Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se vendet që bëjnë tregti me Iranin do të përballen me një tarifë prej 25% për çdo aktivitet tregtar që kanë me Shtetet e Bashkuara.
Njoftimi vjen ndërsa Irani po shtyp protestat antiqeveritare, ku frikësohet se mijëra njerëz mund të jenë vrarë.
E Trumpi ka përdorur edhe më parë kërcënimin me tarifa për të ushtruar presion mbi vende të ndryshme.
Çfarë ka thënë Trumpi?
"Me efekt të menjëhershëm, çdo vend që bën biznes me Republikën Islame të Iranit do të paguajë një tarifë prej 25% për çdo biznes që kryhet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky urdhër është përfundimtar dhe i pakthyeshëm. Faleminderit për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje!”, ka shkrua Trumpi në Truth Social të hënën.
Presidenti nuk ka dhënë detaje të tjera mbi mënyrën e zbatimit.
Cilat vende tregtojnë me Iranin?
Nga mbi 100 vendet që tregtojnë me Iranin, Kina është partneri më i madh eksportues. Më 2025, deri në tetor, Kina bleu më shumë se 14 miliardë dollarë produkte nga Irani.
Pas Kinës vjen Iraku, që mori mallra me vlerë 10.5 miliardë dollarë. Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Turqia janë gjithashtu klientë të mëdhenj. Eksportet iraniane për në Turqi u rritën nga 4.7 miliardë dollarë në 2024 në 7.3 miliardë dollarë vitin e kaluar.
Shumica e eksporteve kryesore të Iranit lidhen me karburantet, pasi vendi është një nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës në botë. Ai gjithashtu eksporton ushqime, përfshirë pistakët dhe domatet.
Por importet e tij janë shumë më të mëdha, duke përfshirë drithëra, oriz, fara luledielli, vajra dhe sojë. Importi më i madh është ari, me 6.7 miliardë dollarë të importuar në 12 muaj deri në tetor, krahasuar me 4.8 miliardë dollarë vitin paraardhës.
Si mund të zbatohet tarifa?
Postimi i Trumpit thotë se tarifa prej 25% është “me efekt të menjëhershëm” dhe urdhri është “përfundimtar dhe i pakthyeshëm”. Megjithatë, Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë detaje për mënyrën e zbatimit praktik ose se cilat vende do të preken saktësisht.
Nuk dihet nëse tarifa do të aplikohet për të gjitha vendet që bëjnë biznes me Iranin ose vetëm për partnerët më të mëdhenj tregtarë. Po ashtu, nuk dihet nëse taksa prej 25% do të shtohet mbi tarifat ekzistuese.
Sipas ligjit amerikan, tarifat e mëparshme ishin vendosur nën “International Emergency Economic Powers Act”, por aktualisht ato janë subjekt i sfidave ligjore. Gjykata e Lartë amerikane pritet të vendosë për këtë çështje së shpejti.
Zbatimi i tarifës mund të jetë i vështirë, pasi Irani dyshohet të ketë fituar miliarda nga eksportet e naftës në 2024 duke përdorur flota të fshehta anijesh dhe duke shitur naftë me yuan kinez në vend të dollarit amerikan.
Si mund të ndikojë kjo marrëdhëniet SHBA-Kinë?
Në dukje, njoftimi i Trumpit rrezikon të ndezë sërish konfliktin tregtar midis SHBA-së dhe Kinës. Nëse tarifat zbatohet sipas planit, mallrat kineze të dërguara në SHBA do të ishin menjëherë subjekt i tarifës 25%.
Megjithatë, ato tashmë janë të tarifuar mesatarisht me 30.8%. Prandaj mbetet e paqartë nëse tarifa e re do të shtohet mbi të. Kina ka treguar më parë se është e gatshme të kundërshtojë veprime që i duket se janë të jashtëzakonshme nga SHBA-ja, përfshirë vendosjen e tarifave të saj dhe kufizimin e eksportit të mineraleve të rralla për të cilat SHBA-ja ka nevojë.
Çfarë po ndodh me ekonominë iraniane?
Irani ka rezerva të mëdha nafte, por ekonomia e tij është dobësuar nga keqmenaxhimi, rënia e shitjeve të naftës dhe sanksionet ndërkombëtare.
Shumë nga 92 milionë banorë luftojnë për të përballuar nevojat bazë si ushqimi dhe shërbimet, teksa kostot e larta të jetesës janë në zemër të protestave të fundit. Inflacioni ka arritur në 48.4% në tetor, ndërsa rënia e vlerës së rialit e ka bërë importin edhe më të shtrenjtë.
Reduktimi i subvencioneve për karburant në dhjetor dhe tarifat e reja mund të rrisin më tej inflacionin dhe të shtyjnë ekonominë më afër kolapsit.