Edhe pse presidentët e tjerë janë përplasur me gjykatat, përplasjet e Trumpit janë pa dyshim unike për nga shkalla dhe zemërimi i tyre – dhe ndoshta ishin të pashmangshme, duke pasur parasysh se ai erdhi në Shtëpinë e Bardhë me breshëri urdhrash ekzekutivë për t’i realizuar sa më shpejt qëllimet e tij. Urdhrat ekzekutivë janë brenda kompetencave të presidentit. Fuqia për t’i dhënë ata buron drejtpërdrejti nga neni II i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, pra Trumpi nuk po e shpërfill apo anashkalon Kushtetutën – ai po përdor levat e qeverisjes që i lejohen, për aq kohë sa urdhrat mbështeten në autoritet ligjor; dhe këta urdhra kanë fuqinë e ligjit. Ajo që presidenti nuk mund të bëjë është të krijojë ligje të reja apo të ndërmarrë veprime që bien ndesh me Kushtetutën.
Ishte një pasdite e ngrohtë në fundin e majit të vitit 2024 në pjesën e poshtme të Manhattanit. Juria në gjyqin ndaj Donald Trumpit, lidhur me pagesat e fshehta të bëra nga ish-avokati i tij për aktoren e filmave për të rritur Stormy Daniels, ishte në ditën e dytë të shqyrtimit të vendimit.
Sipas thashethemeve, ata do të dërgoheshin në shtëpi për atë ditë; e dikush tjetër sugjeronte se vendimi veçse ishte marrë.
Disa sekonda para se të fillonte edicioni i “BBC News” në orën dhjetë, gazetari i këtij mediumi kishte nxituar në pikën e transmetimit të drejtpërdrejtë jashtë gjykatës, duke thyer madje ekranin e telefonit.
Të 34 akuzat kundër Trumpit kishin rezultuar me fajësi, duke shpërfaqur rëndësinë historike që tanimë një ish-president është i dënuar penal – për herë të parë në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Korrespondenti kryesor i BBC-së për Amerikën e Veriut, Gary O’Donoghue, kishte kaluar muaj të tërë duke i ndjekur nga afër shumë çështje ligjore të Trumpit në gjykatat përgjatë bregut lindor.
Katër çështje penale të ndara; disa padi civile; po e godisnin atë nga të gjitha anët, duke kërcënuar jo vetëm lirinë e tij, por edhe ekzistencën e tij politike.
Një vit më pas, dhe situata është krejtësisht ndryshe.
Tri vendime të rëndësishme të Gjykatës Supreme – njëri që u jep presidentëve dhe ish-presidentëve imunitet të gjerë nga ndjekja penale; një tjetër që rrëzon vendimin që përpjekjet e Trumpit për t’i përmbysur zgjedhjet e 2020-s e s’kualifikonin atë nga kandidimi për president; dhe i treti, muajin e kaluar, që kufizon fuqinë e gjykatësve të distriktit për ta bllokuar agjendën politike – e kanë trimëruar këtë president, i cili, pasi e ka mbushur Gjykatën Supreme me një shumicë konservatore të fortë, tani ka vënë në shënjestër gjykatat e shkallës më të ulët.
Këta gjykatës federalë të distriktit – të cilët shpesh kanë marrë vendime mbi politikat e imigracionit që zbatoheshin në mbarë vendin – tani po përballen me sulm të drejtpërdrejtë nga një administratë që ka vënë në dyshim legjitimitetin e tyre, dhe sipas disa pretendimeve ka shpërfillur autoritetin e tyre.
Pyetja është: a duhet të kundërshtojnë për të riafirmuar autoritetin e tyre – dhe nëse po, si mund ta bëjnë këtë? Dhe a do ta riformësojë kjo përgjithmonë balancën e pushteteve në SHBA, edhe pas përfundimit të mandatit të Donald Trumpit?
“Sulmi më i rëndë ndaj demokracisë”
Disa gjyqtarë – aktivë dhe në pension – kanë thënë për BBC-në se shkalla e “sulmit” është e pashembullt.
