Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Rusia paralajmëron Britaninë për furnizimin e Ukrainës me dronë

rusi

Rusia e ka akuzuar Mbretërinë e Bashkuar se po “zgjedh qëllimisht përshkallëzimin e krizës në Ukrainë”, pas konfirmimit se dronë të prodhuar në Britani janë përdorur në sulme ndaj objektivave në Rusi.

“Duke vepruar në këtë mënyrë, Mbretëria e Bashkuar po sillet si bashkëpunëtore dhe bashkëautore e krimeve të përgjakshme dhe sulmeve terroriste”, shkroi në një deklaratë Ambasada ruse në Mbretërinë e Bashkuar.

“Veprimet e Londrës në mënyrë të pashmangshme do të sjellin pasoja, për të cilat ajo do të  duhet të japë llogari”,  thuhej në deklaratë. Ajo shtonte se sa më e thellë të jetë përfshirja e  Britanisë në konflikt, ‘aq më i lartë do të jetë çmimi që do të paguajë’”.

Në përgjigje, një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar (MoD) i tha BBC-së se Britania qëndronte “krah për krah” me Ukrainën.

“Rusia nuk duhet të ketë asnjë dyshim për vendosmërinë e kësaj qeverie për t’iu kundërvënë agresionit rus, si në Ukrainë, ashtu edhe ndaj Mbretërisë së Bashkuar dhe aleatëve tanë”, tha zëdhënësi në një deklaratë. “Britania ishte e përkushtuar për t’i ofruar Ukrainës pajisjet që i nevojiten për të mbrojtur vetën kundër pushtimit të paligjshëm të presidentit rus, Vladimir Putinit”.

Dronët  në fjalë, të prodhuar nga dy kompani të ndryshme britanike, janë përdorur brenda territorit të Rusisë në sulme të shumta dhe të suksesshme ndaj objektivave ushtarake dhe industriale, përfshirë rafineritë dhe magazinat e kompanisë së shitjeve online Wildberries.

Ukraina e ka goditur vazhdimisht këtë kompani, e njohur si versioni rus i Amazonit, dhe thotë se shtatë nga dhjetë qendrat më të mëdha logjistike të Wildberries janë “nxjerrë jashtë funksionit”.

 

Burnham i përgjigjet Rusisë: Britania do ta mbështesë Ukrainën 100%

1 muaj më parë / 18 gus 2026 14:23
Andy Burnham

Photo: Associated Press

Kryeministri Andy Burnham ka thënë se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë “ta mbështesë Ukrainën 100%”, pasi Moska paralajmëroi për “pasoja” për vendin e tij, pas konfirmimit se dronë të prodhuar në Britani u përdorën në sulmet e fundit ukrainase në Rusi.

“Ne nuk jemi miq vetëm kur moti është i mirë, ne do të jemi atje në orën e nevojës së Ukrainës dhe kjo nuk do të ndryshojë”, ka thënë Burnham.

Ambasada ruse në Mbretërinë e Bashkuar ka akuzuar më herët Britaninë se “po zgjedh qëllimisht përshkallëzimin e krizës në Ukrainë”, duke shtuar se “sa më i thellë të jetë përfshirja e saj në konflikt... aq më i lartë do të jetë çmimi që do të paguajë”.

Ukraina ka shtuar sulmet ndaj Moskës dhe zonave të tjera thellë brenda territorit rus, duke vënë në shënjestër veçanërisht rafineritë e naftës dhe qendrat logjistike të Ëildberries, një prej kompanive kryesore ruse të shitjeve online.

I pyetur për kërcënimin rus, kryeministri ka këmbëngulur se Mbretëria e Bashkuar “po ofron mbështetje në mënyrë që Ukraina të mund të mbrohet dhe ky ka qenë qëndrimi britanik gjatë gjithë këtij konflikti, nga kryeministrat e mëparshëm, dhe kjo mbetet edhe me mua”.

Rusia e ka paralajmëruar në të kaluarën Mbretërinë e Bashkuar për rolin e saj në sigurimin e teknologjisë së dronëve për Ukrainën, si dhe të raketave Storm Shadoë.

Ambasada ruse ka thënë se “veprimet e Londrës në mënyrë të pashmangshme do të sjellin pasoja, për të cilat ajo do të duhet të japë llogari”, por nuk ka dhënë më shumë detaje se çfarë lloj kërcënimi po shqyrtonte Moska.

Faza e fundit e luftës ka ndikuar drejtpërdrejt në furnizimet e brendshme të Rusisë me karburant dhe ka dëmtuar ekonominë ruse.