Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha sërish se do të vazhdojë me blerjen e sistemit mbrojtës S-400 nga Rusia, si dhe do të bashkëpunojë me Moskën në prodhimin e sistemit S-500 në të ardhmen, përkundër presionit të Shteteve të Bashkuara kundër marrëveshjes.
"Nuk vihet fare në pyetje që Turqia të bëjë ndonjë hap prapa për blerjen e sistemit S-400. Kjo është marrëveshje e përfunduar”, tha Erdogan më 18 maj.
Erdogan shtoi se ka pritur që SHBA do të lejojë Ankaranë për pjesëmarrje në prodhimin e aeroplanëve luftarakë F-35, në mes të kërcënimeve nga Uashingtoni se Turqia do të përjashtohet nëse blen sistemin mbrojtës rus. Turqia ka porositur po ashtu 100 avionë për ushtrinë, transmeton rel.
“Amerikanët po e kalojnë topin në mesfushë tani, duke shfaqur ngurrim. Por, herët apo vonë, ne do të marim avionët. Nuk ka opsion tjetër”, shtoi Erdogan.
Administrata e presidentit Donald Trump dhe anëtarët e Kongresit amerikan, kanë bërë thirrje që Turqia të anulojë planin për blerjen e sistemit ajror mbrojtës të Rusisë, për të cilin fuqitë perëndimore thonë se nuk është në përputhje me sistemin e NATO-s dhe shfaq kërcënim për aeroplanët ushtarak të SHBA-së.
Erdogan tha se sistemi mbrojtës pritet të arrijë në korrik, por shtoi se mund të ketë vonesa.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo