Ministrat evropianë të Mbrojtjes kanë rënë dakord të premten të zhvillojnë një “mur dronësh” përgjatë kufijve të tyre me Rusinë dhe Ukrainën për të zbuluar, ndjekur dhe kapur më mirë dronët që shkelin hapësirën ajrore të Evropës.
Vendimi vjen pas një sërë incidentesh në të cilat kufijtë e Evropës janë testuar nga dronë të paligjshëm. Rusia është fajësuar për disa prej tyre, por ka mohuar akuzat.
“Rusia po teston BE-në dhe NATO-n, dhe përgjigja jonë duhet të jetë e fortë, e bashkuar dhe e menjëhershme”, ka thënë komisionari i Mbrojtjes i BE-së, Andrius Kubilius, pasi kryesoi takimin virtual të 10 vendeve në krahun lindor të Evropës.
Zyrtarë ukrainas dhe të NATO-s gjithashtu morën pjesë në bisedime. Kubilius ka thënë se mburoja e dronëve mund të zgjasë një vit për t'u ndërtuar, dhe se të dërguarit nga vendet do të takohen së shpejti për të zhvilluar një plan të detajuar konceptual dhe teknik për rrugën përpara.
“Muri i dronëve” pritet të diskutohet nga liderët e BE-së edhe në samitin e javës së ardhshme në Kopenhagë dhe më pas edhe në tetor kur të takohen në Bruksel. Kubilius ka thënë se edhe ministrat evropianë të mbrojtjes do të jenë në mbledhje.
“Takimi i sotëm ishte moment historik – tani të përqendrohemi në zbatim”, ka thënë ai.
Finlanda, Estonia, Letonia, Lituania dhe Polonia kanë qenë duke punuar në një projekt të tillë, por në mars, Komisioni Evropian, refuzoi kërkesën Estoni-Lituani për të financuar diçka të tillë.
Megjithatë, gjërat kanë ndryshuar në shtator.
Aeroplanët e NATO-s u ngritën në qiell më 10 shtator për të rrëzuar një numër dronësh rusë që hynë në hapësirën ajrore të Rusisë, në një përgjigje të kushtueshme ndaj një kërcënimi të lirë. E aeroportet në Danimarkë u mbyllën përkohësisht këtë javë pasi dronët u panë duke fluturuar aty pranë.
“Lufta hibride po vazhdon dhe të gjitha shtetet në Bashkimin Evropian do ta përjetojnë këtë”, ka thënë ministri polak i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz në Varshavë pas bisedimeve për dronët. “Kërcënimi nga Federata Ruse është serioz. Duhet t’i përgjigjemi në një mënyrë shumë radikale”.
Ai u ka kërkuar të gjithë partnerëve në BE që të përfshihen në projekt, duke thënë se incidentet në aeroportet e Danimarkës së fundmi e kanë bërë të qartë që “kërcënimi nuk është vetëm për krahun lindor, e se lansimi i dronëve mund të ndodhë nga ndonjë anije apo mjet lundrues që është afër”.
Të enjten, në një postim në rrjete sociale, kryeministria daneze, Mette Frederiksen, ka thënë se incidenti i dronëve në shtetin e saj ishte pjesë e një realiteti të ri me të cilin përballet Evropa, në të cilin sulmet hibride janë bërë më të rrezikshme e më të shpeshta. Ajo ka thënë se autoritetet daneze ende s’kanë konstatuar se kush ka qenë prapa incidenteve, por se Rusia është aktualisht kërcënimi primar për sigurinë e Evropës.
Shteti fqinj, Suedia, i ka ofruar Danimarkës sisteme ushtarake anti-dronë para dy samiteve. Kryeministri suedez, Ulf Kristerrson, ka thënë për TV4 se sistemi i huazuar ka kapacitet të hedhë poshtë dronët.
27 liderët e BE-së do të takohen të mërkurën. Kërcënimi nga dronët pritet të jetë lartë në agjendë. Atyre do t’u bashkohen edhe dhjetëra liderë të tjerë në një samit më të gjerë të Komunitetit Politik Evropian të enjten.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë më herët gjatë muajit se Evropa “duhet t’i kushtojë vëmendje thirrjes së miqve baltikë dhe të ndërtojë një mur kundër dronëve”. Ajo ka thënë se do të ndahen 6 miliardë euro për të krijuar një aleancë dronësh me Ukrainën, forcat e armatosura të së cilës po përdorin mjete ajrore pa pilotë për mbrojtjen nga rusët.