Showbiz

Vizita e papritur e Angelina Joliet në Ukrainë shoqërohet me një incident të pazakontë

Angelina Jolie

Angelina Jolie

Foto: Associated Press

Aktorja Angelina Jolie ka befasuar opinionin me një vizitë të paparalajmëruar në Ukrainë, e cila u shoqërua me një situatë të papritur.

Mediat ndërkombëtare raportojnë se një prej personave që e shoqëronin gjatë udhëtimit është rekrutuar papritur nga ushtria ukrainase.

Sipas POLITICO, Jolie, në cilësinë e ambasadores së UNICEF-it, udhëtoi drejt qytetit të Khersonit, në vijën e parë të frontit të mbrojtjes ndaj Rusisë. Kjo ishte hera e dytë që ajo viziton Ukrainën pas pushtimit të plotë rus në vitin 2022; vizita e parë kishte qenë në qytetin e Lvivit.

“Një anëtar i grupit që udhëtonte me Jolie, është përfshirë në një incident me rekrutuesit lokalë ushtarakë në një pikë kontrolli”, ka thënë për POLITICON një zyrtar i lartë ukrainas.

Ai ka shtuar se autoritetet ukrainase “ende po përpiqen të kuptojnë saktësisht se çfarë ka ndodhur”, duke theksuar gjithashtu se Jolie nuk kishte njoftuar paraprakisht qeverinë për vizitën dhe “kishte hyrë në vend në këmbë”.

Ndërkohë, Forcat Tokësore të Ushtrisë Ukrainase publikuan një deklaratë me katër paragrafë ku jepnin detaje për incidentin, duke përfshirë pretendimin se personi i rekrutuar ishte shoferi i Jolies.

Megjithatë, deklarata u fshi më vonë dhe përfaqësuesit e ushtrisë i thanë POLITICOS se “as nuk mund ta konfirmonin e as ta mohonin” ngjarjen.

“Informacionet që po qarkullojnë në media janë të shtrembëruara. Hetimet janë në zhvillim dhe po sqarohen të gjitha rrethanat”, thuhej në reagimin e tyre.

Zyra rajonale e rekrutimit ushtarak në Mykolaiv e konfirmoi incidentin për POLITICO, duke theksuar se “shoferi i Jolies ishte rezervist ushtarak dhe iu urdhërua të paraqitej për stërvitje ushtarake të përsëritur”.

Ende nuk dihet nëse ai është dërguar menjëherë në trajnim apo do të paraqitet më vonë.

Përfaqësuesi i aktores ka refuzuar të komentojë rastin.

Ndërkohë, portali lokal Nikvesti ka publikuar një video që tregon Jolien në rajonin e Mykolaivit, ndërsa në rrjetet sociale po qarkullojnë komente e spekulime të shumta për incidentin.