Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Një sulm me raketë nga Irani goditi të shtunën qytetin Dimona në jug të Izraelit, rreth 13 kilometra larg një objekti kërkimor bërthamor.

Agjencia ndërkombëtare e energjisë atomike ka bërë të ditur se nuk ka informacion për dëme në këtë objekt pas sulmit. Megjithatë, drejtori i përgjithshëm ka paralajmëruar se duhet të respektohet “përmbajtje maksimale ushtarake, veçanërisht në afërsi të objekteve bërthamore”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Qendra Kërkimore Bërthamore “Shimon Peres Negev Nuclear Research Center”, e vendosur në shkretëtirën Negev, shpesh njihet si “reaktori i Dimonës” dhe konsiderohet gjerësisht se strehon arsenalin e padeklaruar bërthamor të Izraelit.

Zyrtarisht, objekti thuhet se merret vetëm me kërkime, por për rreth gjashtë dekada është konsideruar si sekret i hapur se Izraeli ka zhvilluar armë bërthamore aty, ndonëse qeveritë kanë mbajtur një qëndrim të paqartë për këtë çështje.

Kjo e bën Izraelin të vetmin fuqi bërthamore në Lindjen e Mesme, ndaj çdo shenjë se objektet e tij mund të jenë në shënjestër trajtohet me seriozitet të lartë nga autoritetet izraelite.

Televizioni shtetëror iranian ka deklaruar se sulmi ishte në përgjigje të një sulmi të raportuar më herët gjatë së shtunës ndaj objektit bërthamor “Natanz”.

SHBA-ja ka mjaftueshëm fonde për luftën ndaj Iranit, thotë sekretari i Thesarit

3 d. më parë / 22 mar 2026 17:39
Scott Bessent

Photo: Associated Press

Qeveria e SHBA-së ka “mjaftueshëm para” për të financuar luftën kundër Iranit, por po kërkon fonde shtesë nga Kongresi për të siguruar që ushtria të jetë e furnizuar mirë në të ardhmen, ka thënë të dielën Sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Bessent.

Duke folur për NBC Neës, ai gjithashtu ka përjashtuar mundësinë e rritjes së taksave për të financuar luftën.

Kërkesa e ushtrisë amerikane për 200 miliardë dollarë fonde shtesë për luftën në Iran po përballet me kundërshtim të fortë në Kongres, ku demokratët dhe madje disa republikanë po vënë në pikëpyetje nevojën për këto fonde pas alokimeve të mëdha për mbrojtjen vitin e kaluar.

Presidenti Donald Trump ende nuk ka dërguar një kërkesë zyrtare në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve për miratimin e kësaj shume dhe administrata e tij e ka bërë të qartë se shifra mund të ndryshojë.

Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka thënë javën e kaluar se fondet shtesë nevojiten “për të siguruar që jemi të financuar siç duhet për atë që është bërë dhe për atë që mund të na duhet të bëjmë në të ardhmen".

Treguesit e hershëm sugjerojnë se kjo luftë mund të jetë më e kushtueshmja për SHBA-në që nga konfliktet e gjata në Irak dhe Afganistan. Zyrtarë të administratës u kanë thënë ligjvënësve se gjashtë ditët e para të luftës me Iranin kanë kushtuar më shumë se 11 miliardë dollarë.

Kongresi i kontrolluar nga republikanët tashmë ka miratuar financim rekord për ushtrinë që kur Trumpi filloi mandatin e tij të dytë në janar 2025. Muajin e kaluar, ai nënshkroi ligjin për Buxhetin e Mbrojtjes për vitin fiskal 2026 me rreth 840 miliardë dollarë financim.

Irani mund të kërkojë para për kalim të anijeve në Ngushticën e Hormuzit

3 d. më parë / 22 mar 2026 17:05
ngushtica e hormuzit

Foto: EPA

Një burim iranian i ka thënë CNN-it se Irani po ecën përpara me monetizimin e kontrollit mbi Ngushticën e Hormuzit, ku Teherani zyrtar kontrollon se kush kalon dhe me çfarë kushtesh. 

"Ne do të vazhdojmë të shtypim Izraelin dhe të krijojmë një regjim të ri ligjor në Ngushticën e Hormuzit", ka thënë burimi, duke iu referuar me sa duket disa raporteve që detajojnë pagesa në rangun e 2 milionë dollarëve për çdo cisternë që kalon. 

Burimi ka shtuar se Trumpi duhet të "pranojë kushtet e Iranit" për përfundimin e luftës, duke thënë se ai rrezikon vetëvrasje politike. 

"Duket se Trumpi, i përballur me presion nga brenda Amerikës dhe rritjen e çmimeve globale të naftës, duhet të dalë nga kurthi që Netanyahu i ka ngritur sa më shpejt, dhe të pranojë kushtet e Iranit”, ka thënë burimi. 

Ngushtica e Hormuzit është një pikë kyç përmes së cilës kalon rreth një e pesta e naftës botërore. Që kur ka nisur lufta SHBA-Izrael, ajo ka mbetur pothuajse e mbyllur, çka ka çuar në rritje të vazhdueshme të çmimeve të naftës.

