Problemi me shtëpitë e braktisura në Angli po bëhet gjithnjë e më shqetësues, sidomos në një kohë kur qindra mijëra njerëz janë të pastrehë dhe mijëra të tjerë presin për banesa sociale. Megjithëse ekzistojnë fonde dhe skema për t’i rikthyer këto shtëpi në përdorim, shumë prej tyre vazhdojnë të qëndrojnë bosh për vite me radhë. Arsyet janë të ndryshme, nga proceset e gjata ligjore, mungesa e të dhënave e deri te mosinteresimi i pronarëve për to. Ndërkohë, kërkohen politika më të qarta dhe veprime konkrete nga qeveria dhe autoritetet lokale për ta përballuar krizën e mungesës së banesave sociale.
Në vitin 1980, kur Corina Poore, 36 vjeçe dhe shtatzënë, hapi për herë të parë derën e një shtëpie të braktisur në New Cross Gate, në juglindje të Londrës, agjenti i pasurive të paluajtshme refuzoi të hynte brenda me të.
Aty kishte mace të ngordhura, jashtëqitje qensh dhe dyshekë të ndotur. Pëllumbat fluturonin përmes vrimave në çati dhe nuk kishte tualet të brendshëm. Era ishte e padurueshme.
Megjithatë, Corina vendosi se kjo ishte shtëpia e ëndrrave të saj. Ishte e madhe, çmimi prej 24.000 funtesh ishte i përballueshëm dhe ajo ishte e sigurt se gjithçka mund të rregullohej.
Pasi mori një kredi hipotekare, ajo përfitoi një grant prej 3.500 funtesh nga këshilli bashkiak i Lewishamit, që u përdor për ta rregulluar tavanin.
“Në atë kohë, 3.500 funte ishin një shumë e konsiderueshme, të cilën e kisha shumë të nevojshme”, kujton Corina.
Rreth 45 vjet më vonë, shtëpia e saj viktoriane me katër kate vlen rreth 1 milion funte, të cilën Corina, sot kritike filmash dhe programesh televizive në gjysmë pensioni, nuk do të kishte pasur mundësi ta blinte në ditët e sotme.
Por koha ka ndryshuar.
Këshilli i Lewishamit vazhdon të ofrojë grante për pronarët e shtëpive të braktisura për t’i përmirësuar, disa deri në 20.000 fute, por interesi është i ulët.
Vetëm 22 grante janë dhënë në këtë zonë gjatë pesë vjetëve të fundit - megjithëse aty ka 2.253 shtëpi të braktisura. Një zëdhënës i këshillit të Lewishamit ka theksuar se, përveç granteve, po punohet që të sigurohet që shtëpitë të mos mbeten bosh apo të bëhen të pabanueshme.
Megjithatë, aktualisht 775 prej tyre kanë më shumë se gjashtë muaj që janë bosh. Ndërkohë, vendi përballet me një mungesë të madhe banesash, me numër të rritur të njerëzve të pastrehë dhe lista të gjata pritjeje për banesa sociale.
Që nga tetori i vitit 2024, në Angli kishte pothuajse 720.000 shtëpi bosh, sipas të dhënave të qeverisë.
Në pamje të parë, kthimi i këtyre pronave bosh në përdorim do të ndihmonte ndjeshëm për të arritur objektivin e 1.5 milion banesave të reja që qeveria laburiste dëshiron të shtojë gjatë mandatit të saj.
Por deri tani, kjo nuk po ndodh. Pyetja është pse? Dhe duke qenë se në teori kjo do të ishte një zgjidhje e arsyeshme për dy probleme në rritje, a kemi të bëjmë me një mundësi të humbur - apo është çështja më e ndërlikuar se kaq?
Rritja e numrit të shtëpive të braktisura
Jo të gjitha shtëpitë bosh janë në gjendje të keqe si ajo që dikur bleu Corina. Por rreth 265.000 prej tyre në Angli kanë qëndruar bosh për më shumë se gjashtë muaj dhe klasifikohen nga qeveria si shtëpi të braktisura për afat të gjatë (Long-Term Empty – LTE).
Rregullimi i këtyre shtëpive do të ndikonte pozitivisht edhe te komunitetet përreth, pasi pronat e braktisura për një kohë të gjatë shpesh tërheqin persona me sjellje antisociale dhe në disa raste ulin vlerën e zonës.
