Botë

Franca, Gjermania dhe Suedia forcojnë mbrojtjen e Danimarkës para samitit evropian

NATO

Foto: Associated Press

Franca, Gjermania dhe Suedia kanë bërë të ditur të hënën se do të dërgojnë personel ushtarak dhe sisteme kundër dronëve në Danimarkë për të rritur sigurinë për samitin evropian të kësaj jave në Kopenhagë, pas shkeljes së hapësirës ajrore me dronë që e detyruan Danimarkën të mbyllë disa aeroporte.

Danimarka do të presë udhëheqësit e BE-së të mërkurën, e më pas një samit të enjten të Komunitetit Politik Evropian me 47 anëtarë. Ajo tashmë ka thënë se ka rritur sigurinë rreth ngjarjeve, raporton Reuters.

Dronët kanë ndërprerë trafikun ajror në gjashtë aeroporte daneze javën e kaluar, përfshirë atë të Kopenhagës, më të ngarkuarin e rajonit nordik, të cilin kryeministrja Mette Frederiksen e ka quajtur një sulm hibrid ndaj kombit të saj.

Danimarka nuk ka thënë përfundimisht se kush beson se është përgjegjës, por Frederiksen ka sugjeruar se mund të jetë Moska, duke e quajtur Rusinë "vendin kryesor që përbën kërcënim për sigurinë evropiane". Kremlini mohon përfshirjen.

Kryeministri suedez, Ulf Kristersson, ka thënë në një postim në rrjetet sociale X se Suedia do të dërgonte "Sisteme Kundër-UAS", “Kundër-Aeroplanëve Pa Pilot, dhe se vendi i tij veçmas të dielën kishte dërguar një sërë sistemesh radari në Danimarkë.

Policia suedeze ka bërë të ditur ndërkaq se do të dërgonte një forcë të konsiderueshme në Kopenhagë me kërkesë të Danimarkës dhe se oficerët norvegjezë të zbatimit të ligjit do të merrnin pjesë gjithashtu.

Franca ka njoftuar se do të dërgonte një helikopter ushtarak Fennec, si dhe një ekip prej 35 personash që do të merreshin me aspektet e punës kundër dronëve.

Gjermania do të vendosë rreth 40 ushtarë në Kopenhagë për të ndihmuar në zbulimin, identifikimin dhe mbrojtjen kundër dronëve, u ka thënë gazetarëve një zëdhënës i qeverisë së Berlinit në një konferencë për shtyp të hënën lidhur me samitin e BE-së.

Operacioni do të zgjasë deri më 7 tetor dhe ushtarët do të mbajnë pajisjet e duhura me vete, ka thënë zëdhënësi.

Të dielën, Danimarka urdhëroi ndalimin e fluturimeve civile me dronë, pasi disa dronë u vunë re mbi disa objekte ushtarake gjatë natës.

Aleanca ushtarake e NATO-s ka thënë të shtunën se po përmirësonte misionin e saj në Detin Baltik në përgjigje të situatës në Danimarkë, dhe një fregatë gjermane e mbrojtjes ajrore ka mbërritur në Kopenhagë të dielën për të ndihmuar në mbikëqyrjen e hapësirës ajrore.