Ministri i mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, ka thënë të hënën se Izraeli nuk do të tërhiqet nga toka e pushtuar në Liban, duke sfiduar potencialisht marrëveshjen e përkohshme që Irani dhe Shtetet e Bashkuara kanë arritur orë më parë, e cila përfshin hapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe zgjatjen e mëtejshme të armëpushimit të hyrë në fuqi më 8 prill.
Detajet e marrëveshjes nuk janë publikuar ende dhe Irani ka sinjalizuar se zbatimi nuk do të fillojë deri në nënshkrim, ceremoni për të cilën ndërmjetësi kryesor, Pakistani, ka thënë se do të zhvillohej të premten në Zvicër.
Por memorandumi i mirëkuptimit mbi luftën tashmë po has në pengesa. Armiqësitë e vazhdueshme të Izraelit me milicinë Hezbollah të mbështetur nga Irani në Liban, ku Izraeli bombardoi periferitë jugore të Bejrutit të dielën, pothuajse i prishën negociatat.
Izraeli i është bashkuar SHBA-së në nisjen e luftës më 28 shkurt.
Në komentet e para zyrtare izraelite pas njoftimit të marrëveshjes, ministri Katz ka thënë se Izraeli nuk do të tërhiqet nga toka e pushtuar në Liban, ndërsa marrëveshja e përkohshme është në pritje.
Katz ka thënë se Izraeli planifikon të qëndrojë "për një kohë të pacaktuar" në tokat që mban në Liban, si dhe në Siri dhe Rripin e Gazës. Irani e ka lidhur marrëveshjen e përkohshme mbi luftën me ndalimin e sulmeve të Izraelit ndaj Hezbollahut në Liban.
Katz ka kërcënuar gjithashtu se nëse Irani sulmon Izraelin për shkak të sulmeve izraelite në Liban, Izraeli do ta godasë Iranin me "forcë të madhe".
Gjatë 2 vjetëve e gjysmë të fundit, Izraeli ka marrë kontrollin e zonave në Gazë, Liban dhe Siri që arrijnë në 1,000 kilometra katrorë territor, një zonë që është pak më e vogël se qyteti i Neë Yorkut.
Ndërkohë, marrëveshja midis SHBA-së dhe Iranit jep vetëm 60 ditë për të vendosur se çfarë duhet bërë në lidhje me rezervat e uraniumit të pasuruar shumë të Iranit dhe programin e tij atomik.
Kjo u desh me vite për t'u zgjidhur në marrëveshjen bërthamore të Teheranit të vitit 2015 me fuqitë botërore.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e tërhoqi në mënyrë të njëanshme Amerikën nga ajo marrëveshje gjatë mandatit të tij të parë, duke përgatitur terrenin për tensionet që kulmuan në luftë.
"Urime të gjithëve!", ka shkruar Trumpi në mediat sociale ndërsa festoi ditëlindjen e tij të 80-të të dielën.
Netanyahu: Lufta s’ka përfunduar, duhet të mbesim vigjilentë
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se lufta nuk ka mbaruar dhe ka thënë se Izraeli duhet të mbetet vigjilentë.
Netanyahu ka mbajtur një konferencë për media në Jerusalem. Ai ka thënë se ndonëse “Izraeli është shpëtuar nga asgjësimi i plotë, prapë lufta s’ka mbaruar”.
“Duhet të mbesim vigjilentë dhe të mbrojmë veten aq sa është e nevojshme”, tha Netanyahu, transmeton “BBC’.
Më pas Netanyahu tha se Izraeli “do të mbetet në zonën e sigurisë për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.
“Izraeli është më i fortë se kurrë dhe boshti iranian i së keqes është më i dobët se kurrë”, shtoi ai.
Netanyahu tha se ka disa raste kur ai dhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump, nuk bien dakord për gjithçka, por shtoi se ai do t’i mbrojë interesat e Izraelit.
Netanyahu tha se është i përkushtuar që njerëzit të kenë siguri në veri të Izraelit, që kufizohet me Libanin.
