Sekretari amerikan, Antony Blinken, do të qëndrojë të martën në Bruksel për bisedime me aleatët evropianë, të shqetësuar se presidenti i ardhshëm, Donald Trump mund ta braktisë Ukrainën në luftën me Rusinë, raporton Reuters.
Në udhëtimin e tij të parë që nga fitorja e Trumpit në zgjedhjet e 5 nëntorit, Sekretari i Shtetit, Blinken do të ndalojë në Bruksel para vizitave të planifikuara në Peru dhe Brazil më vonë këtë javë, sipas shpalljes.
Në takimet me zyrtarët e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, Blinkeni do “ta diskutojë mbështetjen për Ukrainën në mbrojtjen kundër agresionit të Rusisë”, është thënë në shpalljen e Departamentit të Shtetit, pa treguar se çfarë do të përmbajë mesazhi.
Përveç sigurimit të miliarda dollarëve ndihmë ushtarake për Ukrainën, presidenti Joe Biden ka punuar për ta bashkuar NATO-n dhe ka mbledhur vendet në mbarë botën për ta izoluar Rusinë, kur e ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Moskës në vitin 2022.
Trumpi ka qenë kritik i mbështetjes së Bidenit për Ukrainën, duke rritur shqetësimet e së ardhmes së mbështetësve të qeverisë së presidentit Volodymyr Zelensky, në Shtëpinë e Bardhë, Senatin dhe ndoshta Dhomën e Përfaqësuesve të kontrolluar nga republikanët.
Ushtria ukrainase është nën presion të rritur nga Rusia, përgjatë vijës së frontit të gjatë 1000 kilometra, ku trupat veç se janë më të paktë në numër.
Zyrtarët e Bidenit kanë thënë se do të shtyjnë për t’i dërguar ndihmat e përvetësuara tashmë për Ukrainën, përpara se Trumpi ta marrë detyrën më 20 janar, me shpresën për t’i ndihmuar forcat e Kievit t’i largojnë trupat ruse, të cilat janë duke fituar territor
“Ne po punojmë shumë për ta lënë Ukrainën në pozicionin më të fortë të mundshëm, duke e rritur ndihmën prej tash deri në fund të administratës dhe duke u koordinuar me partnerët në mbarë botën për t’u siguruar se janë të gatshëm të marrin përgjegjësinë”, ka thënë një nga zyrtarët e SHBA-së, duke folur në kushte anonime.
Kjo përfshin aleatët evropianë që Blinkeni do t’i takojë në Bruksel, por gjithashtu edhe të tjerët si Koreja e Jugut, e cila mund të luajë rol të rëndësishëm, duke e ditur alarmimin e saj nga aleanca mes Rusisë dhe Koresë së Veriut, ka thënë zyrtari.
Ukrainë ka thënë javën e kaluar se është përballur me rreth 11 mijë trupa veriokoreane, të dërguara në rajonin rus, Kursk.
“Puna më e rëndësishme që mund ta bëjnë ata... është që në thelb t’ua dorëzojnë këtë detyrë evropianëve sa më shumë që të jetë e mundur”, ka thënë Anne-Marie Slaughter, drejtoreshë ekzekutive e grupit të ekspertëve “Amerika e Re” dhe ish-zyrtare e Departamentit të Shtetit.
Vendet evropiane kanë qenë duke u përgatitur për një mandat të mundshëm të dytë të Trumpit, por janë të gatshëm të sinjalizojnë publikisht se janë të gatshëm të punojnë me Trumpin, ka thënë ajo.
“Blinkeni mund të jetë në gjendje të bëjë disa gjëra në prapaskenë, gjëra të profilit të ulët”, ka thënë Slaughter, si dhe “duke u kujtuar evropianëve se kanë ende shumë miq në Shtetet e Bashkuara, edhe nëse qeveria do të marrë pikëpamje shumë të ndryshme”.