Botë

Fshati “Mos u brengos”: Të rinjtë koreano-jugorë që lanë Seulin në kërkim të qetësisë

Fshati “Mos u brengos”: Të rinjtë koreano-jugorë që lanë Seulin në kërkim të qetësisë

Të zhgënjyer nga jeta në Seul, ku duhet të punosh vetëm për të mbijetuar, një grup të rinjsh nga Koreja e Jugut kanë gjetur strehë në një fshat rural të quajtur “Mos u brengos”.

Në vitin 2018, kur Kim Ji-ung jetonte në kryeqytetin e Koresë së Jugut, Seul, ai ndihej gjithmonë i vetmuar. Beqar dhe në fillim të të tridhjetave, Kim punonte si shitës dhe kalonte shumicën e ditës në punë ose i mbyllur në apartamentin e tij.

“Gjatë rrugës për në punë në mëngjes, më shkonin mendimet tek vdekja”, i tha Kim Al Jazeera-s.

“Gjëja më e vështirë ishte që nuk kisha me kë të flisja. Pas punës rrija vetëm në shtëpi, duke kaluar kanalet në televizor ose duke luajtur lojëra elektronike”, tha ai.

Duke mos arritur të krijonte lidhje me kolegët në punë, Kim ndihej gjithnjë e më i dëshpëruar dhe i izoluar. Pastaj një mik i afërt i tij u rrëzua dhe vdiq në vendin e punës.

“Atëherë fillova vërtet të mendoja: ‘Mos jam unë i radhës?’” tha ai.

Në atë moment, Kim mori një nga vendimet më të vështira të jetës së tij - të linte gjithçka dhe të largohej nga Seuli, një qytet me 9.6 milionë banorë që ia ofronte mundësinë më të mirë për karrierë dhe një rrogë të qëndrueshme.

Popullsia e kryeqytetit, që arriti kulmin në vitin 1992 me 10.97 milionë banorë, ka filluar të bjerë në mënyrë të qëndrueshme gjatë dekadave të fundit, duke ngritur shqetësime tek autoritetet. Numri i banorëve të moshës 19 deri në 39 vjeç ka rënë gjithashtu, nga 3.18 milionë në vitin 2016 në 2.86 milionë në vitin 2023.

Edhe pse Seuli vazhdon të tërheqë njerëz për shkak të punëve me paga të larta në korporata, statistikat tregojnë se qyteti nuk po arrin t’i mbajë të rinjtë. Gjatë dhjetë vjetëve të fundit, pothuajse po aq të rinj janë larguar nga qyteti sa ata që janë shpërngulur atje.

“Ferri Joseon”

Ky trend vjen pavarësisht se kryeqyteti i Koresë së Jugut është kthyer në një qendër teknologjike dhe kulturore që shpesh renditet ndër qytetet më emocionuese në botë për turistët ndërkombëtarë.

Kompani gjigante si LG, Hyundai Motors dhe SK Group punësojnë mijëra të rinj në zyrat e tyre në qendër të qytetit. Distrikti ultramodern i Gangnamit organizon një nga panairet më të njohura të artit në botë, Frieze Seoul, dhe industria e kozmetikës, bukurisë, kulturës pop dhe kuzhinës koreane është e famshme në mbarë botën.

Jeta e gjallë në baret, restorantet dhe klubet në lagjet “Hongdae” dhe “Seongsu” tërheq turistë të huaj çdo ditë të javës.

Por të rinjtë në Seul - të zhgënjyer nga kriza e çmimeve të larta të banesave dhe një kulturë pune shumë konkurruese me orare të gjata dhe paga të ulëta, e kanë quajtur këtë mënyrë jetese “Ferri Joseon”. Ky term i referohet mbretërisë së lashtë Joseon, që dikur ndodhej aty ku është sot Seuli.

“Shoqëria jonë është e njohur për vendet e punës që kërkojnë orë të gjata, e që pengojnë karrierat e grave që lindin fëmijë dhe e bëjnë të vështirë për burrat të marrin leje atësie”, tha Yoo Hye-jeong nga Instituti Korean për të Ardhmen e Popullsisë në Gadishullin Korean.

