Botë

Donald Trump ringjall gënjeshtrat mbi zgjedhjet

Donald Trump - SHBA

Në vitin 2020, Trumpi filloi të argumentonte se zgjedhjet do të ishin manipuluese disa muaj përpara se të fillonte votimi. Ai sulmoi përpjekjet për të lehtësuar kufizimet në votimin me postë gjatë pandemisë së koronavirusit dhe i zgjeroi ato akuza pas humbjes së zgjedhjeve me pretendimin se ai i kishte fituar ato. Këto gënjeshtra Trumpi po i përdor edhe tash pas akuzave të ngritura kundër tij

Ligjërisht, fjalët më të rëndësishme që tha ish-presidenti Donald Trump pasi u akuzua për 34 krime nga Prokurori i Qarkut të Manhattanit javën e kaluar ishin "i pafajshëm". Por, politikisht, më e rëndësishmja mund të jetë “ndërhyrja në zgjedhje”.

Përsëritja e këtyre fjalëve nga Trumpi, të cilat janë marrë nga republikanët e tjerë të lartë, tregojnë se si ai po përpiqet ta kthejë pozicionin e tij historik si ish-presidenti i parë i akuzuar për krime në avantazhin e tij. Është një shembull tjetër i asaj që ka qenë një refren i qëndrueshëm gjatë gjithë karrierës së tij politike – duke pretenduar pa prova se zgjedhjet po manipulohen kundër tij.

Pas paraqitjes së tij fillestare në gjykatë në çështjen e Nju-Jorkut, e para nga disa në të cilat ai është në rrezik ligjor, Trumpi i përshkoi hetimet e ndryshme me të cilat po përballej dhe i cilësoi ato si përpjekje "masive" për të ndërhyrë në zgjedhjet e 2024-tës.

"Sistemi ynë i drejtësisë është bërë i paligjshëm", tha Trumpi ndërsa u shfaq para mbështetësve në shtëpinë e tij në Florida, Mar-a-Lago. "Ata po e përdorin këtë tani, përveç gjithçkaje tjetër, për të fituar zgjedhjet".

Të pretendosh se zgjedhjet po i vidhen është një taktikë rutinë e Trumpit, pavarësisht se nuk ka prova për të mbështetur pohimet e tij. Kur konkurronte për nominimin presidencial të GOP-it në vitin 2016, Trumpi pretendoi se humbja e tij në zgjedhjet parlamentare të Iowa-s ishte për shkak të mashtrimit. Kur fitoi Shtëpinë e Bardhë atë nëntor, por humbi votën popullore, Trumpi pretendoi se arsyeja e vetme e rënies në kategorinë e fundit ishte sepse votuan emigrantë pa dokumente. Një grup pune që ai formoi për të gjetur mashtrimin me vota u shpërbë pa gjetur asnjë provë për të mbështetur pretendimin e tij.

Në vitin 2020, Trumpi filloi të argumentonte se zgjedhjet do të ishin manipuluese disa muaj përpara se të fillonte votimi. Ai sulmoi përpjekjet për të lehtësuar kufizimet në votimin me postë gjatë pandemisë së koronavirusit dhe i zgjeroi ato akuza pas humbjes së zgjedhjeve me pretendimin se ai i kishte fituar ato. Këto gënjeshtra çuan në sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitolin e SHBA-së.

Zyrtarët e zgjedhjeve federale dhe shtetërore dhe vetë prokurori i përgjithshëm i Trumpit kanë thënë se nuk ka prova të besueshme që zgjedhjet e vitit 2020 ishin të njollosura. Akuzat e ish-presidentit për mashtrim u refuzuan gjithashtu nga gjykatat, duke përfshirë edhe gjyqtarët e emëruar nga Trumpi.

Ajo që është e dukshme në rastin e Trumpit, megjithatë, është se partia e tij po u bën jehonë pretendimeve për zgjedhje të vjedhura përpara fushatës së ardhshme. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, muajin e kaluar tha se ai po udhëzonte kryetarët e komiteteve të partisë së tij që të "hetojnë nëse fondet federale po përdoren për të përmbysur demokracinë tonë duke ndërhyrë në zgjedhje me ndjekje penale të motivuara politikisht".

Akuzat e javës së kaluar në gjykatën e Nju-Jorkut erdhën nga rimbursimet e Trumpit ndaj avokatit të tij në atë kohë, Michael Cohen, për paratë në këmbim të heshtjes, të paguara në ditët e fundit të zgjedhjeve presidenciale të 2016-s, ndaj aktores pornografike, Stormy Daniels, e cila pretendoi se ata kishin një lidhje. Edhe disa kritikë të Trumpit i kanë parë akuzat si një shtrirje të ligjeve të Nju-Jorkut.

Image

Zemra e çështjes së Manhattanit është pretendimi i prokurorëve se Trumpi falsifikoi të dhënat e biznesit në kompaninë e tij për të bërë pagesën në mënyrë që të mbante të heshtur një histori potencialisht të dëmshme gjatë fushatës - një përpjekje e paligjshme e Trumpit, argumentuan ata, për të provuar të ndikojë në zgjedhjet.

Ish-presidenti gjithashtu përballet me rrezik ligjor nga hetime të tjera, dy prej të cilave lidhen me përpjekjet e tij për të tentuar të ndërhyjë në zgjedhjet e vitit 2020.

Trumpi është gjithashtu i përfshirë në një hetim të këshilltarit special federal për trajtimin e dokumenteve të klasifikuara të gjetura në patundshmërinë e tij në Florida.

Prokurori i Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg, i pyetur në një konferencë shtypi të martën nëse koha e çështjes ishte politike, u përgjigj duke thënë: "Unë sjell çështjet kur ato janë gati".

Zyra e Braggit refuzoi të komentonte deklaratat e Trumpit për "ndërhyrje në zgjedhje", ashtu si edhe Departamenti i Drejtësisë.

Kritikët paralajmërojnë se Trumpi po mbjell edhe një herë dyshime për mashtrim që mund të dëmtojë demokracinë. “Ne e kemi parë këtë film më parë”, tha në një deklaratë Joanna Lydgate, shefe ekzekutive e United States Action, e cila gjurmon politikanët që përqafojnë gënjeshtrat zgjedhore të Trumpit. "Ne e dimë se kjo është e rrezikshme, sepse të gjithë e pamë atë që ndodhi më 6 janar".

Trumpi dhe republikanë të tjerë kanë rënë në kundërshtim ndonjëherë me veten e tyre, duke i dënuar hetimet si një përpjekje për të njollosur Trumpin, ndërsa parashikojnë gjithashtu se ata do të ndihmojnë rikandidimin e tij për Shtëpinë e Bardhë.

Aaron Scherb, drejtor i lartë i çështjeve legjislative për Kauzën e Përbashkët, i cili ka qenë prej kohësh kritik ndaj akuzave të Trumpit për manipulime zgjedhore, vuri në dukje se të gjitha hetimet e ish-presidentit filluan shumë përpara se ai të fillonte të kandidonte përsëri për president.

"Askush nuk është mbi ligjin, përfshirë ish-presidentët, dhe kandidimi për president nuk mund dhe nuk duhet të shërbejë si mburojë për sjellje të gabuar", tha Scherbi.

Përktheu: Forca Jashari