Ann Devereaux, nga St Werburgh’s në Bristol, thotë se pasi prona ngjitur me shtëpinë e saj u braktis, ajo u bë një “magnet” për krimin. “Ajo më bën të ndihem e frikësuar kur dal nga shtëpia ose kthehem në mbrëmje”, shton ajo.
Qeveria kishte ndërhyrë më parë. Koalicioni qeverisës i viteve 2010–2015 krijoi dy skema: Programin për Shtëpitë e Boshatisura - që jepte grante për pronarët që të rregullonin shtëpitë e tyre të braktisura; dhe Skemën e Bonuseve për Shtëpitë e Reja - që shpërblente këshillat lokale që sillnin shtëpi bosh përsëri në përdorim.
Këto duket se patën efekt. Nga 2010 në 2016, numri i përgjithshëm i shtëpive bosh ra me 20% në 590.000, ndërsa numri i shtëpive LTE ra me 33% në 200.000.
Por në vitin 2016, qeveria e përfundoi Programin për Shtëpitë e Boshatisura dhe uli shpërblimet nga skema e bonuseve, duke ua lënë përgjegjësinë vetëm autoriteteve lokale.
Deri në vitin 2024, numri i shtëpive bosh ishte rritur sërish me 22%, ndërsa shtëpitë LTE ishin rritur me 32%.
Një raport nga Action on Empty Homes, organizatë bamirësie, arriti në përfundimin se kjo rritje kishte lidhje me përfundimin e skemave qeveritare, ndryshimet në tregun e banesave dhe pasigurinë ekonomike.
Meqë nuk ka të dhëna të centralizuara mbi atë çfarë kanë bërë këshillat lokale që nga viti 2016, BBC kontaktoi secilën për të marrë informacion.
Nga 245 këshilla që u përgjigjën, vetëm 77 vazhdonin të ofronin grante apo hua. Por interesi i qytetarëve ishte shumë i ulët, saqë nuk e ndaloi rritjen e numrit të shtëpive LTE. Disa këshilla madje e ndaluan ndihmën financiare për shkak të kësaj mungese interesi.
Corina Poore sugjeron se ndoshta njerëzit nuk e dinë që këto skema ekzistojnë.
Por Benjamin Radstone, zhvillues pronash që bashkëpunon me publikun për të identifikuar shtëpi bosh, thotë se ka shumë arsye pse pronarët nuk i shfrytëzojnë ofertat dhe nxitjet. “Njerëzit nuk duan të ndihen nën presion”, thotë ai. “Do ta bëjnë kur të ndihen gati”.
Në Kent, një skemë e quajtur “No Use Empty” ofron hua pa interes për tre vjet, me kusht që prona të jepet me qira ose të shitet pas rregullimit. Kjo skemë, që filloi 20 vjet më parë me vetëm 5 milionë funte, tani vetë-financohet. Në 5 vjetët e fundit janë dhënë rreth 200 hua.
Tani këshilli i Kentit dëshiron që skema të shtrihet në nivel kombëtar. Një grup deputetësh dhe aktivistësh kanë kërkuar nga ministri për çështje të banimit Matthew Pennycook ta zbatojë në të gjithë Anglinë.
Ndërkohë, disa këshilla të tjerë kanë provuar zgjidhje krijuese, si lidhja e investitorëve privatë me pronarët e shtëpive bosh.
Pothuajse të gjitha këshillat vendosin taksa të larta për pronat e braktisura për afat të gjatë, që mund të arrijnë deri në 300% të taksës normale së pronës.
Por sipas Radstonet, kjo i largon njerëzit nga bashkëpunimi me këshillat. Disa madje thonë se kjo i dekurajon edhe vetë këshillat të zgjidhin problemin në rrënjë, sepse mbledhin më shumë të ardhura nga këto taksa të larta.
“Tani jemi në një situatë ku disa këshilla thonë: ‘Po shpërblehemi që shtëpitë të mbeten bosh më gjatë’”, thotë Adam Cliff, nga rrjeti Empty Homes Network.
Këshillat mund të marrin masa ligjore ndaj pronarëve të shtëpive bosh, por kjo është një proces i shtrenjtë, i gjatë dhe i ndërlikuar.