“Kostoja e lartë e strehimit dhe edukimit të fëmijëve në Seul e bën të vështirë ndërtimin e një jete ekonomike të qëndrueshme për familjet”, shtoi ajo, duke përshkruar një mospërputhje mes jetës profesionale dhe asaj familjare në kryeqytet.

Fshati “Mos u brengos”

Për Kimin, mundësia për të ikur nga Seuli erdhi rastësisht, kur pa një reklamë në internet për një program pushimi në fshatin “Mos u brengos”.

Ky fshat ndodhet në Mokpo, një qytet i vogël në jugperëndim të vendit me 210.000 banorë dhe shumë ndërtesa të braktisura. Fshati u krijua nga një tjetër person që ishte larguar nga Seuli - Hong Dong-woo.

Pasi mbaroi shkollën e mesme në lagjen luksoze Daechi-dong të Seulit, Hong ishte i destinuar të hynte në një universitet të mirë dhe të punonte për një korporatë të madhe, një rrugë klasike drejt majave të shoqërisë koreane.

Por kur mbushi 20 vjeç, ai e kuptoi se jeta në Seul me një punë të paguar mirë nuk ishte ajo që donte tha ai për Al Jazeera. “Nuk doja të isha në zyrë gjithë ditën”.

Kur u regjistrua në universitet për inxhinieri mekanike në Seul, ai bëri të pamendueshmen: u largua nga qyteti.

Ideja për të krijuar “Fshatin Mos u Brengos” i lindi pasi hapi një agjenci udhëtimi dhe takoi qindra të rinj që i rrëfenin historitë e tyre për vetminë dhe vështirësitë në jetën korporative dhe sociale në Seul e ngado.

“Plani ynë për fshatin ishte të krijonim një vend që do të funksiononte si një komunitet - diçka që shumë njerëz në vendin tonë nuk e kanë në jetën e tyre”, tha ai.

“Në një farë mënyre, unë po merresha me dhënien e mbrojtjes për ata njerëz në shoqëri që kishin nevojë për të”.

“Emergjencë kombëtare”

Ekspertët thonë se situata për shumë të rinj në Korenë e Jugut është një “emergjencë kombëtare” që po anashkalohet.

“Në përpjekje për t’u bërë një vend i zhvilluar shumë shpejt, shoqëria jonë harroi të krijojë një rrjet mbështetjeje për të rinjtë”, thotë Kim Seong-a, një studiuese në Institutin Korean për Shëndet dhe Çështje Sociale (KIHASA).

Ajo thotë se një nga pasojat e industrializimit të shpejtë është zhdukja e rolit të familjes, sepse puna është bërë prioritet kryesor në jetën moderne.

Një sondazh i vitit 2021 nga Pew Research Center e mbështet këtë qëndrim. Kur u pyetën njerëzit nga 17 vende të zhvilluara: “Çfarë e bën jetën kuptimplotë?”, shumica nga 14 vende (përfshirë Japoninë, SHBA-në dh e Zelandën e Re) u përgjigjën “familja”. Por në Korenë e Jugut, përgjigjja më e zakonshme ishte “mirëqenia materiale”, ndërsa familja u rendit e treta.

Kim thotë se tani në Korenë e Jugut, “paratë janë më të rëndësishme se njerëzit”.

“Aktualisht kemi përmirësime të mëdha në GDP, jetëgjatësinë dhe fusha që mund të ndryshohen me politika shtetërore”, tha ajo. “Por faktorë si besimi te njerëzit, besimi në shoqëri dhe ndihmesa ndaj të tjerëve nuk janë zhvilluar aq sa duhet”.

Në sondazhet për kënaqësinë nga jeta, Koreja e Jugut renditet e 33-ta nga 38 vende të OECD-së, me një mesatare prej 6.4 nga 10 pikë në vitin 2023. Ajo gjithashtu ka numrin më të lartë të vetëvrasjeve nga të gjitha vendet e OECD-së, me 24.3 vetëvrasje për çdo 100.000 banorë. Për krahasim, Lituania është në vendin e dytë me 18.5 për 100.000 banorë.

Në vitin 2024, ky numër u rrit edhe më shumë, duke arritur në 28.3 vetëvrasje për 100.000 persona - niveli më i lartë në 13 vjet.