Irani kërcënon me mbyllje të plotë të Ngushticës së Hormuzit

3 d. më parë / 22 mar 2026 16:03
Ngushtica e Hormuzit

Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) ka thënë në një deklarat të lëshuar të dielën, se do ta "mbyllë plotësisht" Ngushticën e Hormuzit nëse SHBA-ja synon infrastrukturën energjetike iraniane.

Deklarata vjen pak orë pasi presidenti amerikan, Donald Trump kërcënoi se do të "shkatërronte" termocentralet e Iranit nëse Ngushtica nuk hapej brenda 48 orëve.

Edhe kryediplomati iranin, Abbas Araghchi, ka deklaruar të dielën se Ngushtica e Hormuzit është e mbyllur vetëm për armiqtë e Iranit.

Mbyllja praktike e ngushticës ka shkaktuar rritje të vazhdueshme të çmimeve të naftës, e cila ka arritr nivele të larta të premten e kaluar. 

Papa Leoni e quan luftën në Lindjen e Mesme “skandal për njerëzimin”

3 d. më parë / 22 mar 2026 14:07
Papa Leoni

Photo: Associated Press

Papa Leoni ka thënë të dielën se vdekjet dhe vuajtjet e shkaktuara nga lufta në Lindjen e Mesme janë një "skandal për të gjithë njerëzimin", duke përsëritur thirrjen e tij për armëpushim të menjëhershëm

Teksa lufta SHBA-Izrael kundër Iranit hyn në javën e saj të katërt, Papa i parë amerikan ka thënë se vazhdon të ndjekë me "shqetësim" situatën në Lindjen e Mesme dhe në rajone të tjera të shkatërruara nga lufta dhe dhuna.

"Nuk mund të heshtim përballë vuajtjeve të kaq shumë njerëzve, viktimave të pambrojtura të këtyre konflikteve. Ajo që i lëndon ata, lëndon të gjithë njerëzimin", ka thënë Leo në lutjen e tij javore Angelus në Sheshin e Shën Pjetrit.

"Unë e përsëris fuqimisht thirrjen time që ne të këmbëngulim në lutje, në mënyrë që armiqësitë të pushojnë dhe rruga të hapet më në fund për paqe", ka shtuar ai. 

Netanyahu i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar t’i bashkohet luftës kundër Iranit

3 d. më parë / 22 mar 2026 13:03
Benjamin Netanyahu

Photo: Associated Press

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha se sulmet me raketa ndaj qyteteve izraelite, pranë vendeve të  shenjta të Jerusalemit, si dhe drejt një baze ushtarake britanike në Oqeanin Indian, së bashku me mbylljen pothuajse të Ngushticës së Hormuzit, janë të gjitha prova se Irani përbën një kërcënim për botën.

“Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara po punojnë së bashku për të gjithë botën”, tha Netanyahu nga qyteti jugor Arad, i cili u godit nga një raketë iraniane, duke plagosur dhjetëra persona.

“Ka ardhur koha që liderët e vendeve të tjera të na  bashkohen”, u tha ai gazetarëve të huaj.

Araghchi: Pa garanci nga SHBA-ja dhe Izraeli, lufta nuk mund të përfundojë

3 d. më parë / 22 mar 2026 12:44
Abbas Araghchi

Abbas Araghchi u bëri thirrje “vendeve të pavarura” që të ushtrojnë presion ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit për të ndalur luftën e tyre kundër Iranit.

Diplomati i lartë iranian tha se çdo përpjekje për t’i dhënë fund luftës duhet të përfshijë “garanci” që SHBA-ja dhe Izraeli nuk do ta sulmojnë sërish Republikën Islamike, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve IRNA.

Sipas IRNA-s, Irani ka nevojë për garanci që “sovraniteti dhe siguria kombëtare e tij nuk do të cenohen më”.

Komentet e Araghchit erdhën gjatë një bisede telefonike të shtunën me ministrin e Jashtëm të Indisë, Subrahmanyam Jaishankar, njoftoi agjencia.

Mbi 160 të plagosur nga sulmet iraniane në dy qytete të Izraelit

3 d. më parë / 22 mar 2026 12:25
Izrael

Photo: Associated Press

Më shumë se 160 persona janë plagosur, disa rëndë, nga sulmet me raketa iraniane në dy qytete jugore izraelite pranë një impianti bërthamor, kanë thënë zyrtarët izraelitë të emergjencës.

Ata thonë se 84 persona po trajtohen në Arad dhe 78 të tjerë në Dimona, pasi raketat balistike goditën qytetet të shtunën në mbrëmje.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) thotë se nuk është në dijeni të ndonjë dëmtimi në impiantin e kërkimit bërthamor që ndodhet rreth 13 km jashtë Dimonës.

Televizioni shtetëror iranian më parë ka thënë se sulmet ishin në përgjigje të një sulmi ndaj impiantit bërthamor Natanz të Iranit të shtunën.

