Për muaj të tërë, BBC-ja ka komunikuar në fshehtësi me tre koreano-veriorë që jetojnë në vend. Ata ekspozojnë, për herë të parë, fatkeqësinë që shpaloset atje që kur qeveria mbylli kufijtë më shumë se tre vjet më parë
Myong Suk është kërrusur mbi telefonin e saj, duke u përpjekur dëshpërimisht të bëjë një shitje tjetër. Si biznesmene mendjemprehtë, ajo shet fshehurazi sasi të vogla të ilaçeve të kontrabanduara për ata që kanë nevojë për to. Ajo është kapur një herë nga forcat e rendit dhe mezi përballoi ryshfetin për të qëndruar jashtë burgut. Ajo nuk mund të përballojë të kapet përsëri. Por në çdo moment mund të ketë një trokitje në derë. Nuk është vetëm policia që i frikësohet, por edhe fqinjët e saj. Tani nuk ka pothuajse askënd që mund t'i besojë. Kështu nuk ka qenë dikur. Biznesi i Myong Sukut dikur ishte i suksesshëm.
Por më 27 janar 2020, Koreja e Veriut mbylli kufirin e saj në përgjigje të pandemisë, duke ndaluar jo vetëm njerëzit, por edhe ushqimet e mallrat që të hyjnë në vend. Qytetarët e saj, të cilëve tashmë u ishte ndaluar të largoheshin, janë kufizuar në qytetet e tyre. Punonjësit e ndihmës dhe diplomatët kanë paketuar gjërat dhe janë larguar. Rojat janë nën urdhër të qëllojnë këdo që i afrohet kufirit. Vendi më i izoluar në botë është kthyer në një vrimë të zezë informacioni.
Nën sundimin tiranik të Kim Jong Un, koreano-veriorëve u ndalohet të krijojnë kontakte me botën e jashtme. Me ndihmën e organizatës Daily NK, e cila operon me një rrjet burimesh brenda vendit, BBC-ja ka arritur të komunikojë me tre njerëz të zakonshëm. Ata janë të etur për t'i treguar botës gjendjen katastrofike që mbyllja e kufijve ka shkaktuar në jetën e tyre. Ata e kuptojnë se nëse qeveria zbulon se po flasin me ne, ka të ngjarë të vriten. Për t'i mbrojtur ata, ne mund të zbulojmë vetëm disa nga ato që na kanë thënë, megjithatë përvojat e tyre ofrojnë një pamje ekskluzive të situatës që shpaloset brenda Koresë së Veriut.
"Situata jonë me ushqimin nuk ka qenë kurrë kaq e keqe", na thotë Myong Suk.
Ashtu si shumica e grave në Korenë e Veriut, ajo mban familjen. Pagat e pakta që burrat fitojnë në punët e tyre të detyrueshme shtetërore janë të pavlefshme, duke i detyruar gratë e tyre të gjejnë mënyra krijuese për të siguruar jetesën.
Pendimi i madh
Përpara mbylljes së kufirit, Myong Suk-u siguronte ilaçe shumë të nevojshme, përfshirë antibiotikët, që kontrabandoheshin nga Kina, e të cilët ajo i shiste në tregun e saj lokal. Ajo duhej të korruptonte rojat kufitare, duke humbur kështu më shumë se gjysmën e fitimeve të saj, por ajo e pranoi këtë si pjesë të lojës. Kjo e lejoi atë të bënte një jetë të rehatshme në qytetin e saj në veri të vendit përgjatë kufirit të gjerë me Kinën.
Përgjegjësia për të mbajtur familjen e saj i ka shkaktuar gjithmonë njëfarë stresi, por tani veçse po e konsumon të gjithën. Është bërë pothuajse e pamundur të gjesh produkte për të shitur.
Një herë, e dëshpëruar, ajo tentoi të kontrabandonte vetë ilaçet, por u kap dhe tani është nën monitorim të vazhdueshëm. Ajo ka provuar të shesë ilaçe të Koresë së Veriut, por edhe kjo është bërë e vështirë këto ditë, që do të thotë se të ardhurat e saj janë përgjysmuar.
Tani, kur burri dhe fëmijët e saj zgjohen, ajo përgatit një mëngjes me misër. Kanë ikur ditët kur mund të hanin oriz. Fqinjët e saj të uritur kanë filluar të trokasin në derë duke kërkuar ushqim, por ajo duhet t'i kthejë mbrapsht.
"Ne po luftojmë për mbijetesë", thotë ajo.
Në një qytet tjetër, diku afër kufirit Chan Ho, punëtor ndërtimi, është tejet i zhgënjyer. "Dua që njerëzit ta dinë se jam penduar që kam lindur në këtë vend", shprehet ai.
Ai është zgjuar sërish herët për të ndihmuar gruan e tij të shkojë në treg, përpara se ai të niset në kantierin e ndërtimit. Ai i bart me kujdes produktet dhe i ngarkon në tezgën e gruas së tij, plotësisht i vetëdijshëm se biznesi i saj është e vetmja arsye që ai është ende gjallë. Të ardhurat që ai fiton në ditë – ekuivalenti i 4 dollarëve – nuk mjaftojnë më për të blerë as një kilogram oriz, dhe ka kaluar shumë kohë që kur familja e tij ka marrë racione ushqimore nga qeveria, sa ai i ka harruar ato.

T’i dorëzohesh urisë
Tregjet, ku shumica e koreano-veriorëve blejnë ushqimin e tyre, tani janë pothuajse bosh, thotë ai, dhe çmimi i orizit, misrit dhe erëzave është rritur shumë.