John E. Jones III, ish-gjyqtar në Pensilvani, i emëruar nga një president republikan, dhe tanimë president në Kolegjin Dickinson, ka theksuar se “është e drejtë të thuhet se në veçanti, gjykatat federale të distriktit … janë nën sulm nga administrata në një mënyrë që është pashembullt”.
Përveç komenteve të tij gjatë një bisede telefonike me gazetarin e BBC-së, presidenti i SHBA-së i ka quajtur gjyqtarët “të korruptuar”, “përbindësha”, “të çmendur”, “të rrjedhur”, “që urrejnë SHBA-në” dhe “radikalë të majtë”.
Ai ka kërkuar po ashtu edhe shkarkimin e atyre me të cilët nuk është dakord. Madje ka pasur kërcënime për të paditur gjyqtarë.
Zëvendësshefi i stafit të tij, Stephen Miller, ka qenë edhe më i ashpër, duke deklaruar se vendi po jeton nën tirani gjyqësore.
“Për çdo ditë, ata ndryshojnë politikat e jashtme, ekonomike, të stafit dhe të sigurisë kombëtare të administratës”, pati shkruar ai në rrjetin social X. “Është çmenduri. Është marrëzi. Është anarki e pastër”.
“Është sulmi më i rëndë ndaj demokracisë. Duhet dhe do të përfundojë”, ka vazhduar Miller.
Nga kërcënimet me vdekje deri te publikimi i informacioneve personale, gjyqtarët po përballen me klimë armiqësore, dhe në disa raste me kërcënime për dhunë nga publiku.
“[Ata] po përballen me kërcënime që nuk i kanë parë kurrë më parë”, ka thënë Nancy Gertner, ish-gjyqtare federale që tani jep mësim në Shkollën e Drejtësisë në Harvard.
Ajo u emërua nga presidenti Bill Clinton teksa i kaloi 17 vjet në gjykatën federale në Massachusetts.
Ajo ka bërë të ditur se disa gjyqtarë kanë marrë kërcënime me vdekje këtë vit, për shkak të bllokimit apo vonimit të urdhrave ekzekutivë të presidentit.
Nuk ka sugjerime që Trumpi mund të ketë dijeni për këto kërcënime.Sipas Shërbimit të Marshalëve të SHBA-së, që mbron gjyqtarët, deri në mes të muajit qershor janë regjistruar mbi 400 kërcënime ndaj gati 300 gjyqtarëve – më shumë se gjatë gjithë vitit 2022.
Në disa raste është përdorur “doxxing” – publikimi i informacionit personal për gjyqtarët ose familjarët e tyre.
Format e tjera të frikësimit kanë qenë edhe më të rënda.
Sipas Esther Salas, gjyqtare federale në New Jersey, mbi 100 gjyqtarë kanë marrë porosi të rreme për pica.
Mund të tingëllojë si shaka, mirëpo dërgesat shpeshherë shoqërohen me kërcënime, dhe në rreth 20 raste emri i përdorur ishte ai i Daniel Anderl – djalit të vrarë të gjyqtares Salas.
Ai ishte vrarë pesë vjet më parë nga një avokat i pakënaqur lidhur me njërën prej çështjeve që e kishte gjykuar nëna e tij. Sulmuesi, që plagosi edhe bashkëshortin e saj, ishte maskuar si shpërndarës picash.
Gjyqtarja Salas i ka treguar ekipit të BBC-së për reagimin e saj kur dëgjoi për këto porosi.
“Të thuash se u ndjeva e zemëruar është pak. Dhe pastaj të vij në shtëpi dhe t’ia tregoj burrit tim që mezi mbijetoi...”
Rritja e kërcënimeve ka nisur para kësaj administrate, por sipas gjyqtares Salas, “tani kemi hyrë në një territor të ri. Retorika e ashpër është dritë e gjelbër për çdo njeri që mendon se duhet të veprojë vetë.
Dhe liderët tanë e dinë këtë”.
Breshëria e urdhrave ekzekutivë
Edhe pse presidentët e tjerë janë përplasur me gjykatat, përplasjet e Trumpit janë pa dyshim unike për nga shkalla dhe zemërimi i tyre – dhe ndoshta ishin të pashmangshme, duke pasur parasysh se ai erdhi në Shtëpinë e Bardhë me një breshëri urdhrash ekzekutivë për t’i realizuar sa më shpejt qëllimet e tij.
