Britanikët kanë reaguar në mënyra të ndryshme të hënën, pasi Parlamenti miratoi një projektligj që do t’ua ndalojë cigaret brezave të ardhshëm.
Fëmijëve të lindur pas 31 dhjetorit 2008 do t’u ndalohet përgjithmonë të blejnë cigare sipas Ligjit për Duhanin dhe Cigaret elektronike.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoLegjislacioni, i cili ka nevojë për miratimin e Mbretit Charles III, një formalitet, para se të hyjë në fuqi, ia lejon gjithashtu qeverisë të rregullojë produktet e duhanit, nikotinës dhe cigaret elektronike, përfshirë shijet dhe paketimin.
Aktualisht është e paligjshme të shiten cigare, produkte duhani ose cigare elektronike për personat nën 18 vjeç.
Por shumicës së të rinjve sot, blerja e duhanit do t’u ndalohet për gjithë jetën, pasi mosha minimale për blerjen e cigareve do të rritet çdo vit.
Bernadine Williams-Estephane, 18 vjeçe, nuk pajtohet me vendimin.
“Atyre u pëlqen të pinë alkool, kështu që nuk do ta ndalojnë atë, por mund ta ndalojnë pirjen e duhanit, sepse është diçka me të cilën mund t'i kontrollosh njerëzit. Është trupi im. Nëse dua të pi duhan, mund të pi duhan. I di dëmet që i shkakton, sepse edhe në paketimet që shiten, kanë imazhe shumë të qarta, por kjo është ende zgjedhja ime nëse do ta pranoj apo jo. Kështu që mendoj se ndalimi që po bëjnë është i mirë në njëfarë mënyre, por mënyra se si po përpiqen ta bëjnë nuk është e drejtë”, është shprehur Williams Estephane.
Roger Brooker, 60 vjeç, e mirëpret ndalimin për t’i mbrojtur fëmijët.
“Pajtohem me të, sepse ka shumë fëmijë të vegjël tani që përdorin cigare elektronike dhe pinë duhan, dhe thjesht nuk është mirë për ta. Thonë se avullimi është më i mirë, por unë nuk besoj se është, mendoj se është po aq keq sa pirja e duhanit”, ka deklaruar Brooker.
Miratimi i këtij ligji i jep Mbretërisë së Bashkuar një nga masat më të rrepta kundër duhanpirjes në botë.
Ligji është i ngjashëm me atë që ligjvënësit e Zelandës së Re miratuan në vitin 2022, por që më pas u shfuqizua nga një qeveri pasuese.
Numri i njerëzve që pinë duhan në Britani ka rënë me dy të tretat që nga vitet 1970, por rreth 6.4 milionë njerëz, ose rreth 13% e popullsisë ende pinë duhan, sipas të dhënave zyrtare.
Drejtoresha ekzekutive e organizatës “Action on Smoking and Health”, Hazel Cheeseman, thotë se po synohet që të zvogëlohet edhe më shumë numri i njerëzve që pinë duhan.
“Pra, Mbretëria e Bashkuar ka kaluar nga një vend me disa nga normat më të larta të pirjes së duhanit në Evropë, e dini, rreth gjysma e të rriturve britanikë pinin duhan në vitet 1970, në një nga normat më të ulëta të pirjes së duhanit në Evropë dhe veçanërisht midis të rinjve, veçanërisht midis atyre që fillojnë të pinë duhan. Dhe e kemi bërë këtë, sepse me kalimin e kohës kemi futur gjithnjë e më shumë rregullore për produktet e duhanit. Dhe tani mund të shohim realisht krijimin e një vendi ku askush nuk pi duhan fare”, ka deklaruar Cheeseman.
Autoritetet thonë se duhanpirja shkakton rreth 80,000 vdekje në vit në Mbretërinë e Bashkuar dhe mbetet shkaku numër një i parandalueshëm i vdekjeve, paaftësisë dhe shëndetit të dobët.