Për shkak se Koreja e Veriut nuk prodhon ushqim të mjaftueshëm për të ngopur popullin e saj, ajo mbështetet në importet. Me mbylljen e kufirit, qeveria ndërpreu furnizimet jetike të ushqimit, së bashku me plehrat artificiale dhe makineritë e nevojshme për kujdesjen e të mbjellave.
Në fillim Chan Ho kishte frikë se mund të vdiste nga Covidi, por me kalimin e kohës, ai filloi të shqetësohej për vdekjen nga uria, veçanërisht kur shikonte ata që e rrethonin teksa vdisnin.
Familja e parë në fshatin e tij që iu dorëzua urisë ishin një nënë dhe fëmijët e saj. Ajo ishte shumë e sëmurë për të punuar. Fëmijët e mbajtën gjallë për aq kohë sa mundën duke lypur ushqim, por në fund të tre vdiqën. Më pas një nënë tjetër u dënua me punë të rëndë për shkelje të rregullave të karantinës. Ajo dhe djali i saj vdiqën nga uria.
Qindra kilometra larg, në kryeqytetin e begatë, Penjan, ku blloqet e kullave shtrihen përgjatë lumit të qytetit, Ji Yeon shkon me metro për në punë. Ajo është e rraskapitur, pas një nate pa gjumë, të ngjashme si netët e tjera.
Ajo mban dy fëmijët dhe burrin e saj, me pak qindarkat që fiton duke punuar në një dyqan ushqimesh.
Ajo vidhte fruta dhe perime nga dyqani për t'i shitur në treg, krahas cigareve që i shoqi merrte si ryshfet nga kolegët e tij. Me paratë ajo blinte oriz. Tani çantat e saj kontrollohen kur ajo largohet nga puna dhe burri i saj nuk merr më ryshfet.
Ji Yeon tani e kalon ditën duke pretenduar se ka ngrënë tri vakte, derisa në të vërtetë ka ngrënë një. Ajo mund të durojë urinë. Është më mirë sesa ta dinë njerëzit se ajo është e varfër.
Puljuk – sinonim i zisë së bukës
Ajo është e përhumbur nga java kur u detyrua të hante puljuk - një pure perimesh, bimësh dhe bari, e bluar në formë qulli. Vakti është sinonim i kohës më të zymtë në historinë e Koresë së Veriut – zisë së bukës që shkatërroi vendin në vitet 1990, duke lënë të vdekur deri në tre milionë njerëz.
Së fundmi ajo ka qëndruar dy ditë pa ushqim.
“Mendova se do të vdisja në gjumë dhe nuk do të zgjohesha në mëngjes”, thotë ajo.
Pavarësisht nga vështirësitë e saj, Ji Yeon kujdeset për ata që janë më keq. Tani ka më shumë lypës dhe ajo ndalon për të kontrolluar ata që janë shtrirë, por zakonisht i gjen të vdekur. Një ditë ajo trokiti në derën e fqinjit të saj për t'i dhënë ujë, por nuk kishte përgjigje. Kur autoritetet hynë brenda tri ditë më vonë, ata zbuluan se e gjithë familja kishte vdekur nga uria.
Së fundmi ajo ka dëgjuar se njerëzit po vrasin veten në shtëpi, ndërsa të tjerë zhduken në male për të vdekur. Ajo e vuan mentalitetin e pamëshirshëm që ka mbuluar qytetin.
“Edhe nëse vdesin fqinjët tuaj, ju mendoni vetëm për veten tuaj. Është e pashpirt”.
Për muaj të tërë, thashethemet kanë qarkulluar se njerëzit po vdesin nga uria, duke shkaktuar frikën se Koreja e Veriut mund të jetë në prag të një krize urie tjetër. Ekonomisti Peter Ward, i cili studion Korenë e Veriut, i përshkruan këto rrëfime si "shumë shqetësuese".
Dikur kapitalistë, sot të uritur
Zia e Koresë së Veriut shënoi një pikë kthese në historinë relativisht të shkurtër të vendit, duke shkaktuar një dobësim në rendin e ashpër shoqëror. Shteti, i paaftë për të ushqyer njerëzit, u dha atyre copëza lirie për të bërë atë që u nevojitej për të mbijetuar. Mijëra u larguan nga vendi dhe gjetën strehim në Korenë e Jugut, Evropë ose Shtetet e Bashkuara.
Ndërkohë, tregjet private lulëzuan, pasi gratë filluan të shesin gjithçka, nga soja, te rrobat e përdorura dhe pajisjet elektronike kineze. Lindi një ekonomi informale dhe bashkë me të një brez i tërë koreano-veriorësh që kanë mësuar të jetojnë me pak ndihmë nga shteti – kapitalistë që lulëzojnë në një vend represiv komunist.
Ndërsa tregu zbrazet, Myong Suk-u numëron fitimin e saj të reduktuar. Pandemia, beson ajo, thjesht u ka dhënë autoriteteve justifikimin për të rikthyer kontrollin mbi jetën e njerëzve.
Chan Ho, punëtori i ndërtimit, është gjithashtu pranë humnerës. Kjo është periudha më e vështirë që ai ka jetuar ndonjëherë. Zia e bukës ishte e vështirë, thotë ai, por nuk pati këto masa dhe ndëshkime të ashpra.
"Ne kemi ngecur këtu, duke pritur vdekjen”.
Pasi përgatit dhe ha darkën e saj të varfër, Ji Yeon lan enët dhe pastron shtëpinë edhe një herë. Ajo fle herët, duke shpresuar që do të pushojë më mirë gjatë natës. Ajo ndoshta do të arrijë të flejë më shumë se Chan Ho, i cili shpesh duhet të kalojë natën në kantierin e ndërtimit.
Përktheu: Forca Jashari