Të dhënat e Klinikës së Neonatologjisë të Qendrës Klinike e Universitare të vendit, tregojnë që po rriten rastet e foshnjave të braktisura. Vetëm në janar u braktisën tri foshnje përderisa vitin e kaluar pati gjithsejtë 32 braktisje të foshnjave që përfunduan në familjet strehuese.
Drejtori i Klinikës së Neonatologjisë, Luan Morina, për Radio Kosovën tregon për kujdesin ndaj foshnjave të braktisura.
“Aktualisht në Klinikë i kemi dy foshnja të lëna pa përkujdesje prindërore”, thotë Morina.
Nga fillimi i këtij viti aty janë regjistruar tri raste ku foshnjat u braktisën.
“Njëra foshnjë është dërguar në një familje strehuese përmes ndërmjetësimit me Qendrën për Punë Sociale të komunës”, shpjegon ai.
Si arsye më të shpeshta të braktisjes së foshnjave nga prindërit biologjikë, sidomos nënat, mjekët përmendin të qenit fëmijë jashtëmartesor, varfërinë apo rrethanat e tjera të rënda sociale, neglizhencën prindërore, e në disa raste edhe dhunën në familje.
Por jo vetëm këto, foshnjat sipas mjekëve po braktisen edhe për shkak të anomalive të lindura apo sëmundjeve të pashërueshme.
Në këtë situatë për këta fëmijë janë dy adresa strehimi e përkujdesjeje: familjet adoptuese apo familjet strehuese që u ofrojnë kujdes prindëror.
Drejtoresha e Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës, Adelina Sahiti, thotë se aktualisht në kryeqytet janë vetëm tri familje strehuese, ndërsa nevojat janë shumë më të mëdha.
“Nevojat janë shumë të mëdha për familje strehuese në kryeqytet, sepse kemi fëmijë nga Komuna e Prishtinës që qëndrojnë në komuna të tjera”, thotë Sahiti duke shtuar se “synimi është që këtë cikël ta përmbyllim duke pasur së paku gjashtë familje strehuese në kryeqytet”.
Fata Rexhepi, nga Organizata për Fëmijët pa Kujdes Prindëror, shpjegon praktikat e kujdesit që kërkohet të ndiqen në këto lloj familjesh strehuese.
“Një familje potenciale strehuese, përveç vullnetit, duhet të jetë mbi moshën 25-vjeçare, të ketë zotësi veprimi, të mos jetë e ndjekur penalisht, të ketë hapësirë të mjaftueshme banimi dhe të jetë në gjendje të mirë psikike dhe fizike”.
Sipas të dhënave të Klinikës së Neonatologjisë në QKUK vitin e kaluar janë braktisur gjithsej 32 foshnja. Prej tyre, 12 fëmijë janë sistemuar në familje strehuese përmes qendrave për punë sociale, 19 janë ribashkuar me familjet e tyre biologjike, përderisa janë adoptuar 7 të tjerë të braktisur më herët.