Danimarka ka vërejtur më shumë dronë mbi bazat e saj ushtarake gjatë natës të së shtunës, për të dytën ditë radhazi, ka bërë të ditur ushtria të dielën.
NATO-ja të shtunën është zotuar të përmirësojë misionin e saj në Detin Baltik pasi forcat e armatosura të Danimarkës thanë se dronë të paidentifikuar u panë pranë objekteve ushtarake të vendit gjatë natës deri të shtunën, raporton The Guardian.
Ndërkohë, mëngjesin e së dielës, ushtria e Danimarkës ka thënë se më shumë dronë u vëzhguan mbi bazat ushtarake daneze gjatë natës deri të dielën në mëngjes.
"Forcat e Armatosura mund të konfirmojnë se dronë janë vëzhguar në disa nga vendndodhjet e Forcave të Armatosura gjatë natës. U vendosën disa kapacitete”, ka thënë ushtria në një deklaratë herët të dielën, pa dhënë më shumë detaje.
Ka pasur disa ndërhyrje të dyshimta me dronë pranë aeroporteve dhe infrastrukturës kritike këtë javë.
Aeroporti i Kopenhagës, më i ngarkuari i rajonit nordik, është mbyllur për disa orë vonë të hënën pasi disa dronë të mëdhenj u panë në hapësirën e tij ajrore, ndërsa dronët bën që të mbyllet gjithashtu përkohësisht aeroporti i Oslos në Norvegji.
Pesë aeroporte më të vogla daneze, si civile ashtu edhe ushtarake, u mbyllën përkohësisht në ditët në vijim.
Në përgjigje, NATO-ja ka thënë se do të "ushtronte vigjilencë edhe më të shtuar me asete të reja në rajonin e Detit Baltik".
Aleanca ka thënë se asetet e reja përfshinin "platforma inteligjence, mbikëqyrjeje dhe zbulimi dhe të paktën një fregatë të mbrojtjes ajrore".
Rusia është e dyshuara kryesore pas inkursioneve të fundit me dronë, por nuk ka pasur prova përfundimtare për ta mbështetur këtë.
Kopenhaga do të presë një samit të BE-së që do të mbledhë krerët e qeverive të mërkurën dhe të enjten, teksa siguria ka të ngjarë të jetë në krye të agjendës.