Kronikë

Për 24 orë, 8 krime brenda familjeve: vrasje, plagosje e dhunë fizike

Sipas versionit të Policisë, nga plagët që ia shkaktoi vetes ka vdekur një ditë më parë 34-vjeçari në Rrugën B në kryeqytet. Në raport theksohet se ai theri veten, pasi paraprakisht e goditi bashkëshorten. E, përgjatë 24 orëve të fundit janë raportuar edhe 7 raste të tjera të krimeve brenda familjes

Me mjet të mprehtë dyshohet se 34-vjeçari fillimisht e lëndoi bashkëshorten e tij 30-vjeçare, e më pas e goditi për vdekje edhe veten brenda një objekti në Rrugën B në kryeqytet.

Versionin për krimin që ndodhi mesditën e së premtes, Policia e dha tek të shtunën.

“I dyshuari mashkull kosovar dyshohet se fillimisht ka therur me thikë bashkëshorten e tij dhe më pas ka goditur veten. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore si dhe njësia e Emergjencës ku kanë konstatuar vdekjen e tij. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Krahas këtij krimi, edhe shtatë të tjera brenda familjes janë raportuar përgjatë 24 orësh nga Policia.

Në mëngjesin të së shtunës, sipas policisë, një 19-vjeçar dyshohet se e ka plagosur motrën e tij 25-vjeçare në Komunën e Ferizajt. Motivet nuk janë bërë të njohura, ndërkaq i dyshuari është arrestuar.

“Pas një veprimi të shpejtë policor, i dyshuari është lokalizuar dhe arrestuar. Viktima, pas ndihmës së parë në Emergjencën e Ferizajt, është dërguar për trajtim të mëtejshëm mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetë. Në vendin e ngjarjes janë kryer të gjitha veprimet hetimore, ndërsa është sekuestruar edhe arma e zjarrit, me të cilën dyshohet se është kryer vepra”, ka bërë të ditur Policia.

E në raportin 24-orësh të Policisë janë listuar gjashtë raste të dhunës ndaj grave në qytete të ndryshme – Lipjan, Obiliq, Ferizaj, Klinë, Istog dhe Zubin-Potok. Në shumicën e rasteve, dhuna është ushtruar nga bashkëshortët ose ish-bashkëshortët e viktimave.

Sipas raportit të Policisë, në Lipjan është arrestuar një burrë pasi ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij pas një mosmarrëveshjeje. Viktima nuk ka pranuar ndihmë mjekësore, ndërsa i dyshuari është dërguar në vuajtje të dënimit për shkak të një urdhërese të mëhershme të gjykatës.

Në Obiliq, një tjetër burrë u arrestua pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. Viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është ndaluar me vendim të prokurorit.

Në Ferizaj, një grua raportoi se ish-bashkëshorti i ka dërguar mesazhe kërcënuese. Ai u arrestua dhe u dërgua në mbajtje.

Në Klinë, një burrë u shoqërua nga policia nën dyshimin për dhunë të vazhdueshme psikike dhe fizike ndaj bashkëshortes. Pas intervistimit, palët u liruan në procedurë të rregullt.

Një rast i ngjashëm ndodhi edhe në Istog, ku një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj ish-bashkëshortes, derisa ishte i dehur. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor dhe i dyshuari është dërgua në mbajtje.

Rasti i fundit u raportua në Zubin-Potok, ku një grua u sulmua fizikisht nga bashkëshorti i saj. Viktima nuk kërkoi ndihmë mjekësore dhe deri më tani nuk është raportuar për arrestime.

Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci i konsideron alarmuese këto akte dhe thotë se institucionet përgjegjëse duhet të veprojnë me urgjencë.

“Duhet të hartohet një strategji të përbashkët, të gjithë së bashku (për policinë institucionet e drejtësisë), që të gjendet më në fund shkaku se pse po vjen deri te këto ngjarje, ku këto ngjarje shkaktojnë shqetësim, shkaktojnë probleme, sepse po ndodhin çdo ditë dhe janë të papranueshme, janë alarmuese dhe shqetësuese. Është koha që të gjitha institucionet të konsolidohen dhe të veprojnë njëzëri”.

Gjatë javës, dhjetëra raste të dhunës në familje janë raportuar. Me pasoja më të rënda është ai i së martës, kur ka ndodhur krim me fatalitet brenda një familjeje në Prizren. Një 15-vjeçare ka mbetur e vdekur nga plagët që i janë shkaktuar me thikë në banesën ku jetonin, kurse motra e saj 10 vjeçe është plagosur. Sipas Policisë, i dyshuar për kryerjen e krimit është babai i tyre, 44-vjeçar, i cili ka shtetësi të Turqisë, por që prej gjashtë muajsh është vendosur në Kosovë.