Trump: Marrëveshja me Iranin është nënshkruar
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë se marrëveshja mes SHBA-së dhe Iranit është “plotësisht e nënshkruar”, raporton "BBC".
Trumpi i bëri këto komente gjatë takimit me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në Francë.
“Jam shumë i lumtur të them se është nënshkruar, marrëveshja është plotësisht e nënshkruar”, tha Trump.
Deklaratat e Trumpit erdhën pasi zyrtarë të lartë të administratës thanë se memorandumi i mirëkuptimit u nënshkrua në mënyrë elektronike nga Trump, zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance dhe kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf.
Kjo erdhi pasi zyrtarë të lartë të administratës thanë se memorandumi i mirëkuptimit (MOU) u nënshkrua në mënyrë elektronike nga Trump, Zëvendëspresidenti JD Vance dhe Kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf.
Ceremonia zyrtare e nënshkrimit do të mbahet të premten në Gjenevë.
Duke iu referuar sulmeve amerikane ndaj Iranit javën e kaluar, Trump tha se “u ndje keq që na u desh të kalonim në sulm për dy net”.
Ai tha se shpreson që SHBA-ja dhe Irani të zhvillojnë një marrëdhënie të mirë, por shtoi se “nëse nuk ndodh kështu, kthehemi aty ku e nisëm, por nuk besoj se do të jetë e nevojshme”.
I pyetur nëse do të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të nënshkrimit në Geneva, Trump tha se zëvendëspresidenti JD Vance do të jetë ai që do ta nënshkruajë marrëveshjen.
Trump tha se marrëveshja me Iranin nuk përfshin lehtësimin apo heqjen e sanksioneve ndaj Iranit.
“Kjo ka të bëjë me sjelljen. Nëse ata bëjnë atë që duhet të bëjnë, atëherë kjo fillon të hyjë në fuqi”, tha Trump.
E një zyrtar i SHBA-së i ka thënë BBC-së se marrëveshja nuk përfshin Libanin, porse diskutimet direkte mes Izraelit dhe Libanit po ndodhin.
“Nëse Irani nuk është në gjendje ta kontrollojë Hezbollahun dhe nëse ata sulmojnë pozicionet izraelite apo qytetet izraelite, atëherë Izraeli ka të drejtë ta mbrojë veten e të reagojë”, tha zyrtari.
Hezbollahu hedh poshtë “lirinë e lëvizjes” të Izraelit në Liban
Një zyrtar i Hezbollahut ka thënë për Reuters të hënën se grupi nuk ka kryer asnjë operacion që kur është njoftuar marrëveshja Iran-SHBA, dhe se qëndrimi i tij ndaj armëpushimit ishte i lidhur me respektimin e saj nga Izraeli.
Zyrtari, i cili ka folur në kushtet anonomiteti, ka shtuar se Hezbollahu e hedh poshtë "lirinë e lëvizjes" izraelite në Liban dhe ka thënë se Irani e vonoi nënshkrimin e marrëveshjes me SHBA-në për të monitoruar respektimin e armëpushimit në Liban nga Izraeli.
SHBA-ja dhe Irani kanë njoftuar të dielën vonë se kanë arritur marrëeshjen fillestare për t’u dhënë fund armiqësive.
Ndërkohë, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka deklaruar të hënën se Izraeli përjashton tërheqjen nga tokat që ka pushtuar në Liban, e po ashtu në Siri dhe në Rripin e Gazës.
Çfarë thonë SHBA-ja dhe Irani për marrëveshjen e arritur?
SHBA-ja dhe Irani e po ashtu ndërmjetësi i tyre, Pakistani, kanë njoftuar të dielën vonë se kanë arritur një marrëveshje fillestare për fundin e luftës.
Por çfarë thonë të tri vendet lidhur me përmbajtjen e marrëveshjes paraprake që kanë shpallur për t'i dhënë fund luftës.
Si do të zbatohet marrëveshja dhe çfarë ndodh më pas?
Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, ka thënë se të dyja palët kanë shpallur një përfundim të menjëhershëm dhe të përhershëm të të gjitha operacioneve ushtarake.
