Bideni vë sanksione ndaj prodhuesve të gazsjellësit Nord Stream 2
Shtëpia e Bardhë sapo ka njoftuar sanksione ndaj prodhuesve të gazsjellësit Nord Stream 2, që lidh Rusinë dhe Gjermaninë.
“Sot, kam urdhëruar administratën time që të vendosë sanksione ndaj Nord Stream 2 AG dhe zyrtarëve të korporatës”, ka thënë presidenti Joe Biden në një deklaratë.
"Këto hapa janë një pjesë tjetër e këstit tonë fillestar të sanksioneve, në përgjigje të veprimeve të Rusisë në Ukrainë”, ka shtuar ai,
Projekti prej 10 miliardë eurosh u përfundua shtatorin e kaluar.
Vendimi i SHBA-së vjen pasi kancelari gjerman Olaf Scholz njoftoi se tubacioni do të qëndronte i mbyllur në përgjigje të lëvizjeve të Rusisë kundër Ukrainës.
Nord Stream 2 është një tubacion 1,200 km nën Detin Baltik, i cili do të çojë gazin nga bregu rus pranë Shën Petersburgut në Lubmin, në Gjermani.
Tubacioni nuk është hapur ende dhe certifikimi u ndërpre të martën nga qeveria gjermane.
Nord Stream 2 shkon paralelisht me një gazsjellës ekzistues, Nord Stream, i cili ka funksionuar që nga viti 2011.
Së bashku, këto dy tubacione mund të dërgojnë 110 miliardë metra kub gaz në Evropë çdo vit. Kjo është më shumë se një e katërta e të gjithë gazit që vendet e Bashkimit Evropian përdorin çdo vit.
