Donald Trump është rikthyer në Shtëpinë e Bardhë, i gatshëm të bëjë ndryshimet duke përdorur mjetin më të shpejtë – urdhrin ekzekutiv.
Ai në ditën e tij të parë si president po shikon ta rrisë prodhimin vendor të energjisë dhe t‘i ndalojë programet e diversitetit, barazisë dhe gjithëpërfshirjes brenda qeverisë federale, që do të jenë disa prej veprimeve të tij të menjëhershme.
Një president i ri që nënshkruan një mori të urdhrave ekzekutivë , është praktikë e zakonshme. Urdhrat ekzekutivë lejojnë një president ta ushtrojë fuqinë pa pasur nevojë të veprohet nga Kongresi. Por, ka edhe kufizime të asaj që mund të arrijnë urdhrat.
Çfarë është një urdhër ekzekutiv?
Në thelb, janë deklarata të nënshkruara se si presidenti dëshiron që qeveria federale të menaxhohet. Mund të jenë udhëzime për agjencitë federale apo kërkesa për raporte.
Shumë urdhra mund të jenë të pakundërshtueshëm. Po ashtu mund të parashtrojnë politika kryesore. Si shembull, ish-presidenti Joe Biden kishte nënshkruar urdhër për të krijuar një strukturë për vendosjen e një rregulloreje për inteligjencën artificiale. Por, urdhrat ekzekutivë, po ashtu përdoren nga presidentët për t’i ndjekur agjendat e tyre të cilat nuk mund t’i shtyjnë para nëpërmjet Kongresit.
Presidentët e rinj mund – dhe shpesh e bëjnë – të lëshojnë urdhra për t’i anuluar urdhrat e paraardhësve të tyre.
Urdhrat nuk kërkojnë aprovim nga Kongresi dhe nuk mund të anulohen drejtpërdrejt nga ligjvënësit. Megjithatë, Kongresi mund të bllokojë një urdhër që të përmbushet duke hequr fondet ose duke krijuar pengesa.
Sa të zakonshëm janë urdhrat ekzekutivë
Gjatë historisë së SHBA-së, ka pasur me mijëra urdhra ekzekutivë, sipas të dhënave të mbledhura nga Projekti i Presidencës Amerikane i Universitetit të Kalifornisë. George Washington nënshkroi tetë urdhra ekzekutivë, ndërsa Franklin Delano Roosevelt nënshkroi 3721.
Gjatë mandatit të tij të parë, Trump, nënshkroi 220.
E Joe Biden nënshkroi 160 deri më 20 dhjetor të vitit të kaluar.
Trump ka parashikuar të nënshkruajë deri në 100 urdhra ekzekutivë në ditën e tij të parë, duke mbuluar ndoshta dëbimet, kufirin SHBA – Meksikë, prodhimin e energjisë, rregullat për punonjësit federalë, politikat gjinore të shkollave dhe mandatet e vaksinave. Ai po ashtu ka premtuar të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv për të dhënë më tepër kohë për shitjen e TikTokut.
Kufizimet
Si Kongresi ashtu edhe gjykatat mund të bllokojnë urdhrat ekzekutivë.
Shembull, Kongresi në vitin 1992 revokoi një urdhër ekzekutiv nga presidenti i atëhershëm George H. W. Bush që do të krijonte një “bankë” të indeve të fetusit njerëzor për kërkime shkencore, duke miratuar një masë që urdhri “s’do të ketë asnjë efekt ligjor”. Kongresi gjithashtu mund ta mohojë financimit për agjencitë dhe të pengojë zbatimin e urdhrit.
Ka edhe sfida ligjore bazuar në argumentin se një president ka tejkaluar autorizimet e tij ligjore. Kur presidenti Harry Truman u përpoq të kapte fabrikat e çelikut gjatë Luftës Koreane, Gjykata e Lartë e SHBA-së tha se atij i mungon autoriteti për të marrë pronën private pa autorizim nga Kongresi.