Botë

Çfarë dihet për programin bërthamor të Izraelit

Pamje të qendrës për hulumtime bërthamore në Dimona të Izraelit. Fotografi nga sateliti më 1971.

Pamje të qendrës për hulumtime bërthamore në Dimona të Izraelit. Fotografi nga sateliti më 1971.

Foto: Associated Press

Izraeli ka sulmuar me raketa Iranin që nga e premtja e shkuar, me pretendimin se po sulmon kapacitetet bërthamore të tij. Por çfarë dihet deri tash për kapacitetet bërthamore të Izraelit?

Izraeli në publik nuk e ka pranuar kurrë se ka program të armëve bërthamore, dhe presidentët amerikanë kanë ndihmuar të ruajnë sekret të detajeve.

Por Izraeli është një nga nëntë shtetet që dihet se kanë armë bërthamore.

Izraeli ka nisur eksplorimin për zhvillim të armëve bërthamore qysh para themelimit të tij më 1948, pastaj në një vend sekret më 1958 pranë qytetit jugor të Dimonës.

Mendohet gjerësisht se Izraeli e mblodhi armën e parë bërthamore rreth 1966-s ose 1967-s. Më 1968, CIA lëshoi një raport që pati thënë se Izraeli me sukses ka nisur prodhimin e armëve bërthamore.

Izraeli besohet se ka kryer testime nukleare tinëz më 1979 – por këtë e mohon.

Programi i tij është zgjeruar për shumë vjet, sipas ekspertëve.

Sa është i madh kapaciteti bërthamor i Izraelit?

Izraeli tani posedon rreth 90 koka bërthamore dhe besohet se ka mjaftueshëm material nuklear për të prodhuar deri në 300 armë bërthamore, sipas organizatës amerikane “Nuclear Threat Initiative (NTI)”.

Izraeli vazhdon ta modernizojë sistemin e vet, sipas SIPRI-t (institut ndërkombëtar për çështje të paqes), që ka thënë se Izraeli ka kryer testin e sistemit shtytës të raketave më 2024, e që mund të lidhet me familjen e saj “Jericho” të raketave balistike të afta për të transportuar armë bërthamore.

Izraeli po ashtu duket se po përmirëson fabrikën e reaktorit të prodhimit të plutoniumit në Dimona, sipas SIPRI-t.

Çfarë ka thënë Benjamin Netanyahu?

Në një intervistë me CNN-in në maj 2018 – menjëherë pasi Izraeli vodhi arkivat nukleare të Iranit nga Teherani – kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ishte pyetur nëse është i gatshëm të pranojë për programin bërthamor të Izraelit.

“Gjithmonë e kemi thënë se nuk do të jemi të parët që do të prezantojmë (një armë bërthamore), prandaj nuk e kemi prezantuar”, ka thënë ai.

Izraeli nuk e ka nënshkruar Traktatin për Mospërhapje Bërthamore të vitit 1970 dhe i kundërshton përpjekjet diplomatike për të krijuar Zonë të Lirë nga armët bërthamore në Lindjen e Mesme.

Izraeli e ka nënshkruar dhe ratifikuar Traktatin e ndalimit të kufizuar të testeve bërthamore më 1963, i cili obligon nënshkruesit të mos shpërthejnë pajisje bërthamore në atmosferë apo oqeane.

Lexo përditësimet tjera
Donald Trump

SHBA-ja dy javë afat Iranit

Presidenti amerikan, Donald Trump ka miratuar planet për të sulmuar Iranin, por nuk ka marrë një...