Çdo fëmijë të ketë një familje, është thirrja që organizatat për përkujdesje për fëmijët pa kujdes strehues dhe institucionet kanë bërë të enjten e 15 majit në Ditën Ndërkombëtare të Familjes.
Shoqëruar nga vendimi i ri i Komunës së Prishtinës për rritje të përkrahjes financiare për familjet strehuese për fëmijët pa përkujdes prindëror, organizatat për kujdes për fëmijët kanë bërë thirrje për mobilizim shoqëror në strehimin e fëmijëve pa përkujdesje prindërore.
Bajram Shala, drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, ka bërë të ditur në emisionin “SOT” në KTV se me vendimin e ri të Komunës do të ketë përkrahje financiare edhe për familjet në gatishmëri për strehim e edhe për ato që strehojnë, pos mjeteve që ndahen për fëmijët që do të strehohen. Familjet me statusin në gatishmëri për t’i strehuar fëmijët pa përkujdes prindëror do të mbështeten me 225 euro në muaj. Ata që kanë fëmijë do të përfitojnë nga 300 euro në muaj si familje dhe 300 euro tjera do t’i marrë fëmija i strehuar. Siç ka cekur ai, familjet që do të marrin në strehim fëmijë me aftësi të kufizuara do të financohet me 375 euro për muaj dhe 300 euro si familje. E në rastet kur një fëmijë qëndron me familjen pas moshës 18-vjeçare, siç është bërë e ditur, do të ketë pagesë deri 675 euro.
Ai ka thënë se në Prishtinë janë vetëm dy familje strehuese.
Ndërkaq Besnik Peci, udhëheqës i kujdesit alternativ në SOS-Fshatrat e Fëmijëve ka thënë se nga kjo organizatë kanë kaluar 498 foshnje dhe se aktualisht shërbime marrin 52 fëmijë pa përkujdesje prindërore. Ai ka thënë se mbi 700 fëmijë në përgjithësi janë në rrezik të humbjes së kujdesit prindëror. Peci ka bërë thirrje për mobilizim e sensibilizim të popullatës.
“Fushata jonë ka qëllim që të tregohet se kujdesi ndaj fëmijëve është kujdes fisnik”, ka thënë ai. “Çdo fëmijë e meriton ta ndjejë ngrohtësinë familjare dhe kujdesin maksimal”.
Albanë Hoti menaxhere e programeve në Organizatën për fëmijë pa kujdes prindëror, OFAP, e ka quajtur të rëndësishëm vendimin e Komunës së Prishtinës, por ka thënë se kjo s’duhet të jetë arsyeja kryesore për strehim të fëmijëve pa përkujdesje prindërore.
Ajo ka bërë të ditur se janë 40 familje strehuese në nivel vendi.