Të dielën, të paktën shtatë persona u plagosën në një sulm me raketa iraniane në Tel Aviv, thonë shërbimet e emergjencës.

Trumpi shton kërcënimet ndaj Iranit, ndërsa Teherani intensifikon sulmet ndaj Izraelit

3 d. më parë / 22 mar 2026 12:05 Nga: Associated Press
Donald Trump

Photo: Associated Press

Irani u përgjigj të dielën me sulme, një ditë pasi presidenti Donald Trump paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara do t’i “shkatërrojnë plotësisht” centralet energjetike të Iranit nëse Teherani nuk hap plotësisht Ngushticën e Hormuzit brenda 48 orësh, dhe pasi raketat iraniane goditën dy qytete pranë qendrës kryesore të kërkimit bërthamor të Izraelit, duke plagosur dhjetëra njerëz dhe duke shkatërruar ndërtesa banimi.

Këto zhvillime treguan se lufta në Lindjen e Mesme, tashmë në javën e saj të katërt, po merr një drejtim të ri dhe të rrezikshëm.

Sirena alarmi u dëgjuan në të gjithë Izraelin ndërsa Irani lëshoi sulme të reja të dielën. Në jug të vendit, banorët u përballën me shkatërrime në qytetet Dimona dhe Arad. Në veri të Izraelit, një burrë u vra nga një sulm i grupit militant libanez Hezbollah.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu vizitoi Aradin dhe tha se ishte një “mrekulli” që askush nuk u vra nga shpërthimi, i cili dëmtoi rëndë disa ndërtesa. Megjithatë, ai tha se nëse të gjithë banorët do të ishin strehuar menjëherë, askush nuk do të ishte lënduar, dhe u bëri thirrje të gjithëve t’u kushtojnë vëmendje sirenave.

Irani i përgjigjet ultimatumit të Trumpit

Trumpi tha të shtunën se do t’i jepte Iranit 48 orë kohë për të hapur ngushticën e Hormuzit, përndryshe do të përballej me një valë të re sulmesh. Ai deklaroi se SHBA-ja do të shkatërronte “centralë të ndryshëm energjetikë, duke filluar me më të madhin”.

Ai mund t’i jetë referuar centralit bërthamor “Bushehr Nuclear”, më i madhi në Iran, i cili ishte goditur tashmë javën e kaluar, ose “Damavand”, një central me gaz natyror pranë kryeqytetit Teheran.

Nga ana e tij, Irani paralajmëroi herët të dielën se çdo sulm ndaj objekteve të tij energjetike do të shkaktonte sulme ndaj aseteve energjetike dhe infrastrukturore të SHBA-së dhe Izraelit, konkretisht ndaj teknologjisë së informacionit dhe impianteve të desalinizimit, në rajon, sipas një deklarate që citonte një zëdhënës ushtarak iranian dhe që u transmetua nga mediat shtetërore dhe ato gjysmëzyrtare.

Ngushtica e Hormuzit lidh Gjirin Persik me Oqeanin Indian dhe është një rrugë kyçe për qarkullimin botëror të naftës. Sulmet ndaj anijeve tregtare dhe kërcënimet për sulme të mëtejshme kanë ndalur pothuajse të gjitha cisternat nga transportimi i naftës, gazit dhe mallrave të tjera përmes kësaj rruge, duke çuar në ulje të prodhimit nga disa prej prodhuesve më të mëdhenj të naftës në botë, pasi nuk kanë ku ta dërgojnë lëndën e parë.

Seyed Ali Mousavi, përfaqësuesi i Iranit në “International Maritime Organization”, tha në deklarata të transmetuara nga dy agjenci iraniane të lajmeve se lundrimi në këtë ngushticë është i mundur për “të gjithë, përveç armiqve” — duke lënë të kuptohet se Teherani do të vendosë se cilat anije lejohen të kalojnë. Irani tashmë ka miratuar kalimin e anijeve drejt Kinës dhe vendeve të tjera të Azisë.

Zyrtari iranian thotë se Ngushtica e Hormuzit është e hapur për të gjithë përveç armiqve të Iranit

3 d. më parë / 22 mar 2026 10:20 Nga: BBC
Ngushtica e Hormuzit

Photo: Associated Press

Një zyrtar iranian ka deklaruar se Gjiri i Hormuzit mbetet i hapur për të gjitha anijet, përveç atyre të lidhura me “armiqtë e Iranit”, njofton agjencia iraniane Mehr.

Ali Mousavi, përfaqësuesi i Teheranit në Organizatën Ndërkombëtare “Maritime”, tha se kalimi përmes këtij rrjeti të ngushtë ujërash është i mundur duke koordinuar masat e sigurisë dhe mbrojtjes me autoritetet iraniane.

“Diplomacia mbetet prioritet i Iranit. Megjithatë, ndalimi i plotë i agresionit si dhe besimi dhe siguria reciproke janë më të rëndësishme,” tha Mousavi, duke shtuar se sulmet izraelite dhe amerikane kundër Iranit janë “thelbi i situatës aktuale në Gjirin e Hormuzit”.