Protesta janë duke u zhvilluar në disa qytete të Ukrainës kundër vendimit të papritur të presidentit, Volodymyr Zelensky, për të shkarkuar ministrin e njohur të Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov.
Në Kiev, një turmë protestuesish, kryesisht të rinj, janë mbledhur duke mbajtur pankarta me mbishkrimet "Larg duart nga Fedorov" dhe "Ndalni sabotimin e fitores!", ndërsa brohorisnin "Turp!".
Zelensky ende nuk ka dhënë një shpjegim për vendimin e tij, i cili ka shkaktuar pakënaqësi të madhe mes analistëve, ushtrisë dhe një pjese të shoqërisë civile.
Fedorov, 35 vjeç, ishte emëruar ministër këtë janar, por i atribuohet merita për ringjalljen e ministrisë.
Ai ka udhëhequr një fushatë kundër korrupsionit dhe ka përdorur analizën e të dhënave për të vlerësuar dhe përmirësuar performancën e forcave ukrainase në vijën e frontit.
Deputetët pritet të votojnë më vonë gjatë së enjtes për emërimin e Ihor Klymenko, aktualisht ministër i Brendshëm, si pasuesini tij në postin e ministrit të Mbrojtjes.
Disa në Ukrainë e lidhin shkarkimin e Fedorovit me tensionet mes tij dhe komandantit të përgjithshëm të ushtrisë, Oleksandr Syrskyi, i cili konsiderohet më tradicional në qasjen e tij. Të tjerë theksojnë se Fedorov nuk veproi mjaftueshëm shpejt për reformimin e sistemit të mobilizimit ushtarak.
Përpara se t'i bashkohej qeverisë, Mykhailo Fedorov krijoi grupin vullnetar "IT Army of Ukraine".
"Ky është gabimi më i madh që Zelensky ka bërë gjatë gjithë presidencës së tij," i ka thënë BBC-së ushtari ukrainas, Oleksandr.
Ai ka shtuar se ishte regjistruar në ushtri në fillim të këtij viti sepse kishte besim te ekipi dhe vizioni i Fedorovit.
"Nuk njoh askënd që e mbështet vendimin për ta zëvendësuar. As në ushtri dhe as në shoqëri”, ka thënë ai.
"Kam shumë miq në ushtri. Shumë prej tyre kanë humbur jetën. Nuk dua që kjo të vazhdojë më”, i ka thënë BBC-së 31-vjeçarja Maria Lavrynets, gjatë një proteste në sheshin Ivan Franko në qendër të Kievit.
"Ne i shohim rezultatet e Fedorovit. E shohim motivimin e ushtarëve dhe duhet t'i mbështesim ata”, ka shtuar ajo.
Kur kishte marrë detyrën, Fedorov kishte nisur një proces ristrukturimi të ministrisë së Mbrojtjes, e cila nga shumë ukrainas shihet si tepër e ngarkuar me burokraci dhe me mentalitet të trashëguar nga epoka sovjetike.
Ish-ministër i Transformimit Digjital, ai ishte aktiv që në ditët e para të pushtimit të plotë rus në vitin 2022, duke krijuar grupin vullnetar "IT Army of Ukraine", i cili zhvillonte sulme kibernetike kundër objektivave ruse.
Më vonë, ai udhëhoqi një fushatë të suksesshme për mbledhjen e fondeve, të quajtur "Army of Drones" (Ushtria e Dronëve).
Ministri i shkarkuar nga Zelensky flet për tensionet mes tij dhe komandantit të përgjithshëm të ushtrisë
Ministri në largim i Mbrojtjes i Ukrainës, Mykhailo Fedorov, ka folur të enjten në Kiev për marrëdhënien e tensionuar që kishte me komandantin e përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, gjeneralin Oleksandr Syrskyi.
Ai i ka bërë këto komente pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, vendosi ta shkarkojë nga posti, ndërsa parlamenti emëroi një kryeministër të ri në kuadër të një riorganizimi të gjerë të qeverisë.
Ky ndryshim në kabinet mund të shndërrohet në një provë të autoritetit politik të Zelenskyt, në një kohë kur lufta e Ukrainës kundër pushtimit të plotë rus po i afrohet katër vjetëve e gjysmë.
Zelensky ka qëndruar në detyrë nën gjendjen e luftës, pasi mbajtja e zgjedhjeve gjatë luftës është e ndaluar me ligj. Gjatë kësaj periudhe ai ka bërë herë pas here ndryshime në përbërjen e qeverisë.
Fedorov ka folur për problemet me të cilat përballet ushtria ukrainase dhe më pas u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
Duke komentuar marrëdhënien e tij me Syrskyin, Fedorov ka thënë se komandanti i përgjithshëm "nuk është i gatshëm të flasë hapur për problemet ballë për ballë."
"Kjo bëri që ai, në fakt, të vendoste një ultimatum, siç e dimë të gjithë. Dhe në vend që të merrej me mënyrën se si të mposhte Rusinë, që është detyra e komandantit të përgjithshëm, ai u mor me ndarjen e vendit në situatën ku ndodhemi sot. Ky është një problem i madh”, ka deklaruar Fedorov.
Sipas disa zyrtarëve perëndimorë që janë në dijeni të marrëdhënies mes tyre, si dhe ligjvënësve ukrainas, tensionet midis Fedorovit dhe Syrskyit ishin të dukshme që nga momenti kur Fedorov mori detyrën si ministër i Mbrojtjes.
Ata i përshkruajnë të dy si përfaqësues të dy qasjeve thelbësisht të ndryshme.
Fedorov, 35 vjeç, ish-ministër i Transformimit Digjital, promovonte një vizion të bazuar në teknologji, analiza të të dhënave, përdorimin e dronëve dhe inovacionin e shpejtë. Ai argumentonte se Ukraina mund të kompensonte epërsinë ushtarake të Rusisë përmes metodave asimetrike.
Ai konsiderohet një reformator, ndërsa ekspertiza e tij teknologjike vlerësohet se ka kontribuar pjesërisht në përmirësimin e ndjeshëm të performancës së ushtrisë ukrainase gjatë muajve të fundit në luftën kundër forcave shumë më të mëdha ruse.
Megjithatë, ai po largohet nga qeveria vetëm gjashtë muaj pasi mori detyrën.
Syrskyi, 60 vjeç, vlerësohet për organizimin fillestar të mbrojtjes së Kievit në shkurt të vitit 2022 dhe, shtatë muaj më vonë, për drejtimin e kundërofensivës së suksesshme ukrainase në rajonin e Kharkivit.
Ai ka lindur në vitin 1965 në Bashkimin Sovjetik, ka studiuar në Shkollën e Lartë Ushtarake të Komandës në Moskë dhe më pas ka shërbyer në Korpusin e Artilerisë së Ushtrisë Sovjetike.
Ndërkohë, dhjetëra protestues u mblodhën të enjten në qendër të Kievit për të dënuar vendimin e presidentit Zelensky për shkarkimin e Mykhailo Fedorovit.