Të gjitha palët kanë deklaruar se memorandumi i mirëkuptimit për përfundimin e luftës do të nënshkruhet në Zvicër të premten. Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi, ka thënë se memorandumi më pas do të publikohet.
Irani dhe SHBA-ja kanë deklaruar se Ngushtica e Hormuzit do të fillojë të rihapet dhe bllokada amerikane ndaj porteve iraniane do të fillojë të hiqet sapo memorandumi të nënshkruhet.
Të dyja palët kanë thënë gjithashtu se negociatat për çështjet më të vështira dhe të pazgjidhura – veçanërisht programin bërthamor të Iranit dhe sanksionet amerikane ndaj Iranit, do të zhvillohen gjatë 60 ditëve në vijim.
Ngushtica e Hormuzit dhe bllokada e porteve iraniane
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Ngushtica e Hormuzit do të rihapet të premten dhe se ai ka urdhëruar heqjen e bllokadës ndaj porteve iraniane.
Një zyrtar i lartë iranian ka thënë po ashtu se ngushtica do të rihapet "për të gjitha anijet tregtare" pasi të nënshkruhet memorandumi.
Agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve Fars Neës Agency ka raportuar se sipas memorandumit, trafiku detar nëpër ngushticë do të rregullohet nga Irani në koordinim me Omanin.
Programi bërthamor i Iranit
Të dyja palët kanë deklaruar se Irani pranon se nuk do të prodhojë dhe as nuk do të sigurojë armë bërthamore – një zotim që Teherani zyrtar e ka përsëritur prej dekadash.
Sipas zyrtarit iranian, deri në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, Irani do të ngrijë aktivitetet e tij bërthamore, duke mos vazhduar pasurimin e uraniumit dhe as zgjerimin e objekteve bërthamore.
Ai ka shtuar se SHBA-ja ka rënë dakord që, në kuadër të një marrëveshjeje të ardhshme gjithëpërfshirëse, Irani të mund të hollojë rezervat e tij të uraniumit shumë të pasuruar brenda territorit iranian.
Trumpi ka deklaruar të shtunën se nuk ka urgjencë për të nxjerrë jashtë Iranit rezervat e materialit bërthamor dhe se SHBA-ja do t'i marrë ato "kur gjithçka të jetë qetësuar".
Ai ka thënë gjithashtu se çdo marrëveshje do të përfshijë një regjim të fortë inspektimesh për Iranin, por pa dhënë detaje konkrete.
Senatori amerikan, Lindsey Graham, ka deklaruar se çdo marrëveshje përfundimtare mbi programin bërthamor iranian do të duhet të shqyrtohet dhe miratohet nga Kongresi amerikan.
Sanksionet dhe ndikimi financiar
Zyrtari iranian ka thënë se SHBA-ja ka rënë dakord të mos vendosë sanksione të reja ndaj Iranit derisa të arrihet një marrëveshje përfundimtare.
Ai ka shtuar se SHBA-ja do të pezullojë për një periudhë të caktuar sanksionet ndaj eksportit të naftës iraniane dhe se, pas marrëveshjes përfundimtare, të gjitha sanksionet amerikane dhe ato të OKB-së do të hiqen sipas një afati të dakorduar.
Sipas tij, SHBA-ja ka rënë dakord të lirojë 25 miliardë dollarë nga asetet e ngrira të Iranit, përfshirë përmes transfertave direkte të parave, bashkëpunimit me vendet e rajonit dhe linjave të kreditimit financiar.
Ai ka shtuar se Uashingtoni, në koordinim me aleatët e tij rajonalë, do të përgatisë një plan rindërtimi dhe zhvillimi për Iranin, i cili do të negociohet dhe miratohet me Teheranin brenda 60 ditëve.
Nga ana tjetër, Trumpi ka thënë se Iranit nuk do t'i jepen para në dorë, por se ekziston mundësia e heqjes së sanksioneve.
Libani
Kryeministri pakistanez ka thënë se përfundimi i menjëhershëm dhe i përhershëm i të gjitha operacioneve ushtarake përfshin edhe Lebanin.