Vetëm ditën e parë, ai firmosi rreth 26 urdhra.
Deri në fillim të korrikut, numri i përgjithshëm kishte shkuar në rreth 140 – më shumë sesa firmosi Joe Biden gjatë gjithë mandatit të tij katërvjeçar, dhe vetëm 100 më pak se Barack Obama gjatë tetë vjetëve të tij në detyrë.
Trump mund të kishte kërkuar nga Kongresi që të nxirrte ligje për të zbatuar këto politika; në fund të fundit, republikanët kontrollojnë të dy dhomat.
Por ai proces kërkon kohë, dhe Kongresi është përqendruar në legjislacionin e tij kryesor të brendshëm – të ashtuquajturin “Projektligji i madh dhe i bukur” – që do të thotë se nuk ka pasur kohë për çështje të tjera.
Urdhrat ekzekutivë janë brenda kompetencave të presidentit. Fuqia për t’i dhënë ata buron drejtpërdrejti nga neni II i Kushtetutës së SHBA-së, pra Trumpi nuk po e shpërfill apo anashkalon Kushtetutën – ai po përdor levat e qeverisjes që i lejohen, për aq kohë sa urdhrat mbështeten në autoritet ligjor; dhe këta urdhra e kanë fuqinë e ligjit.
Ajo që presidenti nuk mund të bëjë është të krijojë ligje të reja apo të ndërmarrë veprime që bien ndesh me Kushtetutën.
Dhe nëse Kongresi nuk ndërhyn, e vetmja rrugë për t’i sfiduar këta urdhra është përmes gjykatave.
Shtrirja e gjerë e urdhrave që ka firmosur – shumë prej tyre që prekin çështje kushtetuese si e drejta për shtetësi për të gjithë të lindurit në Shtetet e Bashkuara – ka dërguar në dhjetëra ndalime të përkohshme në shkallë kombëtare, derisa të shqyrtohen rastet një nga një.
Kjo është arsyeja se pse fitorja e fundit e Trumpit në Gjykatën Supreme, që kufizon fuqinë e gjyqtarëve të distriktit për të lëshuar ndalime kombëtare, është kaq e rëndësishme.
“Këta gjyqtarë të gjykatave të distriktit kanë dalë jashtë kontrollit”, ka thënë Jeff Anderson.
A po e bllokojnë gjyqtarët “vullnetin e popullit”?
Administrata e Trumpit ka përdorur argumente të ndryshme. Gjyqësori është akuzuar për “tejkalim kompetencash”, dhe gjyqtarët janë akuzuar si “aktivistë”. Por ndoshta kritika më e thellë – dhe më filozofike – është se ata po pengojnë vullnetin e popullit.
Sipas Stephen Miller, “gjyqtarët marksistë të dalë jashtë kontrollit” po qëndrojnë përballë “dëshirave të elektoratit”.
Por kjo, sipas shumë gjyqtarëve, përfaqëson keqkuptim thelbësor të Kushtetutës.
“Ne jemi një komb ligjesh, jo njerëzish”, ka shpjeguar gjyqtari John E Jones III. “Një mandat për presidentin nuk do të thotë një mandat për të shpërfillur ligjin. Kjo është e qartë. Këto argumente po përfaqësojnë një shpërfillje themelore për ligjin dhe Kushtetutën”.
Ka shenja që disa individë brenda administratës, pavarësisht deklaratave zyrtare, mund të jenë duke menduar ta shpërfillin autoritetin e gjykatave.
Zëvendësministri për çështjet e kufirit, Tom Homan, ishte deklaruar në televizion për rastin ku një gjykatë kërkonte të ndalonte deportimin e disa qindra venezuelasve, duke thënë se “jam krenar që jam pjesë e kësaj administrate. Nuk do të ndalojmë… Nuk më intereson se çfarë mendojnë gjyqtarët”.
