Botë

Boshnjaku transmetoi direkt vrasjen e gruas në Instagram

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të premten në Bosnjë. Një person ka vrarë ish-bashkëshorten dhe dy persona të tjerë në qytetin Gradacaq afër Tuzlës. Ai vrasjen e gruas e ka transmetuar direkt në rrjetin social Instagram. Autoritetet në Bosnjë ende janë duke hetuar motivet e mundshme të vrasjeve

Një person në Bosnjë ka vrarë ish-bashkëshorten dhe vrasjen e ka transmetuar në Instagram, para se të vriste dy persona të tjerë dhe në fund edhe veten.

Vrasjet kanë ndodhur në qytetin boshnjak të Gradacaq afër Tuzlës.

Prokuroria boshnjake ka bërë të ditur se pas vrasjes së ish-bashkëshortes, i dyshuari ka dalë në rrugët e qytetit dhe me një revole ka vrarë babë e bir.

“Para se të bënte vetëvrasje, ai ka përdorur armën për të vrarë gruan dhe dy të tjerë, babë e bir. Pastaj ka plagosur një burrë, një grua dhe policin. Hetimet janë duke vazhduar në Gradacaq”, ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë, Admir Arnautoviq.

Autoritetet boshnjake nuk kanë ofruar detaje të tjera apo edhe motivet e mundshme të vrasjeve.

“Spitali universitar në Tuzla ka pranuar tre pacientë. Pacienti me inicialet N.P me lëndime në ekstremitetet e poshtme. Ai tani është në klinikën ortopedike. Pacienti i dytë L.O, 69-vjeçar, ka plagë në zonën abdominale. Ai është duke u operuar. Pacienti me inicialet D.O. i lindur në vitin 2000 gjithashtu është pranuar në klinikën e anesteziologjisë, por në gjendje shumë të rëndë dhe përkundër reanimimit, ai ka vdekur”, ka thënë zëdhënësi i Spitalit, Eldar Sehiq.

I dyshuari, i identifikuar si Nermin Sulejmanoviq nga Gradacaqi, të premten në mëngjes në një video në Instagram kishte paralajmëruar ndjekësit se do ta shihnin një vrasje “live”.

Në video pastaj shihet duke marrë revolen dhe me një plumb ka qëlluar gruan. Në video dëgjohet e qara e një fëmije.

Gjatë bastisjes së policisë, i dyshuari ka publikuar një tjetër video në Instagram, duke pranuar se ka vrarë edhe dy persona të tjerë.