Britania është zotuar të mërkurën të furnizojë Ukrainën me 100,000 dronë deri në prill 2026, duke thënë se mjetet ajrore pa pilot kanë transformuar mënyrën se si zhvillohen luftërat.
Qeveria të hënën ka miratuar një Rishikim Strategjik të Mbrojtjes i cili bën thirrje për një ushtri më vdekjeprurëse dhe të drejtuar nga teknologjia për t'iu kundërvënë kërcënimeve të reja, përfshirë agresionin e mundshëm rus, raporton Reuters.
Britania, një nga mbështetëset më të vendosura perëndimore të Ukrainës, planifikon të marrë mësim nga lufta më shumë se trevjeçare e Kievit kundër pushtimit rus, gjatë së cilës dronët kanë transformuar fushën e betejës.
Paketa e dronëve në vlerë prej 473 milionë dollarësh është pjesë e një iniciative më të gjerë mbështetjeje ushtarake prej rreth 6 miliardë dollarësh për Ukrainën, ka thënë qeveria.
Sekretari i Mbrojtjes, John Healey do ta bëjë njoftimin për dronët në një takim të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës me 50 vende në Bruksel, të bashkëorganizuar me Gjermaninë.
"Mbretëria e Bashkuar po rrit mbështetjen e saj për Ukrainën duke dërguar qindra mijëra dronë të tjerë këtë vit dhe duke përfunduar një moment të rëndësishëm në dërgimin e municioneve kritike të artilerisë", ka thënë Healey në një deklaratë përpara takimit.
Përveç dërgesave me dronë, Britania ka njoftuar se ka përfunduar dërgesën e 140,000 predhave të artilerisë në Ukrainë që nga janari, dhe do të shpenzojë mbi 300 milionë dollarë të tjera këtë vit për trajnimin e trupave ukrainase.