Botë

Evropa në alarm të kuq nga moti ekstrem

Evropa - moti ekstrem

Linja hekurudhore e shpejtësisë së lartë midis Francës dhe Italisë është pezulluar “për të paktën disa ditë” pas stuhive të fuqishme që ndodhën më herët gjatë javës, ka njoftuar operatori kombëtar francez SNCF.

Stuhitë e së hënës në juglindje të Francës kanë detyruar nisjen e një operacioni pastrimi, gjatë të cilit SNCF-ja do të kontrollojë nëse ka dëmtime në shinat e linjës me shpejtësi të lartë Paris-Milan, të cilat mund të shtyjnë mbylljen e linjës.

Ndërkaq, pjesë të mëdha të Evropës janë përsëri nën paralajmërime për mot ekstrem këtë mëngjes, teksa vala e parë evropiane e nxehtësisë vazhdon, duke ngritur sërish pikëpyetje mbi shëndetin publik, rreziqet mjedisore dhe ndikimin e ndryshimeve klimatike, ka shkruar The Guardian.

Qyteti i Parisit, ku temperaturat kanë arritur në 38 gradë Celcius, ndodhet nën nivelin më të lartë të paralajmërimit, atë të kuq, teksa maja e Kullës Eiffel është mbyllur për turistët si masë paraprake. Kryeministri francez, François Bayrou, i cili do të përballet të martën (sot) me një mocion mosbesimi në parlament, ka anuluar takimet për të monitoruar situatën në kohë reale.

Qytete të tjera në kontinentin e vjetër do të përjetojnë gjithashtu temperatura më të larta se zakonisht, përfshirë Saragozën (39°C), Romën (37°C), Madridin (37°C), Athinën (37°C), Brukselin (36°C), Frankfurtin (36°C), Tiranën (35°C) dhe Londrën (33°C).

Në Itali, disa rajone, përfshirë Lazion dhe Lombardinë, kanë miratuar rregulla të reja për të mbrojtur punëtorët nga temperaturat ekstreme, duke ndaluar aktivitetet në hapësira të jashtme nëpër kantieret e ndërtimit dhe në gurthyes gjatë orëve më të nxehta, sipas mediave kombëtare. Rajone të tjera, si Emilia Romagna, pritet të miratojnë masa të ngjashme gjatë kësaj jave.

Në qytetin e Gjenovës, oraret e udhëtimeve falas për personat e moshuar u zgjatën, gjersa do të fillojnë më herët për t’i nxitur të udhëtojnë para se temperaturat të rriten.

Autoritetet në Bolonjë kanë raportuar rritje prej 7% në numrin e thirrjeve për emergjenca.