Të rinjtë përbëjnë një pjesë të madhe të këtyre rasteve. Nga 14.439 vetëvrasje të raportuara vitin e kaluar, 13.4% ishin njerëz në të 30-at e tyre.

“Në vendin tonë, ka shumë të rinj që përballen vetë me rreziqe sociale si dështimi për të gjetur punë, vështirësi në shkollë apo probleme familjare”, thotë Kim Seong-a.

“Shumë prej tyre janë të vetmuar, dhe rrezikojnë të izolohen. U duhet dikush pranë me të cilin të flasin apo të kërkojnë ndihmë kur përjetojnë ndonjë krizë,” shton ajo.

Por të dhënat tregojnë se numri i të rinjve që jetojnë vetëm në Seul po rritet. Më shumë se një e treta e popullsisë së qytetit jeton vetëm, dhe 64% e këtyre personave janë të rinj - një rritje nga 51.3% një dekadë më parë.

Një sondazh me 3.000 persona që jetojnë vetëm në Seul, i realizuar nga Instituti i Seulit, zbuloi se 62.1% ndihen të vetmuar vazhdimisht, ndërsa 13.6% ishin krejtësisht të izoluar – pa askënd që t’i ndihmojë në raste të vështira emocionale, shëndetësore apo financiare.

“Seuli pa vetmi”

Qeveria e Koresë së Jugut është shumë e vetëdijshme për problemet që lidhen me vetminë sociale dhe kulturën e rëndë të punës në Seul, dhe vitet e fundit ka ndërmarrë hapa për t’i trajtuar këto çështje.

Vitin e kaluar, ajo nisi planin e quajtur “Seuli pa vetmi”, duke investuar 451.3 miliardë won (rreth 322 milionë dollarë) për një periudhë pesëvjeçare. Ky plan përfshin projekte si një linjë telefonike 24-orëshe për mbështetje emocionale dhe qendra komunitare të quajtura Dyqanet e Zemrës së Seulit, ku njerëzit mund të kërkojnë këshillim dhe të hyjnë lirshëm për të ngrënë një tas ramen falas.

Qeveria po kërkon gjithashtu zgjidhje edhe jashtë kufijve të Seulit.

Një shembull është “Fshati Mos u Brengos” një nga projektet e para për të krijuar komunitete gjithëpërfshirëse jashtë Seulit, që mund të zhvillohen në zona të fokusuara te të rinjtë, duke krijuar shtëpi dhe vende pune për ta, ndërkohë që gjallërohen edhe zonat rurale.

Me mbështetje nga Ministria e Brendshme dhe e Sigurisë, personat që aplikojnë për të jetuar në “Fshatin Mos u Brengos” marrin ndihmë financiare për t’u zhvendosur në qytetin Mokpo dhe marrin pjesë në punëtori që organizohen nga Hong, ku mësojnë aftësi të dobishme për komunitetin dhe krijojnë lidhje me banorët e tjerë.

Kim Ji-ung, një ish-shitës nga Seuli, mori pjesë në një nga këto punëtori në vitin 2018 dhe më vonë u shpërngul atje. Pas zhvendosjes, ai tha se u befasua nga sa e lehtë ishte të krijoje lidhje me njerëzit.

“Qyteti është i vogël, kështu që ka shumë gjasa që të takosh të rinj të tjerë në një mënyrë a tjetër”, tha Kim. “Njerëzit i kërkojnë ndihmë njëri-tjetrit dhe bëhesh shok thjesht duke u përshëndetur”.

Kim punoi në disa vende të ndryshme në Mokpo, deri në vitin 2022, kur më në fund përdori diplomën e tij dhe hapi një kompani të vogël për dizajn të brendshëm. Hong - organizatori i projektit, është fqinj i tij dhe ata shpesh hanë drekë së bashku.

Përveçse po punon me diçka që e pëlqen, Kim thotë se ndryshimi më i madh që ka përjetuar është që tani ka kohë të shijojë jetën.

“Në mbrëmje të rastësishme, thjesht shkoj në port dhe hip në një traget të mesnatës për në ishullin Jeju”, tha ai. “Qëndroj atje vetëm për mëngjes, por janë pikërisht këto gjëra të vogla që më tregojnë se po e kaloj mirë këtu”.

Jeta jashtë Seulit

Edhe jeta e Hong ka ndryshuar shumë.

