Çmimet e naftës kanë rënë pasi Pakistani, i cili ka ndërmjetësuar për t’i dhënë fund luftës mes SHBA-së dhe Iranit, ka njoftuar një marrëveshje kornizë që, sipas presidentit amerikan, Donald Trump, do të çojë në rihapjen e ngushticës së rëndësishme detare të Hormuzit.
Nafta Brent, standardi global i referencës për çmimet e naftës, ka rënë me 4.3% në 83.55 dollarë për fuçi të hënën, ndërsa nafta e tregtuar në SHBA ka rënë me 4.9%, në 80.74 dollarë për fuçi.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, ka thënë se ceremonia zyrtare e nënshkrimit do të mbahet të premten, më 19 qershor, në Zvicër.
Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi, ka konfirmuar gjatë një telefonate në televizionin shtetëror se një marrëveshje me SHBA-në ishte finalizuar, ndërsa Trumpi ka shkruar në rrjetet sociale: “Lëreni naftën të rrjedhë!”.
Megjithatë, Vandana Hari nga kompania e analizës së tregjeve energjetike “Vanda Insights”, ka thënë se mungesa e detajeve mbi atë që është rënë dakord “ka të ngjarë të sjellë shqetësim dhe pasiguri në treg”.
Sipas saj, kjo mund të nënkuptojë një javë pasigurie dhe luhatjesh të forta për tregun e naftës.
Ngushtica e Hormuzit ka qenë praktikisht e mbyllur që pak kohë pasi SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulmet ajrore kundër Iranit më 28 shkurt.
Pas fillimit të konfliktit, Teherani kërcënoi se do të sulmonte anijet që përdorin këtë rrugë ujore jetike, përmes së cilës zakonisht kalon rreth 20% e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm (LNG) në botë.
Tregjet globale të energjisë kanë kaluar muaj të trazuar, me çmime që shpesh janë rritur ose rënë ndjeshëm në varësi të zhvillimeve në luftën mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.
Nafta Brent, e cila tregtohej rreth 70 dollarë për fuçi para fillimit të konfliktit, ka arritur kulmin në rreth 120 dollarë gjatë luftës.
Ekspertët e tregut të energjisë kanë paralajmëruar gjithashtu se transporti i naftës përmes ngushticës nuk ka gjasa të rikthehet menjëherë në nivelet para luftës.