Pas 12 ditësh lufte intensive midis Iranit dhe Izraelit, një armëpushim i brishtë duket se po respektohet, duke ngjallur shpresa për një marrëveshje paqeje afatgjatë, ndonëse tensionet mbeten të larta për shkak të programit bërthamor të Iranit. Sulmet amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane kanë ngritur pikëpyetje mbi efektivitetin e tyre, ndërkohë që Irani paralajmëron përshpejtimin e programit të tij dhe pezullimin e bashkëpunimit me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA). Në anën tjetër, ekzekutimi i disa të burgosurve për spiunazh ka shtuar shqetësimet për shtypje të brendshme. Popullsia iraniane, megjithatë, përpiqet të rifillojë jetën normale pas konfliktit
Armëpushimi i brishtë midis Izraelit dhe Iranit dukej se po zbatohej të mërkurën pas një fillimi të vështirë, duke dhënë shpresë se mund të çojë në një marrëveshje paqeje afatgjatë, ani pse Teherani këmbëngul se nuk do të heqë dorë nga programi i tij bërthamor.
Armëpushimi hyri në fuqi të martën, në ditën e 12-të të luftës, me secilën palë që akuzonte tjetrën për shkeljen e tij derisa raketat, dronët dhe bombat më në fund u ndalën.
Të mërkurën, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i cili ndihmoi në negocimin e armëpushimit, u tha gazetarëve në samitin e NATO-s në Hagë të Holandës se gjithçka po shkonte “shumë mirë”.
“Ata nuk do të kenë një bombë bërthamore”, tha Trumpi duke iu referuar Iranit.
Megjithatë, Irani ka këmbëngulur se nuk do të heqë dorë nga programi i tij bërthamor.
Në një votim së fundi, parlamenti i tij ra dakord të përshpejtojë një propozim që do të ndalonte në mënyrë efektive bashkëpunimin e vendit me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), organin mbikëqyrës të OKB-së që ka monitoruar programin për vite me radhë. Përpara votimit, Kryetari i Parlamentit Mohammad Bagher Qalibaf kritikoi IAEA-në për “refuzimin që të dënojë sulmin ndaj objekteve bërthamore të Iranit” që Shtetet e Bashkuara kryen të dielën.
“Për këtë arsye, Organizata e Energjisë Atomike e Iranit do të pezullojë bashkëpunimin me IAEA-në derisa të sigurohet siguria e objekteve bërthamore dhe programi bërthamor paqësor i Iranit do të ecë përpara me një ritëm më të shpejtë”, u tha Qalibaf ligjvënësve.
Drejtori i Përgjithshëm i IAEA-së, Rafael Mariano Grossi, tha se i kishte shkruar tashmë Iranit për të diskutuar rifillimin e inspektimeve të objekteve të tyre bërthamore.
Ndër të tjera, Irani pretendon se ka zhvendosur uraniumin e tij të pasuruar shumë përpara sulmeve të SHBA-së dhe Grossi tha se inspektorët e tij duhet të rivlerësojnë rezervat e vendit.
“Ne duhet të kthehemi aty”, ka shtuar ai. “Duhet të angazhohemi”.
Pikëpyetje mbi efektivitetin e sulmeve të SHBA-së
Sulmet amerikane goditën tri lokacione bërthamore iraniane, të cilat Trump tha se i “shkatërruan plotësisht” programin bërthamor vendit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, konfirmoi se sulmet nga bombarduesit amerikanë B-2 duke përdorur bomba bunker-shkatërruese kishin shkaktuar dëme të konsiderueshme.
“Instalimet tona bërthamore janë dëmtuar rëndë, kjo është e sigurt”, i tha ai Al Jazeeraz të mërkurën, ndërsa refuzoi të hynte në detaje.
Ai dukej se sugjeroi që Irani mund të mos i përjashtonte inspektorët e IAEA-s përgjithmonë, duke vënë në dukje se projektligji para parlamentit flet vetëm për pezullimin e punës me agjencinë, jo për përfundimin e saj. Ai gjithashtu këmbënguli se Irani ka të drejtë të ndjekë një program energjie bërthamore.
“Irani është i vendosur ta ruajë këtë të drejtë në çdo rrethanë”, tha ai.
I dërguari special i Trumpit në Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, tha në Fox News të martën vonë se Izraeli dhe SHBA-ja kishin arritur objektivin e tyre për “shkatërrimin total të kapacitetit të pasurimit” në Iran, dhe parakushti i Iranit për bisedime - që Izraeli të përfundojë fushatën e tij - ishte përmbushur.
Në samitin e NATO-s, kur u pyet për një raport të inteligjencës amerikane që zbuloi se programi bërthamor i Iranit është penguar ose vonuar vetëm për disa muaj, Trump u tall dhe tha se të paktën do të duheshin “vite” për t’u rindërtuar.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, gjeneral brigade Effie Defrin, tha se vlerësimi i vendit të tij ishte se objektet bërthamore të Iranit ishin “dëmtuar ndjeshëm” dhe programi i tij bërthamor “është kthyer prapa me vite”.
