Kompania me bazë në Zvicër, e cila ndërtoi gazsjellësin Nord Stream 2 nga Rusia në Gjermani, po shqyrton kërkesën për falimentim, thanë burimet për Reuters, pasi përpiqet të rimëkëmbet nga sanksionet e SHBA-së dhe Perëndimit.
Shtetet e Bashkuara sanksionuan Nord Stream 2 AG javën e kaluar pasi Rusia njohu dy rajone të shkëputura në Ukrainën lindore përpara pushtimit të vendit, gjë që ka shkaktuar një valë sanksionesh ekonomike nga Perëndimi.
Nord Stream 2 AG, i cili është i regjistruar në Zvicër dhe në pronësi të gjigantit shtetëror rus të gazit Gazprom, vitin e kaluar përfundoi projektin prej 11 miliardë dollarësh, i cili ishte projektuar për të dyfishuar kapacitetin për ardhjen e gazit nga Rusia në Gjermani.
Dy burimet, të cilët folën në kushte anonimiteti për Reuters, sepse bisedimet për një falimentim të mundshëm janë konfidenciale, thanë se Nord Stream 2 AG ka punuar me një këshilltar financiar për pastrimin e disa prej detyrimeve të tij dhe mund të fillojë zyrtarisht procedurat e falimentimit në një gjykatë zvicerane këtë javë.
Gjermania ndërpreu projektin për ndërtimin e Nord Stream 2, për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
-
Rusia ndërpret furnizimin me gaz në Evropë përmes Nord Stream 1
-
Bideni vë sanksione ndaj gazsjellësit Nord Stream 2
-
Gjermania godet Rusinë, ndalon certifikimin e gazsjellësit Nord Stream 2
-
Gazpromi përfundon ndërtimin e gazjellësit nga Rusia në Gjermani
-
Përfundon projekti gjermano-rus “Nord Stream 2”