Botë

Çështjet që kanë mbetur pa u zgjidhur për armëpushimin në Gazë

Donald Trump

Foto: Associated Press

Armëpushimi në Gazë është ende në fazat e hershme të zbatimit të tij, teksa disa çështje me rëndësi mbeten të pazgjidhura.

Tërheqja izraelite:

Deri më tani, Izraeli është tërhequr nga qytetet kryesore të Gazës, në një "vijë të verdhë" që do të thotë se zë rreth 53% të territorit. Në teori, tërheqjet do të pasojnë në dy faza të mëtejshme: së pari, kur të mobilizohet një forcë ndërkombëtare stabilizimi, së dyti, në një "zonë sigurie neutrale" të qëndrueshme, raporton The Guardian.

Por gjuha e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu në ditët e fundit kishte një theks ndryshe.

"IDF (Forcat Mbrojtëse të Izraelit) mbetet thellë brenda territorit të Gazës dhe kontrollon të gjitha pikat e saj dominuese", ka thënë ai në një deklaratë javën e kaluar. 

"Ne po e rrethojmë Hamasin nga të gjitha drejtimet”, ka shtuar ai.

Çarmatosja e Hamasit

Çarmatimi është një parim qendror i planit të Trumpit - por të shtunën një zyrtar i lartë i Hamasit i ka thënë Agence France-Presse se çarmatimi ishte "jashtë diskutimit", duke shtuar se "Kërkesa që ne të dorëzojmë armët tona nuk është në negociata". 

Gjatë lirimit të pengjeve të hënën, pati imazhe të luftëtarëve të armatosur në pjesë të Gazës, një përpjekje e dukshme nga Hamasi për të rivendosur autoritetin e tij.

A do të ketë një tranzicion drejt qeverisjes së udhëhequr nga palestinezët?

Plani i Shtëpisë së Bardhë u hartua pa asnjë kontribut domethënës nga shoqëria civile palestineze në terren në Gazë. 

Qeveria kalimtare do të përfshijë ish-kryeministrin britanik, Tony Blair, por deri më tani asnjë figurë të besueshme palestineze. 

Netanyahu duket se nuk është i gatshëm të pranojë rolin përfundimtar për Autoritetin Palestinez të propozuar nga SHBA-ja; në çdo rast, ai organ dhe udhëheqësi i tij, Mahmoud Abbas, janë thellësisht jopopullorë në Gazë.