

Por teksa vitet kalojnë, ribashkimi duket i pamundur. Jo vetëm që Koreja Veriore braktisi zyrtarisht politikën, por koreano-jugorët nuk besojnë më që ky ribashkim është i nevojshëm, madje disa as nuk e duan. Ndërsa kjo ëndërr zbehet, është duke u bërë më vështirë për t’i bindur njerëzit të jetojnë në vijën e frontit në mes të një konflikti të pazgjidhur.

Kim Dong-rae tha se ky do të jetë viti i fundit që ajo përgatit xhelatinën e lajthisë. Javën e kaluar ajo mori pjesë në funeralin e një shoqeje. Pastaj një shoqe tjetër e telefonoi dhe iu lut të mos dorëzohej.

“Jemi vetëm unë dhe ti tash”, i tha ajo. “Unë po përpiqem të mos dorëzohem. Por në moshën tonë është e vështirë. Unë do të largohem, shumë kohë para fshatit”.

Artikuj të ngjashëm