Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë të enjten se Uashingtoni do të vazhdojë të përshtatë përgjigjen e tij ndaj pushtimit rus të Ukrainës, në varësi të ndryshimit të situatës në terren.
Duke folur në një konferencë të përbashkët shtypi në Varshavë me homologun e tij polak, Radosław Sikorski, Blinken la të hapur mundësinë e dërgesave të mëtejshme të armëve, raporton AP.
"Meqenëse ajo që bën Rusia ka ndryshuar dhe ndërsa fusha e betejës ka ndryshuar, ne jemi përshtatur," u ka thënë Blinken gazetarëve.
"Një nga qëllimet e vizitës sime në Kiev dje ishte të dëgjoja nga partnerët tanë ukrainas se çfarë ata besojnë se u duhet tani për t'u marrë me fushën e betejës aktuale, duke përfshirë Ukrainën lindore dhe pjesë të tjera të vendit. Unë mund të them se ne do të përshtatemi sipas nevojës në mënyrë që të mbrohemi kundër agresionit rus”, ka shtuar ai.
Blinkeni po zhvillon një turne evropian me tri vende, të fokusuar në Ukrainë dhe Poloni, pasi dëgjoi thirrje të përsëritura nga zyrtarët ukrainas për të përdorur armatimin perëndimor për sulme me rreze të gjatë brenda Rusisë.
Edhe
Blinken: Dërguam fshehurazi armë në Ukrainë para se të niste lufta
Ai udhëtoi për në Varshavë të enjten pasi kaloi një ditë në Kiev me sekretarin e Jashtëm britanik, David Lammy, gjatë së cilës ata u zotuan t'ua përcjellin krerëve të tyre kërkesat e Ukrainës.
Të mërkurën, Blinken dhe Lammy njoftuan se Shtetet e Bashkuara dhe Britania kishin premtuar rreth 1.5 miliardë dollarë ndihmë shtesë për Ukrainën gjatë vizitës së tyre në Kiev. Blinkeni njoftoi më shumë se 700 milionë dollarë ndihmë humanitare, ndërsa Lammy konfirmoi se vendi i tij do të sigurojë 782 milionë dollarë të tjera ndihmë dhe garanci kredie.
-
Bideni do të ndajë ndihma për Ukrainën që ajo të luftojë edhe vitin tjetër, thotë Blinken
-
Blinkeni niset në Evropë për bisedimet rreth Ukrainës para rikthimit të Trumpit
-
SHBA-ja dhe Britania zotohen për 1,5 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën
-
Blinken dhe Lammy arrijnë në Kiev derisa Ukraina shton presionin për armët me rreze të gjata