Botë

Foshnja e gjetur në Londër në janar, motër me dy foshnjat e tjera të braktisura më herët

Foshnje

Foto: Ilustrim

Një vajzë e vogël e gjetur në fillim të këtij viti në një çantë pazari në lindje të Londrës është fëmija i tretë që është braktisur nga të njëjtët prindër në rrethana të ngjashme gjatë shtatë vjetëve të fundit, ka bërë të ditur policia britanike të martën.

Vogëlushja, e quajtur Elsa, u gjet nga një person i cili kishte dalë të ecte me qenin e tij gjatë një mbrëmjeje të janarit pranë një kryqëzimi të frekuentuar në distriktin Newham, ka njoftuar policia.

Testet e mëvonshme të ADN-së zbuluan se Elsa ishte motra e dy foshnjave të tjera që ishin braktisur gjithashtu në të njëjtën zonë, raporton “Reuters”.

Harry, foshnja e parë, u gjet në një park në Newham në shtator të vitit 2017, ndërsa në janar të 2019-ës një foshnjë tjetër, e quajtur Roman, u gjet në një zonë lojërash për fëmijë.

Detajet e rastit u bënë publike të martën pasi gjykata vlerësoi se historia ishte me interes publik.

BBC-ja ka raportuar se dy fëmijët që ishin gjetur më herët tashmë janë birësuar, ndërsa Elsa, e cila vlerësohej të kishte lindur vetëm një orë para se të braktisej, është në strehimore. 

Gjykata ka njoftuar se fëmijët do ta dinë të gjithë se janë vëllezër e motra dhe se kanë plane që të gjejnë një formë kontakti derisa ata rriten.