Gjatë një fjalimi emocional në përkujtimin e tij publik në Glendale, Arizona, e veja e organizatorit të të rinjve të krahut të djathtë, Charlie Kirk, ka thënë se e fal burrin e akuzuar për vrasjen e bashkëshortit të saj.
"Burri im, ai donte të shpëtonte të rinj, njësoj si ai që i mori jetën", ka thënë Erika Kirk, para një turme plot me njerëz.
"Ai burrë, ai i ri - unë e fal. E fal sepse kjo ishte ajo që bëri Krishti dhe kjo është ajo që do të bënte Charlie”, ka shtuar ajo.
Të gjithë në stadium janë ngritur në këmbë duke duartrokitur.
Prokurorët kanë akuzuar Tyler Robinson, 22 vjeç, për vrasjen me armë të Charlie Kirk më 10 shtator në një kolegj në Utah. Robinson, nga Utah, mund të përballet me dënimin me vdekje nëse shpallet fajtor.
Autoritetet kanë thënë se Robinson i dërgoi një mesazh partnerit të tij pas të shtënave duke i thënë se kishte pasur shumë "urrejtje" për Kirk.
Në fjalimin e saj në Stadiumin State Farm, Erika Kirk është zotuar të vazhdojë punën e burrit të saj si udhëheqësja e sapoemëruar e grupit që ai themeloi, Turning Point USA.
“Përgjigja ndaj urrejtjes nuk është urrejtje”, ka thënë ajo.
“Përgjigja që dimë nga ungjilli është dashuria dhe gjithmonë dashuria – dashuria për armiqtë tanë dhe dashuria për ata që na përndjekin”.
Në tubim ishte i pranishëm edhe presidenti amerikan, Donald Trump. Charlie Kirk ishte mik i Trumpit dhe madje ai e kishte ndihmuar atë që të fitonte votat e të rinjve në zgjedhjet e nëntorit të kaluar.
In front of millions of people, Erika Kirk forgave her husbands murderer
— MJTruthUltra (@MJTruthUltra) September 21, 2025
That is the power of Christ…
Drop a 🙏 If Christ is KINGhttps://t.co/8KobAcUFUo pic.twitter.com/d0UPpavLWO