Grossi tha se nuk mund të spekulonte se sa i madh ishte dëmi, por se aftësitë bërthamore të Iranit ishin të njohura mirë.
“Njohuritë teknike ekzistojnë dhe kapaciteti industrial është atje”, tha ai. “Këtë askush nuk mund ta mohojë, kështu që ne duhet të punojmë së bashku me ta”.
Shpresa për një marrëveshje paqeje afatgjatë
Një zyrtar izraelit, i cili foli në kushte anonimiteti për të diskutuar mbi bisedimet e brendshme, tha se marrëveshja e armëpushimit me Iranin përfaqëson një “qetësi në këmbim të qetësisë”, pa asnjë marrëveshje shtesë në lidhje me programin bërthamor të Iranit në të ardhmen.
Në intervistën për Fox News, Witkoff tha se Trump tani po kërkon të arrijë “një marrëveshje gjithëpërfshirëse paqeje që shkon përtej armëpushimit”.
“Ne tashmë po flasim me njëri-tjetrin, jo vetëm drejtpërdrejt, por edhe përmes bashkëbiseduesve”, tha Witkoff, duke shtuar se bisedat ishin premtuese tek shtoi se po shpresojnë se mund të kenë një marrëveshje afatgjatë paqeje.
Megjithatë, Baghaei, zëdhënësi iranian, tha se Uashingtoni kishte sulmuar diplomacinë me sulmet e tij ndaj vendeve bërthamore, dhe se ndërsa Irani në parim ishte gjithmonë i hapur për bisedime, siguria kombëtare ka përparësi.
“Ne duhet të sigurohemi nëse palët e tjera janë vërtet serioze kur flasin për diplomaci, apo është përsëri pjesë e taktikave të tyre për të krijuar më shumë probleme për rajonin dhe për vendin tim”, tha ai.
Kina, një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe partnere e ngushtë iraniane, gjithashtu u përfshi, duke thënë se shpresonte që një armëpushim i qëndrueshëm dhe efektiv të mund të arrihet në mënyrë që të promovojë paqen dhe stabilitetin në rajon.
Kina është një blerëse e madhe e naftës iraniane dhe prej kohësh e ka mbështetur politikisht qeverinë e tij, duke fajësuar Izraelin për fillimin e konfliktit të fundit dhe destabilizimin e rajonit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Guo Jiakun, u tha gazetarëve se Kina është e gatshme të “injektojë” faktorë pozitivë për të mbrojtur paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme.
Grossi tha se Irani dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të shfrytëzojnë mundësinë e armëpushimit për një zgjidhje diplomatike afatgjatë.
“Nga gjërat e këqija që sjell konflikti ushtarak, tani ekziston edhe një mundësi, një shpresë, tha ai. “Nuk duhet ta humbasim këtë mundësi”.
Irani ekzekuton edhe 3 të burgosur të tjerë nën akuzat për spiunazh
Gjatë luftës me Izraelin, Irani ekzekutoi disa të burgosur të akuzuar për spiunazh për Izraelin, duke shkaktuar frikën e aktivistëve se mund të kryejë një valë ekzekutimesh pas përfundimit të konfliktit.
Të mërkurën, Irani vari tre të burgosur të tjerë me akuza për spiunazh, duke e çuar numrin total të ekzekutimeve për spiunazh në gjashtë që nga 16 qershori.
Varjet u kryen në Burgun Urmia në Azerbajxhanin Perëndimor, provinca më veriperëndimore e Iranit. Agjencia shtetërore IRNA citoi gjyqësorin e Iranit për lajmin, duke thënë se burrat ishin akuzuar për sjelljen e “pajisjeve për vrasje” në vend.
Irani i identifikoi të tre si Azad Shojaei, Edris Aali dhe shtetasi irakian Rasoul Ahmad Rasoul. Amnesty International kishte ngritur më parë shqetësime se burrat mund të ekzekutoheshin.
Gjatë luftës 12-ditore, të paktën 28 persona u vranë në Izrael dhe më shumë se 1.000 u plagosën, sipas zyrtarëve.
Teherani të martën e çoi numrin e të vdekurve në Iran në 606, me 5.332 persona të plagosur. Grupi i Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut me seli në Uashington publikoi të mërkurën shifra që sugjeronin se sulmet izraelite ndaj Iranit kishin vrarë të paktën 1.054 persona dhe kishin plagosur 4.476.
Grupi, i cili ka ofruar shifra të detajuara për numrin e viktimave nga raunde të shumta trazirash në Iran, tha se 417 prej të vrarëve ishin civilë dhe 318 ishin personel i forcave të sigurisë.
Gjatë luftës, sulmet ajrore izraelite shënjestruan gjithashtu udhëheqjen e lartë ushtarake të Iranit dhe vende të tjera të lidhura me teokracinë e saj në pushtet.
Me armëpushimin në fuqi, iranianët po përpiqen t’i kthehen jetës normale.
Mediat shtetërore përshkruan trafik të dendur rreth Detit Kaspik dhe zonave të tjera rurale jashtë kryeqytetit, Teheran, ndërsa njerëzit filluan të ktheheshin në qytet.