Ndërsa huat dhe grantet mund të ndihmojnë vetëm 10-20% të shtëpive LTE, sipas Cliffit, për pjesën tjetër duhen zgjidhje të ndryshme dhe të personalizuara.
Ky ishte edhe përfundimi i këshillit të Kentit: vetëm 18% e LTE-ve që u rikthyen në përdorim ishin rezultat i huave pa interes. 61% u rikthyen pasi pronarëve iu dhanë këshilla për taksat, financimin dhe planifikimin.
“Nëse një këshill ka 2.000 shtëpi bosh, atëherë i duhen 2.000 zgjidhje të ndryshme”, thotë Cliff.
Një çështje e çuditshme dhe e ndërlikuar
Është e vështirë të kuptohet pse ka rreth një çerek milioni shtëpi të braktisura për një kohë të gjatë, kur në të njëjtën kohë rreth 354.000 njerëz në Angli janë të pastrehë dhe 1.33 milion familje janë në pritje për banesa sociale.
Po ashtu, shumë njerëz, si ata që marrin me qira, ashtu edhe blerësit - ankohen për krizën e mungesës së banesave, sepse çmimet janë shumë të larta dhe jashtë mundësive të tyre.
Sipas zyrës britanike të statistikave, një banesë konsiderohet e përballueshme vetëm nëse kushton më pak se pesëfishi i të ardhurave mesatare në zonë. Kjo nuk ka ndodhur në nivel kombëtar që nga viti 2002.
Nëse do të kishte më shumë shtëpi në treg, kjo do të ndihmonte. Por pse nuk po bëhet më shumë për ta zgjidhur këtë problem?
Problemi është që nuk ka vetëm një arsye pse një shtëpi qëndron bosh.
Një arsye është procesi i trashëgimisë, që mund të zgjasë me vite. Gjatë kësaj kohe, shtëpia nuk mund të shitet. Katie Watson nga kompania Finders International thotë se më shumë punonjës në gjykata do ta përshpejtonin këtë proces.
Një tjetër problem është se këshillat lokale shpesh nuk mund të gjejnë pronarët e shtëpive bosh.
Jasmine Basran nga organizata për të pastrehët Crisis thotë se mungojnë të dhënat e sakta.
Kur BBC pyeti këshillat lokale në Angli, ata kishin informacion vetëm për rreth 13% të shtëpive të braktisura për kohë të gjatë. Kjo, sipas Basran, tregon se nuk e dinë realisht potencialin e këtyre shtëpive.
Ka edhe debat për taksat e larta që vendosen mbi këto prona bosh. Disa ekspertë kanë mendime të ndryshme.
Radstone mendon se duhen ulur taksat për blerësit dhe njerëzit duhet të kenë testamente të përditësuara për të shmangur vonesat në procesin e trashëgimisë.
Grimshaw thotë se të ardhurat nga taksat e larta mund të përdoren nga këshillat për të krijuar skema huash.
Cliff mendon se nëse një këshillë nuk ka plan për shtëpitë bosh, nuk duhet të lejohet të vendosë taksa të larta.
Shumica e ekspertëve mendojnë se qeveria duhet t’i detyrojë këshillat të merren seriozisht me këtë problem, të hetojnë dhe të veprojnë.
Qeveria e mëparshme nuk e bëri këtë. Por në mars 2024, ajo vendosi që këshillat mund të dyfishojnë taksën për shtëpitë bosh pas 12 muajsh (më parë ishte pas 2 vjetësh). Ish-ministri Simon Hoare tha se kjo ishte pjesë e një plani për t'u dhënë njerëzve shtëpi.
Nuk dihet ende nëse qeveria e re laburiste do ta bëjë të detyrueshme për këshillat të veprojnë për këtë çështje, por zëvendëskryeministrja Angela Rayner ka thënë se këshillat duhet të kenë më shumë fuqi për të detyruar pronarët t’i japin me qira shtëpitë bosh.
Ndërkohë, një zëdhënës i ministrisë për çështje të banimit tha se janë të vendosur ta zgjidhim krizën e banesave që sipas tij është e trashëguar.
E dimë që shumë shtëpi bosh ndikojnë negativisht tek komunitetet. Prandaj kemi forcuar fuqinë e këshillave për të rritur taksat mbi këto prona dhe do t’u japim më shumë mundësi për të marrë nën menaxhim shtëpitë bosh”.