Sekretariati i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit ka deklaruar se operacionet ushtarake do të ndalen përgjithmonë të hënën në mbrëmje, përfshirë edhe në Liban.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, ka thënë se sulmet izraelite kundër Libanit duhet të ndalen plotësisht dhe se SHBA-ja mban përgjegjësinë për zbatimin e marrëveshjes kornizë.
Megjithatë, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka deklaruar se ushtria izraelite do të vazhdojë të qëndrojë në zonat e sigurisë që ka marrë nën kontroll në Liban, Siri dhe në Rripin e Gazës, duke shtuar se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ia ka bërë të qartë këtë qëndrim Trumpit.
SHBA-ja dhe Irani pajtohen për fundin e luftës, Izraeli përjashton tërheqjen nga Libani
Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë arritur një marrëveshje fillestare herët të hënën, e cila do të zgjasë armëpushimin e tyre të brishtë dhe do të çojë në rihapjen e Ngushticës së Hormuzit. Megjithatë, sfida të shumta janë shfaqur menjëherë, përfshirë këmbënguljen e Izraelit se do të vazhdojë të mbajë territoret e pushtuara në Liban gjatë luftës kundër milicisë Hezbollah.
Detajet e marrëveshjes, e cila do të rikthejë naftën dhe gazin natyror shumë të nevojshëm të arrijnë në tregjet botërore përmes Hormuzit, nuk janë publikuar.
Irani ka sinjalizuar se zbatimi i marrëveshjes nuk do të fillojë deri në nënshkrimin e saj, ndërsa Pakistani, ndërmjetësi kryesor, ka thënë se ceremonia do të zhvillohet të premten në Zvicër.
Megjithatë, memorandumi i mirëkuptimit për përfundimin e luftës është përballur menjëherë me sfida.
Veprimet e vazhdueshme ushtarake të Izraelit kundër Hezbollahut në Liban, ku Izraeli bombardoi periferitë jugore të Beirut të dielën, pothuajse i sabotuan negociatat. Izraeli thotë se nuk do të tërhiqet nga Libani
Në komentet e para zyrtare izraelite pas shpalljes së marrëveshjes, ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, ka deklaruar se Izraeli nuk do të tërhiqet nga territoret e pushtuara në Liban gjatë kohës që marrëveshja e përkohshme mbetet në fuqi.
Katz tha se Izraeli planifikon të qëndrojë “për një kohë të pacaktuar” në zonat që kontrollon në Liban, si dhe në Siri dhe në Rripin e Gazës.
Ndërkohë, Irani e ka lidhur marrëveshjen e përkohshme për luftën me ndalimin e sulmeve izraelite kundër Hezbollahut në Liban.
Katz gjithashtu ka kërcënuar se, nëse Irani sulmon Izraelin si përgjigje ndaj operacioneve izraelite në Liban, Izraeli do të godasë Iranin me “forcë të madhe”.
Gjatë dy vjetëve e gjysmë të fundit, Izraeli ka marrë kontrollin e zonave në Gazë, Liban dhe Siri që së bashku përbëjnë rreth 1,000 kilometra katrorë territor.
A do të jetë marrëveshja e Trumpit me Iranin më e mirë se ajo e Obamës?
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë më parë disa premtime shumë të rëndësishme lidhur me një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës që ai kishte nisur me Iranin, më 28 shkurt.
Do të sigurojë që Irani të mos mund të zotërojë kurrë armë bërthamore.
Marrëveshja e Trumpit do të jetë më e mirë se ajo e presidentit Barack Obama.
Trump iu referua pikërisht kësaj pike të dytë në një postim në rrjetin e tij social të dielën.
“Marrëveshja e Obamës ishte një rrugë drejt armës bërthamore për Iranin, me para dhe gjithçka tjetër, një nga marrëveshjet më të këqija dhe më budallaqe që ka bërë ndonjëherë SHBA-ja. Marrëveshja jonë është një mur kundër mundësisë që Irani të ketë ndonjëherë armë bërthamore, krejt e kundërta e asaj të Obamës”, ka shkruar ai.
