Botë

Çfarë ndodh me rastet penale dhe civile ndaj Trumpit pas rizgjedhjes president?

Trump

Foto: Associated Press

Donald Trump është rizgjedhur president i SHBA-së, si një i shpallur fajtor në pritje të dënimit për veprën penale për falsifikimin e regjistrave biznesore për të ndikuar jashtëligjshëm në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Ai ende punon për të shmangur ndjekjen penale në raste të tjera.

Është jashtëzakonisht një pozicion unik për të: Asnjëherë më parë një i pandehur nuk është zgjedhur në postin më të lartë të vendit, ashtu si një ish-president asnjëherë nuk është akuzuar deri vitin e kaluar, raportoi CNN. 

Trumpi ka thënë disa herë se planifikon ta shkarkojë prokurorin e posaçëm, Jack Smith, dhe t’i japë fund rasteve federale kundër tij për tentimin për përmbysjen e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 si dhe keqmenaxhimin e dokumenteve të klasifikuara.

Një gjykatës në New York do ta shpallë dënimin për ish-presidentin në fund të këtij muaji, pasi atë e shtyu për të shmangur çfarëdo lloj ndikimi në rezultatin e garës presidenciale. Megjithatë, avokatët e Trumpit pritet që t’i kërkojnë gjykatësit ta shtyjë sërish dënimin tani që ai është president i zgjedhur.

Trumpi është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat.

Është planifikuar që Trumpi të paraqitet në gjykatën në New York më 26 nëntor për të marrë dënimin për 34 akuzat për falsifikimin e regjistrave biznesore për të ndikuar jashtëligjshëm në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, përmes pagesave për heshtjen e një aktoreje të pornografisë, e cila pati thënë se kishte kryer marrëdhënie seksuale me të.

Nuk dihet deri tani nëse gjyqi për dënim do të mbahet.

Gjykatësi Juan Merchan i ka dhënë vetes afat deri më 12 nëntor që të vendosë nëse do ta fshijë dënimin për shkak të vendimit të Gjykatës Supreme që i jep presidentit imunitet. Nëse Merchan e bën këtë, akuzat do të hidheshin poshtë dhe Trumpi nuk do të dënohej.

Por, nëse gjykatësi vendos të shkojë tutje me dënimin, avokatët do të kërkojnë shtyrje të tij, në mënyrë që të mund të apelojnë. Nëse kjo nuk jepet, avokatët planifikojnë ta apelojnë vendimin e imunitetit në gjykatat shtetërore të apelit, potencialisht deri në Gjykatën Supreme të SHBA-së për të kërkuar shtyrjen e dënimit të Trumpit derisa të shteren të gjitha apelimet, gjë që mund të zgjasë me muaj.

Nëse ec përpara me dënimin, Trumpi mund të urdhërohet të kryejë deri në katër vjet burgim, por gjykatësit nuk i kërkohet të dënojë me burg presidentin e zgjedhur, kështu që mund t’i shqiptojë dënim më të vogël, si dënim me kusht, shërbim në komunitet apo gjobë.

Secili vendim do të ishte i komplikuar nga fakti se Trumpi do ta marrë detyrën më 20 janar. Avokatët e Trumpit ka gjasa të apelojnë vendimet e gjykatës në atë mënyrë sa rasti të mbetet nëpër gjykata me vjet.

Fitorja e Trumpit pritet të ketë ndikimin më të madh në dy çështjet penale federale të ngritura kundër tij nga Smithi në Washington dhe Florida. Pasi rastet u paraqitën më 2023, strategjia kryesore e avokatëve të Trumpit ka qenë të shtyhen gjyqet deri pas zgjedhjeve, ashtu që nëse zgjidhej ai do ta shkarkonte Smithin, që çon më pas në përfundimin edhe të dy çështjeve.

Shkarkimi i Smithit do t’i lejonte Departamentit të Drejtësisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm të lëvizin drejt hedhjet poshtë të akuzave ndaj tij dhe t’u japin fund rasteve gjyqësore.

Por, deri në ditën e inaugurimit Smith ka kohë të peshojë opsionet e tij mbi çështje që departamenti kurrë nuk i ka përballur.

Një vështirësi është nëse Departamenti i Drejtësisë e konsideron një president të zgjedhur të mbrohet nga e njëjta mbrojtje ligjore kundër ndjekjes penale njëjtë si një president në detyrë.

Në çështjen e ngrehur në Washington, Smithi ngriti akuzë ndaj Trumpit për përpjekjet e tij për përmbysjen e rezultateve zgjedhore të 2020-s. Ndërsa, akuzat e ngritura në Florida thonë se Trumpi ilegalisht mori dokumente të klasifikuara nga Shtëpia e Bardhë dhe u rezistoi përpjekjeve të qeverisë për të rimarrë ato dokumente.

E, fati i çështjes penale të Trumpit në Georgia varet nga fakti nëse prokurorja e Qarkut Fulton, Fani Willis, skualifikohet nga ndjekja penale për shkak të marrëdhënieve të saj romantike të mëparshme me një koleg prokuror.

Paditë civile

Presidenti i zgjedhur po ashtu po e mbron veten në një seri padish civile, duke përfshirë ato në lidhje me rolin e tij në sulmin e 6 janarit 2021 në Capitol, dy padi për shpifje të E. Jean Carroll dhe një padi civile për mashtrim e ngritur nga prokurori i përgjithshëm i New Yorkut ku Trumpi u urdhërua të paguante gati 454 milionë dollarë dëmshpërblim.

Trumpi humbi në dy rastet për mashtrim ndaj Carrollit më 2023 dhe 2024 në gjykatën federale pasi një juri e gjeti përgjegjës për abuzim seksual të kolumnistes dhe shpifje ndaj saj. Carrollit iu dhanë 5 milionë dollarë dhe 83 milionë dollarë.

Trumpi e apeloi vendimin e parë për Carrollin, por gjykata e apelit ende nuk ka dhënë një vendim.

Trumpi po përballet edhe me paditë civile të ngritura nga ligjvënësit demokratë dhe të tjerë për rolin e tij në sulmin e 6 janarit në Capitol.

Është e mundur që të gjitha këto raste të vazhdojnë të zhvillohen edhe ndërsa Trumpi fillon mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë. Në një vendim të Gjykatës Supreme të vitit 1997 që rrodhi nga një padi civile ku i përfshirë ishte presidenti i atëhershëm, Bill Clinton, gjyqtarët vendosën njëzëri që presidentët në detyrë nuk mund të thirreshin në imunitet presidencial për të shmangur proceset gjyqësore civile gjatë kohës sa janë në detyrë.