Botë

Vriten tre persona në Bosnjë, sulmuesi kryen vetëvrasje

Tre persona janë vrarë e tre të tjerë janë plagosur në një sulm të armatosur në Bosnjë-Hercegovinë të premten në qytetin e Gradaçacit në afërsi të Tuzlës, raporton “Dnevni Avaz”.

Nga Zyra e prokurorit të Tuzlës, është njoftuar se sulmuesi Nermin Sulejmanoviq 35-vjeçar është gjetur më pas i vdekur në veturën e tij. Dyshohet se kreu vetëvrasje.

Sulejmanoviq, sipas raportimeve, vrau ish-bashkëshorten si dhe dy burra. Po ashtu ka plagosur një polic ndër të tjera.

“Sulejmanoviq e vrau ish-bashkëshorten dhe dy burra të tjerë, babë e bir, me pistoletë. Ai, po ashtu, e plagosi një polic, si dhe një burrë tjetër dhe një grua në lokacione të ndryshme në Gradaçac”, njoftoi Zyra e Prokurorit në Tuzla.“Forcat e Policisë janë në terren. Hetimi do të kryhet nga prokurori në detyrë në bashkëpunim me hetuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme”.

Ndërkohë ministri i Brendshëm i kantonit të Tuzlës, Hajrudin Mehanoviq, ka thënë për Radio Evropa e Lirë, se i dyshuari është gjetur i vdekur në veturën e tij.

Ndjekja e Sulejmanoviqit zgjati disa orë. Ai kishte publikuar hollësi nga akti i vrasjeve në dy postime në Instagram, por postimet u fshinë më vonë.

Edhe Ministria e Brendshme ka njoftuar se videot e shpërndara nga Sulejmanoviq janë fshirë më vonë.