Por, në intervistën që BBC-ja e kishte zhvilluar me Trumpin javën e kaluar, ai i pati mohuar pretendimet se po e shpërfill gjyqësorin, tek ka theksuar se kur vendimet kanë qenë kundër tij, ai ka ndjekur gjithmonë rrugën e apelimit.
“Kam shumë respekt për ta, nuk i shpërfilli. Kam respekt të madh për gjyqësorin. Dhe ju e shihni këtë”, i kishte thënë presidenti amerikan gazetarit të BBC-së. “Kjo është arsyeja pse po fitoj në apel”.
SHBA-ja po përballet me situatë katastrofale
Disa kritikë të ashpër të presidentit shkojnë më tutje, teksa kanë konsideruar se ai po e shkatërron të gjithë sistemin e kontrollit dhe balancimit reciprok, ku të tri degët e qeverisë (presidenca, kongresi dhe gjyqësori) veprojnë si kundërpesha të njëra-tjetrës.
“Kjo është një pikë e madhe e kthesës për vendin”, ka thënë profesori Laurence Tribe, një nga ekspertët më të njohur kushtetues në SHBA, si dhe kritik i hapur i presidentit.
Ai ka argumentuar se Kongresi ka pushuar së ushtruari funksionin mbikëqyrës, dhe ka frikë se “Shtetet e Bashkuara po përballen me situatë katastrofale”.
“Ideja e tri degëve të ndara… u hartua në fillim të republikës sonë – përpara se të ekzistonin partitë politike dhe përpara ngritjes së demagogëve aq efektivë dhe karizmatikë sa Trumpi”, ka thënë ai për BBC-në. “I gjithë sistemi është plotësisht i paekuilibruar”.
Kjo zhvendosje e fuqisë drejt presidencës është kritikuar shpeshherë edhe në të kaluarën.
Pas skandalit “Watergate” në vitet ‘70, kur presidenti Richard Nixon i pati shpërfillur shumë norma të mëparshme presidenciale, u miratuan ligje për ta kufizuar fuqinë e ekzekutivit dhe për ta bërë atë më të përgjegjshëm.
Por disa nga këto ndryshime ishin thjesht norma, si publikimi i deklaratave tatimore presidenciale apo shmangia e konflikteve financiare të interesit – dhe ky president nuk ka treguar shqetësim për t’i respektuar këto norma.
Gjyqësori po kundërpërgjigjet
Kur flitet për marrëdhënien mes presidencës dhe gjyqësorit, edhe Nixon nuk e shpërfilli autoritetin e gjykatës: ai i kishte dorëzuar kasetat famëkeqe të Watergatetit, pasi Gjykata Supreme e kishte urdhëruar njëzëri këtë.
Trump ka ardhur afër shpërfilljes. Në njërin rast, pasi u urdhërua të lejonte kthimin e Kilmar Ábrego García, një burrë i deportuar padrejtësisht në El Salvador, administrata ishte akuzuar se zvarriti zbatimin e vendimit të Gjykatës Supreme.
Madje edhe prokurorja e përgjithshme, Pam Bondi, pati thënë se “ai nuk do të kthehet në vendin tonë”.
U deshën dy muaj për të zbatuar vendimin e gjykatës. E kjo është vlerësuar nga kritikët si paralajmërim për atë që mund të vijë.
Sepse ka vetëm dy mënyra për të mbajtur realisht përgjegjës një president – përmes zgjedhjeve, ose përmes shkarkimit nga Kongresi – dhe Trumpi u ka mbijetuar dy proceseve të shkarkimit në të kaluarën.
Por nëse ka në të vërtetë plane për t’i shpërfillur apo neutralizuar gjykatat, sistemi gjyqësor nuk po dorëzohet pa luftë.
Edhe pas vendimit të Gjykatës Supreme në fund të qershorit për të kufizuar ndalimet në shkallë kombëtare (çuditërisht, presidentë nga të dyja partitë kanë shprehur pakënaqësi për këto ndalime në të kaluarën), një tjetër gjyqtar vendosi një ndalim të tillë ndaj politikës së Trumpit për azilin.
Kjo betejë është në zhvillim e sipër, por është larg prej epilogut – dhe pasojat e saj për këtë president dhe për presidentët e ardhshëm mbeten ende të paparashikueshme.