Kur jetonte në Seul, ai nuk mendonte shumë për martesën. Por sapo u shpërngul në Mokpo, u njoh me gruan që sot është bashkëshortja e tij dhe tani është edhe baba.

“Në Seul individi duhet të sakrifikojë shumë nga jeta e vet për kompanitë, për të fituar para dhe për të kontribuar për shoqërinë”, tha Hong. “Por në Mokpo, unë kam kontroll mbi kohën time. Mund të bëj punën që dua, dhe paratë nuk më duken më aq kërcënuese”.

Dy banorë të tjerë të “Fshatit mos u brengos”, bashkëshortët Park Myung-ho dhe Kim Min-jee, gjithashtu lanë pas karriera të mirëpaguara në Seul për një jetë më të qetë në Mokpo.

Park, 38 vjeç, punonte për një nga kompanitë më të mëdha të armëve në Korenë e Jugut, ndërsa Kim punonte në kompaninë më të madhe të reklamave në vend.

Ata u martuan pasi u njohën në fshat.

“Në Seul ka shumë konkurrencë. Duket sikur vetëm ata që kanë shumë para arrijnë të nisin një biznes,” tha Park. “Si dikush që donte të hapte biznesin e vet, ishte më e logjikshme të kërkoja mundësi jashtë Seulit.”

Sot Park është drejtor i një kompanie ndërtimi lokal, ndërsa Kim drejton një bujtinë në qendër të Mokpos, që u ndërtua nga kompania e burrit të saj.

Kim, 35 vjeçe, solli në jetë një djalë më shumë se një vit më parë – diçka që nuk e kishte menduar se do ndodhte kaq shpejt.

“Të punosh në një kompani të madhe do të thotë pothuajse asnjë kohë në shtëpi, madje edhe fundjavat kalojnë në zyrë. Është pothuajse e pamundur të rrisësh fëmijë në Seul pa ndihmën e prindërve ose shërbimeve të kujdesit për fëmijët. Dhe të gjesh një banesë të përballueshme është edhe më e vështirë,” shtoi ajo.

“Të gjykojnë për gjithçka”

Ndërsa “Fshati Mos u Brengos” është bërë një model për mbi 50 komunitete për të rinjtë që janë krijuar nga qeveria nëpër vend, realiteti i jetesës jashtë Seulit mbetet i vështirë.

Puna, vendet e punës dhe infrastruktura kryesore janë ende të përqendruara në Seul.

Prandaj, edhe pse Hong ka organizuar më shumë se 21 punëtori për persona të interesuar të shpërngulen në fshat dhe ka tërhequr mbi 2,000 vizitorë, vetëm 20 persona kanë qëndruar aty.

Ministria e Brendshme dhe e Sigurisë, e cila ndihmoi në krijimin e këtyre fshatrave për të rinjtë, tha se rreth 10.000 persona kanë marrë pjesë në punëtori në të gjithë vendin, por vetëm rreth 900 janë vendosur realisht në to.

Për shumë të rinj në Korenë e Jugut, një mënyrë për të nisur një kapitull të ri në jetë është të largohen nga vendi.

Brianna Lee është një nga dhjetëra mijëra të rinj që aplikojnë çdo vit për viza pune dhe pushimi, për të jetuar dhe punuar për një kohë të caktuar jashtë vendit.

“Jeta në Korenë e Jugut është thjesht shumë e lodhshme”, thotë Lee, 30 vjeçe.

“Pritet që të gjesh një punë, të martohesh, të blesh shtëpi dhe të kesh një shumë parash në një moshë të caktuar. Dhe të gjykojnë për gjithçka”, shtoi ajo.

Duke punuar si infermiere në Ilsan, një qytet në veri të Seulit, Lee tha se kishte shumë paragjykime brenda spitaleve, ku infermieret shiheshin si më të ulëta në status.

“Përveç ndërrimeve 11-orëshe, na kërkonin të bënim edhe punë që nuk na takonin”, tha ajo.

Pasi u ndie e lodhur emocionalisht, Lee aplikoi për një vizë pune në Kanada, ku punoi në restorante dhe ndoqi kurse të anglishtes për rreth një vit.

Sot ajo është kthyer në shtëpi dhe po përgatitet të japë provimin për t’u bërë infermiere në SHBA.