Gjykata Themelore në Pejë ka njoftuar se e ka refuzuar pjesërisht si të pabazuar kërkesëpadinë për shpifje e parashtruar nga ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi kundër të deputetit Veton Berisha.
“Gjykata po ashtu ka hedhur pjesërisht kërkesëpadinë si të palejuar (pasafatshme) për disa nga deklaratat e pretenduara, ndërsa ka obliguar paditësin që të paditurit t’i kompensojë shpenzimet e procedurës kontestimore në shumën prej 374 euro, në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit, nën kërcënimin e përmbarimit me detyrim”, thuhet në njoftim.
Kundër këtij Aktgjykimi, thuhet se palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të tij.
Në njoftimin e Gjykatës nuk janë dhënë detaje për çfarë rasti bëhet fjalë.
I kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi“, Krasniqi ka theksuar se nuk ka informacion lidhur me vendimin dhe se ende nuk e di se për cilën padi bëhet fjalë, ngase ka parashtruar dy padi ndaj Berishës.
Edhe deputeti Berisha ka theksuar se nuk është njoftuar për vendimin. Por, ka thënë se rasti ka të bëjë me deklaratat rreth rritjes së çmimit të rrymës.