Dy shtetas amerikanë vdiqën kohët e fundit në rajonin Donbas të Ukrainës lindore, ka thënë të dielën një zëdhënës i Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara, pa dhënë detaje të mëtejshme, shkruan Reuters.
Administrata e SHBA-së ishte në kontakt me familjet e të ndjerëve dhe ofroi "të gjithë ndihmën e mundshme konsullore", ka thënë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.
Zëdhënësi nuk tregoi rrethanat që sollën vdekjen e tyre.
“Për respekt për familjet gjatë kësaj kohe të vështirë, nuk kemi asgjë më tej”, ka thënë zëdhënësi.
Ukraina ka qenë e rrethuar nga Rusia për gati pesë muaj në atë që Moska e quan një "operacion special ushtarak" për ta çarmatosur Ukrainën dhe për ta çliruar atë nga nacionalizmi anti-rus i nxitur nga Perëndimi. Kievi dhe Perëndimi thonë se Rusia nisi një luftë të paprovokuar.
Disa amerikanë kanë dalë vullnetarë për të luftuar përkrah forcave ukrainase, pavarësisht paralajmërimeve për të mos bërë një veprim të tillë. Një shtetas amerikan u vra në luftime në maj, pasi ai iu bashkua mijëra luftëtarëve të huaj që kanë dalë vullnetarë për të ndihmuar Ukrainën të mposhtë forcat ruse.