Në këtë moment është e pamundur të bëhet një krahasim i drejtpërdrejtë, shkruan CNN, pasi memorandumi i shpallur nga Trumpi të dielën nuk është një marrëveshje afatgjatë për programin bërthamor, por një marrëveshje për ndalimin e luftës.
Nën administratën e Obamës, SHBA-ja ishte pjesë e një koalicioni ndërkombëtar që arriti një marrëveshje me Iranin për të kufizuar programin e tij bërthamor. Inspektorët ndërkombëtarë verifikuan se Irani po e respektonte marrëveshjen dhe vendi fitoi qasje më të madhe në të ardhurat nga eksporti i naftës.
Trumpi e ka anuluar atë marrëveshje gjatë mandatit të tij të parë. Më pas edhe Irani është tërhequr nga marrëveshja dhe ka rifilluar pasurimin e uraniumit.
Marrëveshja e re e Trumpit është shumë ndryshe. Ajo synon të ndalojë armiqësitë mes vendeve dhe të rihapë Ngushticën e Hormuzit. Sipas raportimeve, SHBA-ja do të ndalojë bllokadën e porteve iraniane, ndërsa Irani do të lejojë kalimin e anijeve përmes ngushticës.
Megjithatë, një marrëveshje afatgjatë për të kufizuar ambiciet bërthamore të Iranit do të duhet të negociohet në ditët në javët në vijim.
Trumpi është ankuar shpesh se marrëveshja e Obamës përfshinte dërgimin e parave nga SHBA-ja drejt Iranit. Në fakt, ato para përfaqësonin zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje të vjetër lidhur me armët që Irani kishte blerë nga SHBA-ja para Revolucionit Iranian.
Mbetet ende e paqartë se cilat elemente financiare mund të përfshihen në marrëveshjen e re të Trumpit.
Bien për mbi 4% çmimet e naftës pas marrëveshjes SHBA-Iran
Çmimet e naftës kanë rënë pasi Pakistani, i cili ka ndërmjetësuar për t’i dhënë fund luftës mes SHBA-së dhe Iranit, ka njoftuar një marrëveshje kornizë që, sipas presidentit amerikan, Donald Trump, do të çojë në rihapjen e ngushticës së rëndësishme detare të Hormuzit.
Nafta Brent, standardi global i referencës për çmimet e naftës, ka rënë me 4.3% në 83.55 dollarë për fuçi të hënën, ndërsa nafta e tregtuar në SHBA ka rënë me 4.9%, në 80.74 dollarë për fuçi.
Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, ka thënë se ceremonia zyrtare e nënshkrimit do të mbahet të premten, më 19 qershor, në Zvicër.
Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi, ka konfirmuar gjatë një telefonate në televizionin shtetëror se një marrëveshje me SHBA-në ishte finalizuar, ndërsa Trumpi ka shkruar në rrjetet sociale: “Lëreni naftën të rrjedhë!”.
Megjithatë, Vandana Hari nga kompania e analizës së tregjeve energjetike “Vanda Insights”, ka thënë se mungesa e detajeve mbi atë që është rënë dakord “ka të ngjarë të sjellë shqetësim dhe pasiguri në treg”.
Sipas saj, kjo mund të nënkuptojë një javë pasigurie dhe luhatjesh të forta për tregun e naftës.
Ngushtica e Hormuzit ka qenë praktikisht e mbyllur që pak kohë pasi SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulmet ajrore kundër Iranit më 28 shkurt.
Pas fillimit të konfliktit, Teherani kërcënoi se do të sulmonte anijet që përdorin këtë rrugë ujore jetike, përmes së cilës zakonisht kalon rreth 20% e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm (LNG) në botë.
Tregjet globale të energjisë kanë kaluar muaj të trazuar, me çmime që shpesh janë rritur ose rënë ndjeshëm në varësi të zhvillimeve në luftën mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.
Nafta Brent, e cila tregtohej rreth 70 dollarë për fuçi para fillimit të konfliktit, ka arritur kulmin në rreth 120 dollarë gjatë luftës.
Ekspertët e tregut të energjisë kanë paralajmëruar gjithashtu se transporti i naftës përmes ngushticës nuk ka gjasa të rikthehet menjëherë në nivelet para luftës.